Plot 36 persona kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë së dielës, 18 tetor, pas përplasjeve gjatë protestave në Tiranë. Mes tyre janë 23 efektivë policie, 8 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të publikuar sot, më 19 tetor, në orën 11:30, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 31 të lënduar, përkatësisht 21 efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias, e cila është shtruar në spital.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 persona të tjerë, mes tyre 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Ministria bën të ditur se aktualisht në Spitalin e Traumës ndodhen edhe 2 protestues, të cilët po u nënshtrohen ekzaminimeve dhe konsultave mjekësore.
Nga nisja e protestave më 13 tetor, numri i personave të shtruar në spital që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14. Bëhet fjalë për 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese të medias.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja shëndetësore e të 14 personave është e mirë.









Komente
Komento