TIRANE-Në nisje të procesit gjyqësor për akuzën e korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea kërkon heqjen e masës së sigurimit 'pezullim nga detyra' që rëndon ndaj saj.

Vetë Andrea nuk ishte e pranishme në seancën e parë ndërsa këtë kërkesë ja paraqiti kolegëve nëpërmjet avokatit Theodhori Sollaku.

Në mungesë u hap procesi dhe për Odhise Andrean bashkëshortin e gjyqtares, pasi ai ndodhet në arrati prej 5 muaj dhe për të prokuroria ka shpallur urdhër arrestin ndërkombëtar duke i kërkuar ndihmë 'Interpol Italia' për ndalimin e tij.

Gjyqtarja Andrea si dhe bashkëshorti i saj nëpërmjet avokatëve Sollaku dhe Ardian Visha kundërshtuan dhe përgjimet e prokurorisë duke kërkuar shpalljen e tyre të pavlefshme.

“Ne mendojmë që nuk ka asnjë provë për gjyqtaren Majlidna Andrea është një proces i stisur, një montazh i punuar keq në fazën e hetimit paraprak. Përgjimet interpretohen në mënyrë të njëanshme nga prokuroria ndërkohë që nuk janë marrë në konsideratë përgjimet e mbrojtjes. Masat ndaluese në bazë të kodit të procedurës penale nuk mund të zgjaten më shumë se tre muaj dhe presim që gjykata të japi po “, u shpreh avokati Theodhori Sollaku.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Odhise Andrean, unë jam përgjithësisht i caktuar siç e thashë edhe në seancë. Përsa i përket masës së sigurisë mbi ato dy fakte që ngrita e që do të duhet të vlerësohen objektivisht nga gjykata mundet të çohet në cedim të kualitetit të saj”, tha avokati Ardian Visha.

Report Tv ka ndjekur nga afër seancën e parë ku nga 5 të pandehur të pranishëm ishin vetëm Eleni Lino, Ilia Cabiri dhe Petraq Dashi të cilët nuk komentuan asnjë nga kërkesat e Andreas.

Avokati i Ilia Cabirit, Ndue Pjetra kërkoi që ky proces të mbyllet sa më parë pasi nuk ka asnjë provë apo fakt që lidh klientin e tij me akuzën e korrupsionit.

“Logjika të çon që ky gjyq fillon sot dhe për mendimin tim duhet të mbarojë sot sepse janë të gjitha veprime të pavlefshme, të paligjshme lidhur me vendosjen në përgjim të numrave të telefonit”, u shpreh avokati Ndue Pjetra.
 
Por si përfundoi nën akuzë gjyqtarja Andrea dhe 4 të pandehurit e tjerë?
Report Tv ka siguruar kërkesën për gjykim, ku sipas prokurorisë vendimi për mospranim rekursi për 40 hektarë tokë në Ksamil në interes të Ilia Cabirit dhe Eleni Linos u dha nga gjykata një ditë pasi Petraq Dashi në rolin e sekserit i dorëzoi Odhise Andreas 50 mijë euro.

Këto para tashmë janë nën sekuestro preventive të ndara në dy llogari bankare të nivelit të dytë në 38 dhe 12 mijë euro.

Më 16 Korrik 2016 prokuroria e përgjithshme bëri publik rezultatet e këtij hetimi ku ndaj gjyqtares Majlinda Andrea vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra.

Seanca e radhës për këtë proces u la më 12 dhjetor pasi prokuroria kërkoi kohë për tu shprehur në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë ndaj gjyqtares së pezulluar.

Redaskia Online
Al.N/Shqiptarja.com