Teksa në Tiranë protestuesit u mblodhën për të kundërshtuar investimin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, kryeministri Edi Rama i ka ‘sfiduar’ nga Vlora në një takim me socialistët, në 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike në degën e qytetit bregdetar.

Eventi për 35-vjetorin e PS dega Vlorë u zhvillua në Sheshin e Flamurit, ku u mblodhën me qindra qytetarë dhe mbështetës të kësaj partie.

Të pranishëm në takim ishin edhe kryeministri Edi Rama, drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, por edhe personalitete dhe ish-zyrtarë të kësaj force politike.

Gjatë fjalës së tij, Bledi Çuçi, duke nënvizuar prezencën e madhe të qytetarëve, tha se kjo ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ‘për ata që duan të na prishin festën’, referuar protestuesve apo eksponentëve të forcave të tjera politike.

“Gëzuar Vlora, çfarë kënaqësie sot me këtë prezencë, si një përgjigje e drejtpërdrejtë për ata që duan të na prishin festën. Një përgjigje e drejtpërdrejtë e Nuribeut që do të prishë çdo festë socialiste, por që nuk e ka arritur dot gjithë jetën ta bëjë dhe një përgjigje e të gjithë atyre nuribenjve dixhitalë që duan të prishin festën. Por asgjë nuk e ndal PS-në dhe zhvillimin e Shqipërisë. Sepse në këtë 35-vjetor, PS vjen si e vetmja forcë transformuese e realitetit shqiptar. Sot jemi më afër se kurrë BE-së”, tha Bledi Çuçi.

Ndërkohë kryeministri Rama gjatë fjalës së tij, teksa po fliste për investimin në Zvërnec, mori si shembull resortin ‘Porto Montenegro’ në Malin e Zi, i cili ka sjellë zhvillim në vend.

Sipas kryeministrit, investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec të Vlorës, do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë.

“Dua t’ju them se sot erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati. Përpara se të transformohej, Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, ku nuk shkonin turistë dhe që konsiderohej nga të gjithë si një bregdet i nivelit të ulët. Erdhi një investim që e transformoi Tivatin në një vend që sot pret rreth 5 milionë turistë në vit. Ai investim 4 miliardë dollarë në Vlorë, do të bëhet bekim i gjithë Shqipërisë”, tha mes të tjerash Rama.

Gjatë eventit u ndanë edhe disa medalje, për kontribuesit ndër vite të kësaj force politike në Vlorë. Në të njëjtin moment kur në Sheshin e Flamurit u zhvillua takimi për 35-vjetorin e themelimit të PS-së, në Vlorë u mbajt edhe një protestë qytetare, që kundërshton ndërtimin e resortit në Zvërnec.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:11
'Nëse do shisnim Shqipërinë, Sazani do ishte i privatizuar'- Rama nga Vlora: Vendi është p*rdhunuar shumë kohë para se të më jepnit besimin mua

1780686770_fxthyy.JPG

Edi Rama i’u është përgjigjur akuzave të protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, të cilët pretendojnë se ‘kryeministri po e shet Shqipërinë’.

Gjatë fjalës së tij në Vlorë për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Rama tha se nëse ai do të shiste Shqipërinë, atëherë ishulli i Sazanit do të ishte privatizuar.

Sipas Ramës, Sazanin e kanë kërkuar edhe investitorë të tjerë që ta bëjnë destinacion turistik, por ai shtoi se qeveria e tij nuk ka pranuar që ta ofrojë ishullin për ta privatizuar, ashtu siç sipas kryeministrit kanë bërë paraardhësit e tij në krye të Qeverisë.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ai të merrte drejtimin e Qeverisë.

“Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat.

Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë. Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani.

Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar. Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë”, deklaroi kryeministri Rama.

Ora 20:45
Rama: Dikur ktheheshe te Pusi i Mezinit dhe mund të mbyteshe në Lumin e Vlorës! Nëse dilje gjallë, mushkonja ishte për ta zënë dashnore

1780685301_cudyfii.JPG

Kryeministri Edi Rama është shprehur se para se të vinte në pushtet qeveria e tij, Vlora ishte në ditët e saj më të zeza.

Teksa përshkroi situatën në qytetin bregdetar, Rama tha se Vlora ishte me rrugë të pashtruara ku qytetarëve u rrezikohej jeta përditë.

Më tej teksa sulmoi opozitën dhe protestuesit që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, Rama tha se ka ardhur koha që në Shqipëri të bëhen investime të mëdha.

Me ironi Rama tha se dikur në Vlorë po të ktheheshe në zonën e quajtur Pusi i Mezinit, 'rrezikoje të mbyteshe në Lumin e Vlorës. Dhe po të dilje gjallë, mushkonja ishte për ta zënë dashnore.'

“Në Sazan shqiptarët nuk shkonin dot deri dje se ishte bazë ushtarake. Shqipërinë 1 euro nuk e shpika unë, aty ishte. Më tregojnë mua këta honxhobonxho investimet strategjike. Dhe më thonë ‘po prishet Shqipëria nga investimet strategjike’. Por s’kishte investime strategjike Vlora kur erdhëm ne në detyrë. E mbani mend që ktheheshe te Pusi i Mezinit dhe papritur mund të mbyteshe në Lumin e Vlorës dhe mos ta gjeje dot ku ishte Vlora?”, tha Rama.

