Shqipëria do të presë një tjetër kampionat të rëndësishëm botëror të sportit të shahut, teksa nga datat 26-28 prill në Durrës do mblidhen fëmijët më të talentuar të globit. Të vegjëlit nga mosha 8-12 vjeç do tregojnë aftësitë e tyre në një prej sporteve ku Shqipëria gjithmonë ka patur të dalluar.
“Është kampionati botëror i fëmijëve për lojën e shpejtë ‘Rapid and Blitz’, ku marrin pjesë rreth 370 fëmijë të cilët bashkë me shoqërues dhe prindër shkojnë në 800 persona. Do qëndrojnë nga data 25-29 në Shqipëri për zhvillimin e këtij aktiviteti,”-u shpreh Erald Dervishi, president i federatës së shahut.
Në hapjen e këtij aktiviteti, por edhe gjatë zhvillimit të tij, në Shqipëri do jetë presidenti i federatës botërore të shahut Arkady Dvorkovich, si dhe shumë shahistë të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti si Susan Pulgar. Ndërkohë një numër të lartë shahistësh të vegjël në kampionatin botëror do jenë nga Shqipëria.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
“Në këtë kampionat do marrin pjesë 62 shahistë shqiptarë. Është një numër rekord kur mendojmë s ekemi të bëjmë me moshat nga 8-12 vjeç. Numri 62 për një vend të vogël si Shqipëria është i jashtëzakonshëm. Kemi një grup fëmijësh të talentuar, të cilët në rast se dimë ti mbështesim dhe ti tregojmë rrugën e duhur do arrijnë nivele të jashtëzakonshme,”-tha Erald Dervishi, president i federatës së shahut.
Vitet e fundit është parë një rritje e nivelit të shqiptarëve në sportin e shahut, ndërsa jo më kot edhe Kler Çaku u shpall kampione e Europës.
“Jemi aktualisht në bisedime me KOKSH-in dhe qeverinë shqiptare, që bashkë me basketbollin dhe volejbollin të implementojmë sportin e shahut në shkolla. Në shkolla fillore dhe 8-vjeçare kryesisht,”-deklaroi Erald Dervishi, president i federatës së shahut.
Kampionati botëror i shahut për fëmijë vjen në një vit jubilar të këtij sporti, pasi në 2024 federata botërore e shahut feston 100-vjetorin e krijimit.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)