37% e dëmeve në aksidente në 2023 u zgjidhën me marrëveshje

37% e dëmeve në aksidente në 2023 u zgjidhën me marrëveshje

Mimoza Kaçi

Gjatë vitit 2023, 37.6% të rasteve për dëmet e trajtuara janë zgjidhur me marrëveshje mes drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident, në rastet e dëmeve me vlerë deri në 30,000 lekë, duke sjellë njëkohësisht edhe reduktim të dokumenteve për praktikat e dëmeve.

Kjo praktikë u zbatua në kuadër të Raportit Europian të Aksidenteve, si një nga risitë e ndryshimeve ligjore të vitit 2021.

E dhëna u bë e ditur nga Mimoza Kaçi, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë raportimit në Kuvend.

“Viti që lamë pas ka pasur zhvillime të rëndësishme për Autoritetin dhe ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, të cilët vijuan një trajektore të stabilizuar zhvillimi dhe rritje, me tregues të mirë të shëndetit financiar”, deklaroi ajo. Në fund të vitit 2023, totali i aseteve të tregjeve nën mbikëqyrje shënoi vlerën prej rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.

Në tregun e sigurimeve u shënua një përmirësim i mëtejshëm i treguesve financiarë kryesorë që monitorohen nga Autoriteti, tha kreu i AMF-së. Aktivet e tregut të sigurimeve u rritën me rreth 7 miliardë lekë, me një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2022. Rritje u shënua edhe sa i përket nivelit të provigjoneve teknike me rreth 1.49 miliardë lekë, si dhe u përmirësua më tej treguesi kyç i mbulimit të provigjoneve teknike me aktive të përshtatshme.

Po ashtu, tregu vijoi trendin rritës, ku në fund të vitit 2023 primet e shkruara bruto arritën në rreth 23 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 8.9%. Rritje shënuan edhe dëmet e paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit, duke arritur në 6.9 miliardë lekë.

Ndryshimet e ndërmarra në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në treg, tha kaçi, duke dhënë disa shifra.

Gjatë vitit 2023, rezulton se rreth 75% e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara, ose të paidentifikuara, janë trajtuar dhe paguar drejtpërdrejtë nga shoqëritë e sigurimit. Ky parashikim ligjor ka ndikuar edhe në dëmet pezull të fondit të kompensimit të cilat në fund të vitit 2023, rezultojnë në numër 477 dëme dhe vlerë prej 843 milionë lekë.

Niveli i dëmeve pezull krahasuar me vitin 2022, ka pësuar rënie në numër me 137 praktika dëmesh dhe në vlerë me rreth 139 milionë lekë dhe duhet theksuar se pjesa më e madhe e dëmeve pezull janë në proces gjyqësor (64% të totalit). Bazuar në kërkesat e reja rregullatore dëmet pezull në proces provigjohen nga shoqëritë e sigurimit, ndërsa ato të përfunduara janë pjesë e fondit të miratuar të vitit.

Për vitin 2023, pagesat e dëmeve objekt i fondit të kompensimit rezultojnë me një tejkalim prej 11.2%.

Ajo shtoi se në fillim të vitit 2023 Autoriteti miratoi strategjinë institucionale për periudhën 2023-2027. Veprimtaria e Autoritetit përgjatë vitit 2023 është mbështetur në këtë dokument, i cili përcakton objektivat dhe prioritetet strategjike të institucionit, me qëllim përmbushjen e misionit themelor të Autoritetit për sigurimin e funksionimit efektiv të tregjeve financiare jobankare nën mbikëqyrje, si dhe garantimin e stabilitetit të këtyre tregjeve, promovimin dhe zhvillimin e tyre, në mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe investitorëve.

Kaçi dha informacion dhe për ecurinë e tregjeve të tjera nën mbikëqyrje:

Tregu i Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive (SIK) ka treguar qëndrueshmëri gjatë vitit 2023 dhe ka shfaqur tendencë në rritje, krahasuar me një vit më parë. Rol në këtë drejtim kanë luajtur masat e marra nga shoqëritë administruese, bazuar edhe në vendimet e Autoritetit për të përballuar luhatjet e tregjeve financiare gjatë kësaj periudhe, masa të cilat e shtrinë efektin e tyre pozitiv edhe gjatë vitit 2023. Qëndrueshmëria dhe tendenca në rritje e këtij tregu u konstatua si në nivel aktivesh në tregun e fondeve të investimeve, ashtu edhe në nivelin e flukseve neto pozitive, kthimit nga investimi për investitorët dhe numrin e investitorëve.

Totali i aktiveve neto të tregut të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive arriti në rreth 50.3 miliardë lekë në fund të vitit 2023, me një rritje vjetore prej rreth 9.2%, po ashtu, rritje e numrit të investitorëve pjesëmarrës në këto fonde, me afro 11.2%, duke arritur në mbi 32 mijë investitorë.

Në tregun e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive ka patur zhvillime pozitive edhe sa i përket kërkesave në rritje për njohjen dhe licencimin e formave të reja të këtyre fondeve. Gjatë këtij viti, është licencuar një fond investimi me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike, administruar nga një shoqëri administruese, e cila ushtron edhe veprimtarinë e administrimit të aktiveve të fondeve të pensionit privat.