“Të hanin mushkonjat në Vlorë”, tha një qytetar.

“Po lere more mushkonjën, mushkonja ishte për ta zënë dashnore po të arrije gjallë. Po gropat në Lungomare? Më e bukura është se te Zvërneci ata nuk kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik. Këta s’kanë as logjikë, janë dërrasë. Ne po na ikën tepeleku kokës, ku kemi terezi ne që të merremi me këta. Ata shikojnë IA dhe thonë do sjellë Rama palestinezët këtu bashkë me Netanyahun. Ne në 2027 do mbyllim negociatat me BE-në. Tani është koha që këtu të vijë para shumë më e madhe”, tha Rama.

Ora 20:30
Rama ndalon fjalën në Vlorë gjatë thirrjes së Ezanit: Ma lini mua kur mbaron, se unë jam i pafe, që i njoh të gjitha fetë

1780684546_hjvl.JPG

Kryeministri Edi Rama ka ndaluar fjalën gjatë thirrjes së Ezanit, teksa ndodhej në eventin për 35-vjetorin e themelimit të PS në Vlorë.

“Ma lini mua kur mbaron, se unë jam i pafe, që i njoh të gjitha fetë”, u tha Rama qytetarëve, gjatë thirrjes së Ezanit.

Ora 20:28
Rama nga Vlora: Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec, bekim për gjithë ekonominë shqiptare! Vendet zhvillohet nga ëndrrat e mëdha

1780684200_ghckl.JPG

Kryeministri Edi Rama është shprehur se investimi prej 4 miliardë dollarësh që pritet të realizohet në Zvërnec të Vlorës, do të jetë një bekim i madh për të gjithë ekonominë shqiptare.

Sipas kryeministrit Edi Rama, një vend transformohet vetëm nga ëndrrat e mëdha dhe jo nga udhëheqësit që sipas tij bëjnë thirrje për nacionalizma.

“Natyrisht që njerëzit e thjeshtë nuk mund të hyjnë në resorte luksoze dhe jahte, por është jahti që hyn në ekonominë e tyre. Imagjinoni ‘Porto Montenegro’ ka qenë 150 milionë euro dhe u shit te të tjerët që e morën 700 e kusur milionë euro. Tani 4 miliardë euro investim në Zvërnec të Vlorës, merreni me mend vetë se çfarë prodhon. Ai investim 4 miliardë dollarë në Zvërnec, do të jetë bekim për ekonominë e gjithë Shqipërisë. Ai investim nuk do sjellë vetëm paratë, nuk do ndërtojë vetëm vilat e hotelet, por do të sjellë një vlerë të shumëfishuar në të gjithë këta komponentë jashtë kufijve të tij. Sepse është kjo që transformon me themel ekonominë, jo ëndrrat e varfra.

Vendet ngecin jo kur kanë varfëri në lekë, por varfëri në ëndrra. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga njerëz që janë të varfër ne ëndrra dhe të pangopur në interesat e tyre. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga sharlatanë dhe delirantë, që thonë ‘ky vend është vetëm i juaji’. Kështu u thoshte edhe Hitleri gjermanëve. Kjo do të thotë t’i bësh thirrje nxitjeve më të zymta të racizmit, të vetëizolimit dhe t’i bësh thirrje humnerës. Nuk kanë bërë hajër kurrë në histori popujt që udhëhiqen nga sharlatanizma të tilla. Shqipëria ka nevojë për respekt, edhe për zërin e hoxhës, edhe për zërin e priftit”, tha mes të tjerash Rama.

 

 

Ora 20:10
Protestat për 'Zvërnecin', Rama: Tivati i Malit të Zi, dikur me 10 mijë banorë, sot me 5 milionë turistë në vit nga resortet luksoze

1780683351_ediramaw.JPG

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me socialistët në Vlorë në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të kësaj force politike, foli edhe për protestat që zhvillohen në Tiranë lidhur me projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec.

Rama tha se kishte mbërritur në Vlorë drejtpërdrejt nga Tivati dhe se vizita e tij në qytetin malazez e kishte bërë të reflektonte mbi mënyrën se si investimet mund të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e një vendi.

“Dua t’ju them se sot erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati. Gjatë gjithë kohës që kam qenë atje, kam menduar se si mund të ndryshojë rrënjësisht fati i një vendi dhe se si një vendim i gabuar apo një sjellje e gabuar e atyre që marrin vendime mund ta devijojë rrugën e së ardhmes së një vendi në një drejtim krejt tjetër”, u shpreh Rama.

Duke folur për transformimin e qytetit malazez, Rama theksoi se Tivati dikur ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, i konsideruar si një destinacion bregdetar i nivelit të ulët dhe me pak turistë. Sipas tij, investimet e mëvonshme e shndërruan qytetin në një destinacion që sot pret miliona vizitorë çdo vit.

“Përpara se të transformohej, Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, ku nuk shkonin turistë dhe që konsiderohej nga të gjithë si një bregdet i nivelit të ulët. Erdhi një investim që e transformoi Tivatin në një vend që sot pret rreth 5 milionë turistë në vit”, deklaroi kryeministri.