VLORE -  Nën masa të rrepta sigurie, gjykata e Vlorës ka caktuar “arrest me burg” 23 -vjeçarin Mario Ribaj dhe bashkëpunëtorin e tij në krim Endri Pagon.

Marjo Ribaj ka deklaruar se kishte qëlluar për ta trembur shokun e tij, pasi ai e kishte kërcënuar me armë, dhe nuk kishte qëllim ta vriste.

Sherri mes dy shokëve ka nisur fillimisht nëpërmjet një bisede telefonike, për shkak të një makine tip “Opel Fronetera”, që autori i vrasjes Mario Ribaj i kishte shitur viktimës Fabjon Veizaj për 1.2 milionë lekë.

Fabjoni nuk i ka paguar paratë, duke i thënë se do i`a jepte në fund të muajit shtator të këtij viti.

Ribaj i ka telefonuar atij, duke i kërkuar shlyerjen e detyrimit për blerjen e makinës, por ai i është përgjigjur ashpër, duke i thënë se lekët i kishte por nuk donte t’ia jepte, përgjigje pas të cilës Marjo i ka thënë se do shkonte t’i merrte makinën.

Të nesërmen, Marjo Ribaj bashkë me shokun e tij Endri Pango është drejtuar për në fshatin Vranisht, i armatosur me një automatik tip kallashnikov.

Kur kanë mbërritur tek shtëpia e Fabjon Veizaj në Vranisht, ata kanë biseduar fillimisht me vëllanë e viktimës. Më pas ka mbërritur Fabjoni dhe mes tyre ka patur një debat të ashpër.

Autori i vrasjes ka deklaruar se viktima ka hyrë në banesë dhe ka marrë një armë.

“Fatjoni na ka sharë dhe ka qëlluar me automatik dy herë në tokë”, ka deklaruar Marjo Ribaj.

Sipas tij, ai tentuar të largohet me makinë, por i ka dalë sërish përpara Fatjoni me automatikun drejtuar nga xhami i përparmë i makinës.

Në këtë moment Ribaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar nga makina në drejtim të dy vëllezërve, duke lënë të vdekur në vend Fabjon Veizajn.

DOSJA E PROKURORISE:
Në datë 11.11.2016. policia gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Marjo Ribaj dhe Endri Pango, të datëlindjes 1994 dhe 1988, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e lëndëve narkotike”.

Nga veprimet e para hetimore  rezultoi se:
Më datë 11.11.2016., rreth orës 11.30 në Sallën e Drejtim-Komandimit pranë D.V.Policisë Vlorë, është njoftuar se në fshatin Vranisht  të rrethit të Vlorës, shtetasi Marjo Ribaj ka vrarë me armë zjarri shtetasi Fabion Veizaj, banor i fshatit, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të marra.

Shtetasit Marjo Ribaj, i vtl.1994, dhe Fabion Veizaj, i vtl.1994, kanë patur njohje me njëri-tjetrin, si bashkëfshatarë. Në muajin Shtator 2016, shtetasi Mario Ribaj i ka shitur një automjet të markës Opel Frontera, ngjyra vishnjë, model i vjetër shtetasit Fabjon, por nga ana e këtij të fundit nuk është bërë shlyerja e detyrimit financiar.

Më datë 10.11.2016. në mbrëmje, Mario i ka telefonuar Fabionit, duke i kërkuar shlyerjen e detyrimit për blerjen e makinës, por ai i është përgjigjur ashpër, duke i thënë se lekët i kishte por nuk donte t`ia jepte, përgjigje pas të cilës Marjo i ka thënë se do shkonte t`i merrte makinën.

Të nesërmen më datë 11.11.2016. rreth orës 09.00, Mario, së bashku me shtetasin Endri Pango, shok i tij, janë nisur me makinën e markës Fiat Punto, me ngjyrë të bardhë me targa italiane në pronësi të shtetasit Marjo Ribaj, në drejtim të fshatit Vranisht. Në pjesën e pasme të sediljes së makinës, shtetasi Mario Ribaj, mbante një armë zjarri automatike.

Kur kanë mbërritur tek banesa e shtetasit Fabion Veizaj, fillimisht kanë gjetur e komunikuar me të vëllain e Fabjonit, shtetasin Klaus Veizaj, e më pas aty ka mbërritur Fabjoni. Pas një debati të zhvilluar mes shtetësve Fabjon Veizaj dhe Marjo Ribaj, ky i fundit është larguar për në drejtim të automjetit me të cilin ka ardhur, ka hipur në makinë së bashku me Endrin, e ka ndezur atë dhe janë nisur, por janë penguar nga Fabioni i cili u ka dalë përpara makinës duke mos dashur që ata të iknin.

