37 vite nga vdekja e Lasgush Poradecit! Liriku i madh i letërsisë dhe atdhetari i mbrojtjes së kombit dhe traditës së Rilindjes

37 vite nga vdekja e Lasgush Poradecit! Liriku i madh i letërsisë dhe atdhetari i mbrojtjes së kombit dhe traditës së Rilindjes

Lasgush Poradeci

Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si pot, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921, ai shkoi në Rumani për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924, Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë si Noli, Fishta, Poradeci e Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, po ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygos, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, Emineskut etj.

Më 12 nëntor 1987, Lasgush Poradeci vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë, si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj./ Kosova Press

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elbasani: 12/11/2024 13:54

    Poeti mahnites Lasgush Poradeci nje nga me te preferuarit e Qemal Stafes ne familjen e te cilit akoma edhe sot qysh me 1937 ndodhet botimi i Lasgushit Vallja e Yjeve me duket e botuar ne Rumani.rESPEKT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Trump kritikon vendimin e Biden për të lejuar Ukrainën që të sulmojë thellë brenda Rusisë me raketa amerikane

Trump kritikon vendimin e Biden për të lejuar Ukrainën që të sulmojë thellë brenda Rusisë me raketa amerikane