Deputetja Zegjine Caushi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku daja i saj, 52-vjeçari Bledar Bakaj plagosi me drapër 67-vjeçari Enver Gremaj në banesën e këtij të fundit.

Vajza e 67-vjeçarit të plagosur, M.G, pretendoi se është përdhunuar nga daja i Zegjine Caushit, pasi ai i kishte premtuar një vend pune, me ndihmën e deputetes socialiste.

Ndërkohë Caushi ka sqaruar atë se çfarë ka ditur për marrëdhënien mes Bledar Bakajt dhe M.G.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Caushi thotë se i ka takuar rastësisht të dy në fillim të muajit qershor, teksa kishte kaluar pranë banesës së tyre, ku ndodheshin edhe rreth 10-15 persona të tjerë.

Sipas saj, në atë takim M.G i është prezantuar si bashkëjetuesja e Bledarit dhe ka deklaruar se e kishte marrë parasysh situatën në të cilën ai jetonte, pavarësisht kundërshtimit të babait të saj.

Deputetja thekson se ka qëndruar rreth 10 minuta dhe më pas është larguar për shkak të angazhimeve të saj, ndërsa më vonë ka parë në rrjetet sociale fotografi të çiftit së bashku.

Caushi nënvizon se për ngjarjen e ndodhur është informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik, dhe thekson se dënon me forcë çdo formë dhune, pavarësisht se nga kush është ushtruar.

Ajo kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet edhe nga këndvështrimi psikologjik për të dy personat dhe që organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, me qëllim ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Reagimi i deputetes Zegjine Caushi:

Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.

Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.

Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. M.G, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cilin M. G e kishte njeriun e afërt nga fisi i të ëmës.

Sapo kam hyrë në oborr kam pare M, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”

Merita Gremaj tha: “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”

“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.

Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam lëvizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.

Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.

Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.

Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.

Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.

Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.

Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.


Lajmi kryesor:

‘Daja i deputetes më premtoi vend pune dhe më përdhunoi', rrëfehet me lot në sy, 34-vjeçarja: Kam nevojë për psikolog! I ati: E mori me forcë, jo për bashkëjetesë (VIDEO)