17 kilometrat e rrugës Milot-Balldren do të kushtojnë 365 milionë euro. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka ndarë në rrjetet sociale disa foto ku thuhet se rruga do të jetë e kategorisë A, me nga dy korsi qarkullimi dhe nga një korsi emergjence në secilin drejtim.
Gjurma do të jetë e re, kurse rruga ekzistuese do të kthehet në alternative. Konkretisht, gjurma e aksit fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Një tunel me gjatësi 850 metra dhe dy tuba do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit duke mundësuar anashkalimin e Lezhës.
Autostrada do të përfshijë ura, nyje lidhëse, pika shërbimi dhe për kalimin me pagesë, monitorim inteligjent.
Projekti pritet të përfundojë në fund të 2028-ës dhe është një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian.
Fituesi i koncesionit 35-vjeçar për ndërtimin e autostradës së re Milot-Balldre me fond limit 364 milionë euro u shpall kompania “Salillari” me shoqëritë e tjera ALB TIEFBAU” sh.p.k., “ERALD-G” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.
Rruga do të ndërtohet plotësisht me fondet e privatit, ndërsa fitimi i kompanisë do të jetë nga tarifat e kalimit, pasi rruga të hapet për qarkullim.
Komente







