'CEZ'-i, Balla: Ngrihu në këmbë
dhe betohu, Berisha: Je shpifës

'CEZ'-i, Balla: Ngrihu në këmbë<br />dhe betohu, Berisha: Je shpifës
TIRANE- Për rreth 3 orë e 20 minuta ish-kryeministri Sali Berisha ka dëshmuar përpara komisionit hetimor për marrëveshjen e privatizimit të OSSH te kompania çeke CEZ në vitin 2008-ë.

Berisha ka marrë pjesë për herë të dytë në këtë Komision, ndërsa në fillim të mbledhjes polemizoi ashpër me drejtuesin e komisionit, deputetin e PS, Taulant Balla. Berisha s'pranoi të dëshmojë pa dhënë dorëheqjen më parë Balla, i cili sipas Berishës është në konflikt interesi për shkak të dënimit nga gjykata për shpifje. 

Balla i kërkoi Berishës të ngrihej në këmbë dhe të betohej përpara anëtarëve të komisionit, gjë e cila është refuzuar nga Berisha. Ai e ka quajtur sërish Ballën shpifës të dënuar nga Gjykata. 

Prej më shumë së 1 orë Berisha ka refuzuar t'i përgjigjet pyetjeve të kryetarit të komisionit, ndërsa i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të tjerë.

Replika pati edhe mes deputetëve të PD, Ridvan Bode e Arben Ristani me kreun e komisionit Taulant Balla. 

Komisioni hetimor për CEZ pritet të hedhë dritë mbi një nga aferat më të mëdha të privatizimeve në vend në kohën kur në pushtet ishin demokratët. Sipas mazhorancës, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 414 mln euro prej asaj marrëveshje privatizimi. 

Në përfundim të mbledhjes, deputeti socialist, Balla, u shpreh se komisioni do të vlerësojë nëse dëshmia e Berishës është e vlefshme, pasi në të kundërt ai u shpreh se ish-kryeministri do thirret sërish për të dëshmuar. 

shkresa per thirrjen e berishes forcerisht
Shkresa për thirrjen me forcë të ish-kryeministrit Berisha

procesverbali per thirrjen e berishes
Proçesverbali i punonjësit të policisë të Komisariatit Nr.1

Debatet mes Berishës dhe Ballës

Balla: Z.Dëshmitar, ngrihuni në këmbë dhe betohuni, ju lutem! Betohuni se do thoni të vërtetën. 

Berisha: S’ke autoritet të marrësh betimin tim, nuk ke moral për të marrë betimin. Ti je shpifës i ndyrë. Ke marrë dënim të formës së prerë dhe s'e ke ekzekutuar dënimin. Zbatoni atë që ka vendosur gjykata. Duhet hapje seance me një ndjesë të shumëfishtë publike, për mashtrimin e madh që i bërë publikut shqiptar.
 
Balla: Dakord, por mos u nxeh.
 
Berisha:
Unë deklarova se pa ardhur një vendim nga sektori i ligjor i parlamentit nuk përgjigjem. Sektori ligjor nuk dha vendim, por unë respektova parlamentin dhe erdha për respekt të Parlamentit. Ti je shpifës i dënuar. Nuk pranon të paguash 10 milionë lekë gjobë. Ke bërë dy herë shkelje.
 
Balla: Z.Dëshmitar, mos u mundoni ta prishni këtë seancë. Ngrihuni në këmbë dhe betohu. Ju lutem, emër, mbiemër për efekt procesverbali.  

Berisha:
Nuk mund t'i them asgjë një personi të dënuar si shpifës i ndyrë.
 
Balla: Një komision hetimor tjetër parlamentar i ngritur në vitin 2006-ë, në të cilin hetohej prokurori i përgjithshëm, Sollaku, në atë kohë prokurori ka kërkuar përjashtimin e një prej kolegëve tuaj, të z.Patozit, i cili kishte 4 gjyqe të humbura për shpifje ndaj z.Sollaku. NË 2006-ën, Kuvendi ka dhënë përgjigje që ky lloj konflikti interesi nuk ka të bëjë me punën e kom hetimor parlamentar. Kur ka një vakuum, standardi apo precedenti është vendimi i shprehur. Kjo çështje quhet e mbyllur.
 
Berisha:
Kjo është një shpifje e radhës e juaja, një shpifje e mirëfilltë. Në çdo fjalë vetëm shpif, je fytyra e Edi Ramës.
 
Balla:
Ju kujtoj dhe paralajmëroj për detyrimin dhe përgjegjësinë që ka dëshmitari për të thënë të vërtetën, me përjashtim kur është i mitur deri në 14 vjeç. Ju nuk jeni i mitur. Do jepni ndonjë përgjigje? Mund të thuash që nuk kam dijeni. Keni dijeni për këto që ju pyeta?Është dëm 414 milion euro, nuk keni asgjë për thënë.

Berisha: Ty do të të heqin nga lista.

Balla: Leri listat, ke gjë për të thënë për dëmin 414 milion euro? Unë në rregull jam, shpresojme të të verë Luli ty në listë.
 
Berisha: Ky është një shpifës ordiner, që s'ka minimumin e respektit për veten e tij. Mashtroi 5 herë para kamerave herën e kaluar dhe tani lexon shpifje e trillime që të shpëtojë Edvin Kristaq Ramën nga së paku 35 vjet kalbje në burg për vjedhjen monstruoze që u ka bërë shqiptarëve duke përjashtuar çdo procedurë në dhënien CEZ-it 620 milionë euro, i fali CEZ-it 3.2 mln dollarë dëme. Ky që flet është shpifës ordiner.
 
Bode-Ballës:
Po bëni pyetje të paligjshme ndaj dëshmitarit. Janë me paramendim, diskredituese dhe diskriminuese. Pyetjet nuk përputhen me ligjin e privatizimeve.
 
Balla:
Çojini në Gjykatën Kushtetuese.
 
Berisha:
Shpifësi po kapardiset në mbledhjet e tij, kërkon të shpëtosh kryehajdutin Edi REama nga vjedhja më e madhe në historinë e Shqipërisë, 634 mln euro, fatura të faktuara nga kompani ndërkombëtare. Nuk shpëtoni dot, aq sa shpëtove ti nga shpifjet që more aq sa meritove, aq do të shpëtojë edhe ai, për 35 vjet, mesë paku për dëmin e tmerrshëm që i ka bërë çdo shqiptari për dëmin 3 mijë euro.
 
Balla:
Keni qenë në mbledhje qeverie kur iu ka thënë Ministri i Financave se jeni duke e bërë gabim?
 
Ristani:
Z.Kryetar i komisionit nuk keni të drejtë të deformoni shprehjet që po i referoheni. Ma gjeni ku e thotë ministri i Financave që po e bëni gabim? Ma gjeni.
 
Balla:
 Kam një procesverbal të mbledhjes së KM datë 17 shtator 2008 për projektvendimin për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin 835 datë 11.6.2007 për përcaktimin e paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë anonime të sistemit të shpërndarjes që u ofrohet investitorëve strategjikë. Në këtë proceverbal në atë kohë Ministri i Financave, Ridvan Bode shprehet se thelbi i procesit është se akoma kemi gjëra të paqarta dhe kemi mjaft probleme që akoma nuk i kemi qartësuar me Gencin (Genc Ruli).
 
Bode:
Është dëgjuar ministri i financave dhe është ndryshuar marrëveshja.
 
Balla-Bodes:
Do të të marrim edhe ty në seancë dëgjimore.
 
Berisha-Ballës:
Je një grumbull shpifjesh.
 
Balla-Berishës:
Z.Dëshmitar, ka qenë e gatshme OSSH-ja për t'u privatizuar? Po apo jo?
 