Në tregjet e kapitalit, miratimi në vitin 2023 i një sërë aktesh nënligjore që plotësuan kuadrin rregullator në zbatim të ligjit për këtë treg solli efektet e para pozitive duke rezultuar me emetimin për herë të parë të obligacioneve korporative me ofertë publike. Ky emetim për herë të parë i titujve nëpërmjet ofertës publike është një sinjal pozitiv për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe për alternativat e reja të investimit që i ofrohen investitorit.

Nxitja e pjesëmarrjes në tregjet e kapitalit si nga ana e kërkesës ashtu edhe nga ana e ofertës përbën një nga prioritetet kryesore të përcaktuara në dokumentin e politikave për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2023. Për arritjen e këtij objektivi Autoriteti po bashkëpunon në nivel ndër-institucional si dhe me mbështetje të asistencës së huaj teknike.

Gjithashtu, vlen të theksohet se gjatë vitit 2023 u shënua një rritje e mëtejshme e interesimit të operatorëve të sektorit financiar për të realizuar emetime të obligacioneve me ofertë private për të gjeneruar fonde, kryesisht me qëllim zbatimin e kërkesave për kapital rregullator. Tregu i obligacioneve me ofertë private ka shfaqur një trend në rritje nga viti në vit. Kështu, shuma e obligacioneve me ofertë private në treg, në fund të vitit 2023 arriti në rreth 20 miliardë lekë, nga rreth 14 miliardë lekë që rezultoi në fund të vitit 2022, me një rritje prej rreth 46%.

Ndryshimet ligjore të vitit 2021 mundësuan gjithashtu uljen e komisioneve të ndërmjetësimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Autoriteti miratoi rregulloren që kufizon komisionet në një nivel maksimal prej jo më shumë se 18% nga janari 2023. Kështu, komisionet e ndërmjetësimit në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm kanë vijuar të ulen dhe rezultojnë mesatarisht 16% për vitin 2023. Reduktimi i nivelit të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimeve të marrjes në sigurim ka sjellë rritje të likuiditetit të shoqërive të sigurimit, për të realizuar në kohë pagesat e dëmeve.

Tregu i fondeve të pensionit privat ka vijuar tendencën e tij në rritje, sa i përket vlerës së aktiveve neto dhe numrit të anëtarëve. Në fund të vitit 2023, aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë, duke u rritur me 18.2%, ndërsa numri i anëtarëve arriti në mbi 38 mijë. Mbi 96 % e aktiveve neto janë të investuara në obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Gjatë vitit 2023, në tregun e fondeve të pensionit privat ushtruan aktivitetin e tyre gjashtë fonde pensioni të administruara nga katër shoqëri administruese, të cilat përveç administrimit të fondeve të pensionit janë licencuar për të administruar edhe sipërmarrje të investimeve kolektive.

Përsëri, hapësirat për zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu mbeten të konsiderueshme dhe ligji i ri, i miratuar në vitin 2023, pritet të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve private të pensionit.

Zonja dhe zotërinj deputetë, në fund të fjalës time, më lejoni të ndaj me ju disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit, mbështetur edhe në strategjinë afatmesme të tij.

Objektivat e strategjisë së AMF ndërveprojnë me objektivat e përcaktuara edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian 2022-2030, ku janë të përfshira edhe politikat kombëtare për zhvillimin e tregjeve financiare jobankare.

Në këtë kuadër, për periudhën në vazhdim, Autoriteti do të synojë:

Të kontribuojë në forcimin e stabilitetit financiar, përmes një mbikëqyrje efektive dhe sigurimit në integritetin e tregjeve;

Të përmbushë të gjitha angazhimet në kuadër të procesit të integrimit duke vijuar me procesin e përafrimit të legjislacionit me kuadrin evropian, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin dhe modernizimin e tregjeve;

Të garantojë mbrojtjen e interesave të konsumatorit dhe investitorit;

Të mbështesë nxitjen e financave të gjelbra, referuar edhe praktikave më të mira europiane; si edhe

Të përmirësojë më tej sistemet e teknologjisë së informacionit, në funksion të digjitalizimit.

Gjithashtu, Autoriteti do të vijojë të asistohet nga partnerët afatgjatë ndërkombëtarë të zhvillimit, Banka Botërore, si edhe të mbështetet financiarisht nga Sekretari Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), Autoriteti do të përfitojë asistencë në sektorin e sigurimeve përmes zbatimit të udhërrëfyesit drejt Solvency II dhe implementimit të standardeve të raportimit financiar IFRS 17.

Në tregun e fondeve të pensioneve private, asistenca e huaj do të mbështesë hartimin e akteve të nevojshme nënligjore në zbatim të ligjit të ri. Në tregjet e kapitalit, do të ofrohet asistencë e huaj për nxitjen e emetimeve të obligacioneve të gjelbra, ndërsa në fushën e teknologjisë së informacionit fokusi i asistencës teknike do të jetë tek përmirësimi i sistemeve të brendshme të IT, platformave të raportimit, nxitjen e teknologjive të reja në fushën e shërbimeve financiare (Fintech), si dhe sigurinë kibernetike.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare