Kryeministri Edi Rama teksa po diskutonte me një prej banorëve të Zvërnecit, që pretendon se është pronar në tokën ku do të ndërtohet resorti turistik, kishte një koment edhe për protestuesit që kundërshtojnë projektin.
Rama tha se ‘protestuesit kanë dalë t’ju mbrojnë juve nga unë’, teksa nga ana tjetër, qytetari tha se i mbështeste investimet në turizëm dhe zhvillimin e vendit.
“Në Tivat, të gjithë ata që takova unë atje, të gjithë punëtorët, ishin malazez. Ka lezet, marrin rrogën tamam. Marrin sigurime shoqërore. Tha një djalë atje ‘ku të shkoj unë? Pse të iki në Dubai apo Abu Dhabi të punoj kamarier?’ ‘Unë këtu e kam pagën fiks dhe jam në shtëpinë time’ më tha. Pastaj ai nuk është një investim thjeshtë hajde se do bëjmë shtëpi e vila e do mbyllemi. Ai program ka spital, ka shkollë turizmi, ka plotë e plotë gjëra të tjera. Tani kur të dalin të thonë anuloje një gjë që nuk është bërë akoma, t’i s’ke më çfarë bën pastaj. Do të dëgjoni lloj lloj çudirash. Këtu është mbushur bulevardi me njerëz që kërkojnë t’ju mbrojnë juve nga unë. Ti s’ke dalë, sepse ti je njeri normal, që thua kjo është prona ime dhe unë do e fitoj me gjykatë. Ata atje kanë dalë të flasin me emrin tënd, kupton ti tani”, tha Rama.
“Nuk jam kundër turizmit dhë zhvillimit. Duke qenë se kam punuar 20 vite mësues, pastaj e ndërrova komplet sistemin e punës edhe kalova kalorës, bëj disa shëtitje me kuaj. Ka të bëjë me turizmin. Vështirësinë e nisa te tokat e tim gjyshi. Ishte pak e vështirë. Vajta pak në Zvërnec, te Geroni aty afër. Tani jam diku më lart, te Qafa e Topit. Në të tre vendet që kam qenë, problemi i vetëm ka qenë prona. 30 vite toka e pamenaxhuar. 30 vite toka e pamenaxhuar. Si mund të zhvillohet turizmi rretheqark gjithë Vlorës?”, tha qytetari Gentian Moçka.
Më tej kryeministri Rama, teksa përmendi sulmet kibernetike nga Irani ndaj vendit tonë, tha se ka pasur një aktivitet të shtuar të përdoruesve të rrjeteve sociale shqiptare (apo të atyre që lidheshin me Shqipërinë).
“Dihet botërisht që ne jemi shënjestër e sulmeve kibernetike të Iranit. Dhe për këtë arsye ne kemi ndërtuar një sistem mbrojtje që është ndër më të mirët në Europë, përsa i përket sulmeve që godasin infrastrukturën dixhitale. Por kemi mundësi edhe të shohim aktivitetin. Ditën e parë kur ka shpërthyer gjëja, ka pasur 5 herë më shumë përdorues të rrjeteve shqiptare, të rrjeteve sociale që lidheshin me Shqipërinë, sesa ç’ka pasur gjatë gjithë viteve të fundit. 5 herë më shumë u bënë në një ditë, kur u shpërnda ajo gjëja”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Rama takim me banorët e Zvërnecit: Do merrni paratë nëse gjykata do ju njohë si pronarë! 500 mijë veta të dalin në protestë, s’mjaftojnë për të ndalur projektin