Në këtë kohë, shtetasi Mario Ribaj, ka marrë armën e zjarrit automatike që mbante në automjet dhe duke drejtuar automjetin me dorën e djathtë, ka nxjerrë automatikun dhe ka qëlluar disa herë nga automjeti i tij, në drejtim të shtetësve Fabjon Veizaj dhe Klaus Veizaj, të cilët janë ndodhur vetëm disa metra më larg, duke shkaktuar si pasojë vrasjen e shtetasit Fabjon Veiziaj. Më pas ata janë larguar, në drejtim të një pylli të vogël ku kanë fshehur dhe armën e krimit në një shkurre.

Gjatë veprimeve të shërbimeve policore, është bërë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të shtetësve. Janë gjetur gjithashtu dhe sekuestruar arma e krimit, automatik model 56, e kalibrit 7.62 mm, si dhe 72 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm, automjet i markës Fiat Punto, me targa AL 082 VS, i përdorur nga autorët.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Marjo Ribaj në fshatin Vranisht është sekuestruar 90 gram lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva për të cilën shtetasi pretendoi se e kishte për përdorim vetjak.

I pyetur në lidhje me ngjarjen, shtetasi Marjo Ribaj, shpjegoi se në datë 08.09.2016. i ka shitur një automjet të markës Opel Frontera, model i vjetër,pa targa, me ngjyrë vishnjë, shtetasit Fabion Veizaj, nga fshati Vranisht i Vlorës për shumën e një milion e dyqind mijë lekëve.

Fabioni nuk i ka paguar paratë ,duke i thënë se do i`a jepte në fund të muajit Shtator të këtij viti. Gjatë kësaj kohe shtetasi Marjo i ka kërkuar disa herë paratë, por Fabjoni i kishte thënë se ishte pak ngushtë nga ana ekonomike, por do t`i gjente dhe do t`ia jepte. Shtetasi Marjo e ka telefonuar përsëri në datë 10.11.2016 dhe i ka kërkuar paratë e shitjes së makinës, por Fabjoni i ka thënë i inatosur se lekët i kishte, dhe nuk donte t`ia jepte.

Pasi ka marrë këtë përgjigje Marjo i ka thënë se do vinte të merrte makinën. Të nesërmen së bashku me shtetasin Endri Pango, shok i tij, kanë vendosur të shkojnë në Vranisht dhe janë nisur nga Vlora rreth orës 09.30 me automjetin e markës Fiat Punto, në pronësi të Marjos.

Në makinë në pjesën e pasme, nuk ka sedilje dhe brenda një thesi me ngjyrë të bardhë, Marjo kishte një armë zjarri automatike dhe 2 krehëra me fishekë. Pasi kanë mbërritur në Vranisht rreth orës 11.00 kanë shkuar tek shtëpia e Fabjonit ku ka vënë re qe makina që i kishte shitur Fabionit, ishte i parkuar përpara shtëpisë së tij.

Në oborrin e banesës ndodhej vëllai i Fabionit, shtetasi Klaus Veizaj, të cilit i ka kërkuar se ku ndodhej Fabioni. Ai e ka marrë në telefon dhe pas rreth 10 minutash ka ardhur Fabjoni. Sipas të dyshuarit, Fabjoni nuk u ka folur fare, por është futur direkt në banesën e tij, dhe pas pak ka dalë nga dera kryesore e banesës me një armë zjarri automatike në dorë të drejtuar prej Marjo dhe Endrit, dhe pasi i ka sharë ka gjuajtur 2 herë në tokë në drejtim të tyre.

Në këtë kohë Klausi dhe Endri i kanë thënë që të hiqte armën.  Marjo dhe Endri janë futur tek automjeti i tyre për të ikur, kanë ndezur makinën, por Fabjoni u ka dalë para makinës me automatikun drejtuar nga xhami i përparmë i saj dhe ka goditur kofanon e makinës me tytën e automatikut disa herë.
Marjo ka nisur makinën , ka ikur rreth 10-15 m, ka dëgjuar të shtëna arme zjarri që vinin në drejtimin e makinës, dhe në ecje e sipër shpjegon të ketë nxjerrë nga thesi armën automatike që kishte me vete dhe me dorën e djathtë ka qëlluar 4- 5 herë, por pa menduar drejtimin se ku po qëllonte.

Pasi është larguar e ka parkuar makinën disa metra larg banesës së tij, dhe pasi ka fshehur armën është larguar së bashku me shtetasin Endri Pango. Në lidhje me bimën narkotike, të gjetur në banesën e tij ai shpjegoi se është e tij dhe e ka për përdorim personal.
Të njëjtat rrethana të faktit rezultojnë edhe nga deklarimet e shtetasit Endrit Pango.
 
(er.nu/shqiptarja.com)