“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi. Do të ketë njerëz që do të përpiqen t’ju joshin, t’ju blejnë, t’ju frikësojnë apo t’ju vënë në provë. Qëndroni të fortë! Mos e bëni pis uniformën, mos e tradhtoni besimin e qytetarit dhe mos harroni kurrë se integriteti është arma juaj më e fuqishme.”
Ky ishte mesazhi që ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u dha 387 efektivëve të rinj të Policisë së Shtetit, të cilët përfunduan kursin për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë dhe do t'i bashkohen strukturave të policisë në të gjithë vendin.
Gjatë ceremonisë, Lamallari tha se 387 të rinjtë janë tashmë të përgatitur për një nga profesionet më të vështira dhe më fisnike, atë të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. Ai u ndal edhe te besimi që qytetarët duhet të kenë te Policia e Shtetit, duke theksuar se ai nuk fitohet vetëm nga autoriteti që jep uniforma, por ndërtohet çdo ditë përmes sjelljes, profesionalizmit dhe komunikimit me qytetarët.
“Mbi gjithçka është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit dhe gjithnjë e më shumë qaset si shërbim, jo thjesht si forcë bazuar te autoriteti që gëzon prej ligjit. Qytetarët nuk duhet t’ju shohin juve si një distancë mes tyre dhe shtetit. Përkundrazi, Policia është fytyra më e afërt e shtetit”, u shpreh ministri.
Lamallari theksoi se objektivi është ndërtimi i një policie moderne, profesionale dhe njerëzore, e aftë jo vetëm të godasë krimin, por edhe ta parandalojë atë, ndërsa Akademinë e Sigurisë e cilësoi pikën ku nis procesi i modernizimit të Policisë së Shtetit.
Në ceremoni foli edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili u kërkoi efektivëve të rinj të mos devijojnë nga misioni i tyre dhe të ruajnë gjithmonë integritetin.
“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta edhe në errësirë”, tha Hita.
387 efektivët e rinj pritet të shpërndahen në strukturat e Policisë së Shtetit, duke iu bashkuar forcave në terren në kuadër të përforcimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe procesit të modernizimit të institucionit.
“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju.”
Me këto fjalë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, iu drejtua sot 389 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë. Gjatë ceremonisë së certifikimit, Hita tha se Policia e Shtetit dhe qytetarët kanë nevojë për energjinë dhe mentalitetin e ri të brezit të ri të efektivëve, ndërsa u kërkoi atyre ta kenë busullën gjithmonë te ligji, shërbimi ndaj qytetarëve dhe amaneti i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Ai i paralajmëroi efektivwt të mos bien pre e arrogancës apo korrupsionit, duke nënvizuar se besimi i qytetarëve është pasuria më e madhe e Policisë së Shtetit dhe se asnjë përfitim personal nuk vlen më shumë se dinjiteti i uniformës.
Deklarata e plotë
"Sot është një ditë e mirë për Policinë dhe për qytetarët. Qindra djem dhe vajza, pas përfundimit me sukses të Kolegjit, i bashkohen familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, dhe dalin në terren, në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të ligjit. Ju falënderoj për zgjedhjen tuaj për t’u bërë pjesë e stafit tonë, për disiplinën, për rezultatet e arritura në teori dhe në praktikë, si dhe për vullnetin dhe vendosmërinë tuaj që ju çoi në fund të këtij rrugëtimi fillestar, por të përgatitur për të nisur një rrugë të gjatë dhe plot sfida në përmbushje të misionit tonë të shenjtë. Shqipëria, qytetarët dhe Policia kanë nevojë për ju, për energjitë dhe mentalitetin e ri evropian, ndaj për qytetarët sot është një lajm shumë i mirë që ju sot certifikoheni.
Përtej emocioneve tuaja të arsyeshme dhe shpresës sonë se ju do të jepni më të mirën nga vetja në funksion të së mirës së përgjithshme dhe krahas urimit për certifikimin tuaj, ku ju bëheni pjesë e familjes së madhe, kam disa porosi që besoj se do t’i keni parësore në përditshmërinë e punës suaj. Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime. Në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut.
Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije ndoshta dhe në errësirë. Ju jeni të parët që do të merrni kontakt me qytetarët në çdo cep të vendit ku do të shërbeni, jeni në terren 24/7, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë dhe për t’ju dhënë ndihmë qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve nga e mbarë bota. Shërbejuni qytetarëve me përulësi ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie.
Vrulli rinor që ju keni t’ju shërbejë për të mirën e përgjithshme, për përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit dhe në funksion të ligjit. Dhe mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj. Përballë çdo situate qofshi, kurrë mos u tregoni arrogantë me qytetarët që duan dhe zbatojnë ligjin. Detyra jonë është t’i dëgjojmë, të zbatojmë procedurat e punës dhe t’i japim qytetarit përgjigjen që na kërkon ligji, dhe jo të krijojmë në sytë e tij bindjen se jemi të njëanshëm, arrogantë apo të pazotë.
Kurrë mos ia bëni këtë të keqe Policisë së Shtetit, e cila pa besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, nuk e përmbush dot si duhet misionin e saj. Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin, dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju.
Bëjeni punën me dëshirë e përgjegjshmëri, respektoni njëri-tjetrin, sepse puna bëhet në grup, dhe besoni se me punën tuaj të ndershme do të bëni karrierë. Pse jo, në të ardhmen, njëri apo njëra prej jush do mbajë fjalim, do të këshillojë dhe do të frymëzojë brezat që do vijnë në Policinë e Shtetit. Ju falënderoj që arritët këtu dhe do t’ju jem mirënjohës çdo ditë, në rast se secili prej jush do të zbatojë ligjin dhe do të respektojë qytetarët, sikundër do të qëndroj fort ndaj atyre që do të devijojnë nga ligjshmëria dhe etika.
Sot ju mirëpres në familjen e madhe të Policisë së Shtetit dhe ju uroj që këtë ditë ta kujtoni gjithmonë si ditën kur nisët një mision të madh. Më keni në krah dhe mos nguroni të më shkruani e të shprehni çdo shqetësim që lidhet me përmirësimin e punës, por edhe për problemet tuaja, pasi për mua pasuria më e madhe e Policisë së Shtetit jeni ju, janë burimet njerëzore. Mbajeni me dinjitet këtë uniformë të shenjtë të sigurisë dhe shërbimit ndaj Republikës dhe qytetarëve. Shërbeni me përkushtim, veproni në bazë të ligjit dhe qëndroni pranë qytetarëve. Suksese e mbarësi paçi në detyrën e re dhe në familjet tuaja!"










Komente
Komento