Si sot para 35 vitesh (8 gusht 1991) nisi një ëndërr. Shqiptarët lanë atdheun dhe u nisën drejt brigjeve italiane. Kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese, ka kujtuar pritjen që qytetarët e Barit u bënë rreth 20 mijë shqiptarëve që mbërritën në Pulia me anijen "Vlora", duke e cilësuar atë si një dëshmi të solidaritetit dhe humanizmit të komunitetit.
Në ceremoninë e organizuar 35 vite pas zbarkimit historik, Leccese priti në Bashkinë e Barit balerinin shqiptar Kledi Kadiu, i cili mbërriti në Itali pikërisht me atë ‘udhëtim të shpresës’. Kadiut, i cili u bë më pas një nga artistët më të njohur në Itali falë pjesëmarrjes në emisionin "Amici di Maria De Filippi", iu dhurua një ulli prej qeramike, i punuar nga artizanët vendas, si simbol paqeje dhe mikpritjeje.
Gjatë ceremonisë, Leccese kujtoi se ai dhe Kledi Kadiu kanë marrë pjesë edhe në dokumentarin "La nave dolce", me regji të Daniele Vicarit.
"Regjisori e zgjodhi këtë titull sepse anija 'Vlora' transportonte sheqer, por edhe sepse ishte e mbushur me atë ëmbëlsi që vetëm humanizmi dhe ndjenjat e mira mund të përcjellin", tha Leccese.
Kryebashkiaku kujtoi se në vitin 1991 ishte pjesë e administratës së drejtuar nga ish-kryebashkiaku Enrico Dalfino dhe se zbarkimi ishte një ngjarje jashtëzakonisht e vështirë për t'u menaxhuar, por që Bari e kujton me krenari.
"Ashtu siç ndodh sot në raste të tjera migracioni, edhe atëherë shteti zgjodhi një operacion policor për riatdhesimin e menjëhershëm. Por qyteti i Barit pati një qasje krejt tjetër. Nën drejtimin e kryebashkiakut Dalfino, ne kërkuam që situata të trajtohej si një emergjencë e mbrojtjes civile", u shpreh ai.
Leccese kujtoi se i gjithë qyteti u mobilizua për të ndihmuar shqiptarët.
"Mjekët ndërprenë pushimet dhe u kthyen në spitale për të ofruar ndihmë, ndërsa qindra qytetarë shkuan pranë stadiumit 'Della Vittoria' me ushqime dhe ndihma për refugjatët që ndodheshin aty”, kujton ai.
Kledi Kadiu: "Jam krenar që isha një nga 20 mijë shqiptarët e 'Vlorës'"
Në fjalën e tij, balerini shqiptar tha se ndihet krenar që ishte një nga shqiptarët që mbërritën në Bari 35 vite më parë.
"Jam krenar që isha një nga 20 mijë shqiptarët që mbërritën në Bari. Pavarësisht vështirësive dhe riatdhesimit, në fund ia dolëm. Unë vazhdoj ta tregoj këtë histori miqve, të afërmve dhe vajzës sime 10-vjeçare”, tha ai.
Kadiu e cilësoi mbërritjen e anijes "Vlora" si një moment historik.
"Ishte një ngjarje epokale. Është një histori e vjetër, por njëkohësisht shumë aktuale, sepse ëndrrat nuk mund të shuhen. Njerëzit vazhdojnë të kërkojnë një jetë më të mirë dhe të gjithë e meritojnë atë”, u shpreh Kadiu.
Ai shtoi se, krahasuar me vitin 1991, bota ka ndryshuar.
"Bota ka ndryshuar, por jo në kuptimin pozitiv. Ka më shumë individualizëm, secili mendon më shumë për veten dhe ka më pak solidaritet. Mendoj se njerëzit sot janë më pak të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin”, vijoi balerini shqiptar.
Duke kujtuar vitet e rinisë në Shqipëri, Kadiu tha se ai dhe bashkëmoshatarët e tij ndiqnin fshehurazi televizionin italian, edhe pse vendi sapo kishte dalë nga regjimi komunist.
"Si gjithë të rinjtë, e shikonim fshehurazi televizionin italian. Ëndrra jonë ishte të bëheshim si Raffaele Paganini, Raffaella Carrà apo Heather Parisi. Ata ishin idhujt tanë”, thekson Kadiu.
Edhe pse pas zbarkimit u riatdhesua, Kadiu tregoi se nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij.
"U përpoqa të kthehesha sërish në Itali dhe ta ndiqja ëndrrën time me këmbëngulje”, përmbylli ai./ANSA

Anija Vlora








Komente
Komento