Deputetët socialistë po rikthehen tek ata që i votuan. Çdo të premte në orën 17.00, në takime të mbyllura, pa foto e kamera, siç kryeministri Edi Rama la porosi, për t’i dhënë qytetarëve lirshmërinë e të treguarit të problemit në respekt të privatësisë. 

Por ka prej tyre që shqetësimet i shprehin publikisht, teksa presin t’i adresojnë ato përballë deputetit socialist të Fierit, Erjo Mile.

"Po bëjmë 20 vjet që për 74 m rrugë, bie shi dhe nuk nxjerrim dot fëmijët përjashta. Me deputetë nuk kam marrë kontakt, por me kryetarin e bashkisë po, bëj shkresa e hic. Shpresë nuk kemi", tha një qytetar.

Gazetarja: Kaq të zhgënjyer jeni?

"Po shumë, shumë. Kam djalin me dy fëmijë thotë do iki. Jam kthyer në 2012-të nga Greqia, t’i kisha blerë shpitë andej më mirë, gjërat më elementare po kërkojmë", tha ai.

"Kemi 12 pallate parafabriat në lagjen tonë. Ne mosha e tretë nuk ngjitemi dot, pushojmë në cdo shkallë. Pse të mos vendosen ashensorë? Qoftë edhe me kontributin tonë, tha një tjetër.

Çdo javë në terren në takime me qytetarët, edhe deputetët thonë se i kanë më te qarta se ku janë të përqendruara problematikat që nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Ka pasur një interes shumë të madh nga qytetarët, nga kategori të ndryshme. Problematikat që dalin më së shumti kanë të bëjnë me kërkesë për investime, për mirëmbajtje, rrugë të reja, ndricim, pastrim. porblematika me kadastrën dhe pronën. Ajo çfarë qytetarët nuk kanë është informacioni i duhur se si duhet të veprojnë”, tha Erjo Mile, deputet i PS në Fier.

Ata që trokasin në dyert e deputetëve janë kryesisht moshë e tretë, të cilët besojnë edhe nëse kanë kaluar vite që ngrenë zërin, problemet do të marrin zgjidhje përmes “Pranisë Besnike”, qoftë edhe duke shkuar në zyrën e kryeministrit Rama.

Pogradec, në takimet me deputetin Bledi Çomo, qytetarët adresuan kryesisht probleme që lidhen me pronën

"Në pronën time ka hyrë njëri dhe ka bllokuar kanalin e tualetit. duhet një plan. Kadastra thotë nuk ka kufi, këta e kanë ndarë kufirin, dua ta di kush e zgjidh këtë problem. Kam besim që do zgjidhet. Kam dy vjet që po e kërkoj zgjidhjen, do vete dhe tek kryeminsitri. Atje mund të vritem unë, mund të vriten nesër fëmijët e mi, siç u vra fshatari im", tha qytetari.

"Kam dy vjet që më kanë prishur shtëpinë, erdhi pas 35 vitesh nga Amerika një grua dhe ma prishën shtëpinë. Po ta kishin me letra hallall, unë kam ardhur shumë herë këtu tek hipoteka, ata nuk e merrnin parasysh fare. Me këtë problem po bëj 30 vjet që po vuaj", tha qytetarja .

"Këtë problem ia kemi paraqitur kur ka qënë ne bashki dhe nuk na I ka zgjidhur. Do i them këto poshtërime që i bëjnë popullit: I mbajnë me llafe kot", tha një tjetër.

"Kemi problem me pasuritë e paluajtshme, nuk na japin certifikatën e pronënësisë, sepse kërkojnë lekë. Kemi 30 vjet me këtë probleme", tha qytetari.

Ka edhe nga ata qytetarë që adresojnë problematika me karakter komunitar.

“Kam ardhur të flas për pensionet e minatorëve. janë shumë keq. Do dëshiroja që vëmendja e qeverisë të jetë maksimale për këtë gjë  nuk besoj të më zgjidhet problemi. Unë për premtime nuk kam nevojë. Kam nevojë që pensioni i minatorit të shkojë 600 mijë lekë”, tha qytetari.

Ky mekanizëm i ri komunikimi me qytetarët, erdhi si rrjedhojë e protestës së vazhdueshme të qytetarëve, që siç tha vet kryeministri jo vetëm nuk janë dëgjuar, por edhe janë shpërfillur nga pushtetarët vendorë e qendrorë.