Berisha:
Je një shpifës i dënuar. Ku e di ti se çfarë është dëshmia, ti e di ç'a është shpifja.
 
Ristani-Ballës:
Që jeni shpifës me vendim gjykate është e vërtetë. 

Berisha:..E vertetuar, shpifes i denuar, ti s'ke dinjitet, s'ke personalitet dhe s'ke asgje dhe detyrohesh te dalesh para shqiptarëve 5 herë shpifes. Po pse s'del Pjerini? Humbet tenderat prandaj pajtohesh me të. Je dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Nuk mund të gënjejë një njeri publik 5 herë para qytetarëve.
 
Balla-Ristanit: Pranoje që je dënuar. Kam këtu procesverbalin, ke dorëzuar në polici çelësat dhe një biçak.
 
Balla-Berishës: Z.Dëshmitar, a e njihni Nuel Kalën?
 
Berisha:
Shpifësi është shpifës dhe meriton vetëm një përgjigje.
 
Balla:
A keni folur ndonjëherë në telefon me të?
 
Berisha:
Shpifësi është shpifës dhe meriton vetëm një përgjigje.
 
Balla:
I lutem sekretarisë që t'i regjistrojë përgjigjet. Qesh, qesh se këtu do të jemi bashkë. Jepini një shishe ujë. Po dridhesh, mos ke ftohtë?
 
Berisha:
Shpifësi është shpifës dhe meriton vetëm një përgjigje.

Balla: A ka qenë Kastriot Ismailaj personi që ka realizuar këtë takim?

Berisha: Shpifësi është i pafytyrë si ti.

Balla: A është e vërtetë se Ismailaj është i afërmi juaj.

Berisha: Shpifësi është i pafytyrë siç je ti.

Balla: Se kush është shpifësi këtu dihet. A e njihni Elvis Matajn?

Berisha: Shpifësi nuk meriton asnjë përgjigje.

Balla: A ishte i punësuar tek ju vëllai i Elvis Matajt?

Berisha: Shpifësi meriton vetëm përçmim dhe neveri.

Balla: A ka ndikuar tek ju vëllai i tij?

Berisha: Shpifësi është vetëm shpifës.

Balla: Z.Dëshmitar, a ka ndikuar Ismailaj, në nxjerrjen e VKM për rishpërndarjen e fondeve brenda buxhetit 2011?

Berisha: Shpifësi s’meriton asgjë.
 
Balla:
A e njihni Rebeka Gaskin, Drejtoreshën e DIA?

Berisha: Shpifësi është shpifës dhe mender shpifës.

Balla: A jeni takuar në zyrën tuaj me Rebeka Gaskin?

Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm mender shpifës.

Balla: Një dëshmitar tjetër në këtë Komision, Romeo Karaj, ka deklaruar se Nuel Kalaj ka përfituar një ryshfet 2.6 milion euro nga përfshirja në privatizimin e OSSH-së. A keni dijeni për këto çështje?

Berisha: Shpifësi është shpifës dhe vetëm mender shpifës.

Ulsi Manja: Z.Berisha, a i qëndroni akuzave të kreut të ERE-s se keni ndërhyrë për uljen e çmimit të energjisë?
 
Berisha:
Bujar Nepravishta ka dhënë dorëheqje. Ministria e Energjetikës ka hedhur në gjykatë vendimin e Nepravishtës. Po të mos kishit pasur shpifësin në krye, ju do të kishit marrë shumë gjëra sot. Ministria paditi vendimin e ERE-s për shitje. Gjykata me vendim të formës së prerë i dha të drejtë ERE-s. 
 
Punimet e komisionit hetimor ( pjesa e 1 )


Punimet e komisionit hetimor ( pjesa e 2 )


Punimet e komisionit hetimor ( pjesa e 3 )


Kryetari i komisionit hetimor per ÇEZ Balla
  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai