'Himara', Rama tre pyetje
Bashës, kreu i PD s'përgjigjet 

Himara dhe marrëveshja e detit me Greqinë, kanë nxitur debate mes kryeministri Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha në seancën e Kuvendit të kësaj të enjte, debat ku u përfshinë edhe ish-kryeministri Sali Berisha e kryetari i PDBNJ, Vangjel Dule. Rama ka kërkuar shpjegime nga Basha se pse një ditë më parë përfaqësuesit e PD ishin në Himarë dhe iu bashkuan protestës kundër shembjes së ndërtesave. Kreu i qeverisë i kërkoi nga foltorja e Kuvendit llogari direkte shefit të opozitës.  

Rama vërejti se deputetët e PD mbërritën në Himarë pas letrës së kreut të opozitës greke drejtuar BE, i cili shkruante se po cenoheshin interesat e minoritetit grek.  

"Lulzim, eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve çfarë donte PD dje në Himarë? Pse e bashkoi PD zërin me ata që nxjerrin bishta pa asnjë bazë, lidhur me një projekt të Rilindjes Urbane në Himarë. Eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve tani, se çfarë është Himara për ty dhe çfarë shkeljesh ka bërë qeveria në përpjekje për ta kthyer nga një Bathore me det në një gji turistik mesdhetar. 

Si ka mundësi që PD u shfaq në Himarë të nesërmen e një letre të kryetarit të opozitës greke drejtuar BE për gjoja shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Himarë. Pse PD është kthyer në një altoparlant propagande të shfrenuar kundër përpjekjes shqiptare në bashkëpunim me BE për hapjen e negociatave
", tha Rama.  

Por pyetjeve të kryeministrit Rama, kreu i opozitës Basha iu përgjigj me akuza për trafikun e drogës dhe jo për prezencën e Flamur Nokës dje në Himarë. "Ti je më i madhi i madhi i kastravecëve...droga është eksporti jot, i ke vënë kazmën vendit", tha Basha duke shmangur përgjigjet për pyetjet e Ramës. 

Marrëveshja e detit e firmosur nga Basha kur ishte ministër i Jashtëm, për kryeministrin Edi Rama është cenim i integritetit territorial të vendit. "Lulëzim, keni shitur një pjesë të territorit me firmën tuaj. Keni shkelur interesin kombëtar, kushtetutën e vendit dhe firmosët një marrëveshje që cenon integritetin territorial të këtij vendi. Prandaj sot kemi një dialog të vështirë me fqinjët", tha Rama. 

Zhvillimet nga Kuvendi minutë pas minute

Ora 15:45 Balla zbulon pse Berisha sulmon ish-Kryeministrin rumun Ponta
Kryetari i Grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla në seancën e sotme parlamentare ka replikuar me deputetin e PD-së, Sali Berisha në lidhje akuzat e këtij të fundit ndaj ish-kryeministrit të Rumanisë, Viktor Ponta.

Në fjalën e tij, Balla theksoi se për fat të keq një ish-kryeministër apo një ish- ministër i Jashtëm përdorin emrat e autoriteteve të vendeve të tjera për hesape të baltës së tyre brenda Shqipërisë.

Ora 13:25 Manja-Bashës:Nëse të dukemi grup kriminal, mos rri këtu
Në një ndërhyrje të shkurtër vendi pas debateve të forta mes Ramës e Bashës, deputeti socialist, Ulsi Manja, i ka kërkuar kreut të PD dhe grupit të tij të lënë sallën, nëse mazhoranca iu duket kriminal. “Nëse Bashës i dukemi grup kriminal, mos të rrijë me ne në këtë sallë, të mos vazhdojë të fyejë”, tha Manja.

Ora 13:20 Basha-Ramës: S'je linguist, por kapo i kupolës
"Ky nuk është linguist, por është kapo i kupolës. Ky është gati t’i vendosë zjarrin të gjithë Shqipërisë jo vetëm Shkozës dhe Himarës. Ja raporti i institutit të BE për sigurinë dhe raporti i qendrës së monitorimit për drogën, për vite me radhë pjesa më e madhe e kanabisit që hynte në BE, kishte një prejardhje nga Maroku. Vitet e fundit raportohet një ndryshim për trafikimin e marijuanës përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë, për shkak të rritjes së kultivimit të kanabisit në këtë vend"

Ora 13:15 Rama: Mësuesit e mi, Noli e Konica, të Bashës, Saliu e Monika
Kryeministri Edi Rama sqaroi sërish nga foltorja e Kuvendit se marrëveshja e detit me Greqinë mbrohet me fanatizëm nga demokratët, ndërsa iu përgjigj edhe njëherë tjetër sulmeve të Berishës për përshëndetjen në greqisht të kongresit të PASOK. 

Rama tha se mësuesit e tij të gjuhës janë Fan Noli e Faik Konica, ndërsa ironizoi Bashën duke i kujtuar se mësuesit e tij janë Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi.

"Do doja shumë ta flisja gjuhën greke, por nuk e flas dot, dhe kjo është një mangësi e imja. Dëgjojeni zotin Vangjel që vjen këtu dhe në vend se ta mbrojë ai gjuhën e tij, gjuhën e nënë së tij dhe t’i thotë qirje Saliut se nuk është një akt i fajshëm të përpiqesh të përshëndesësh një kongres partie në atë gjuhem, kudo qoftë. Nuk ka pse të përdoret gjuha greke, ja shikoni këtë patriotin. S’jam në garë me kënd se kush është më shumë patriot. Secili ka llogaritë e veta me njerëzit, me vendin. Por ju, PD-ja të vini këtu dhe të deklaroni të njëjtën gjë që deklaron një pjesë e politikës atje se marrëveshja e bërë, e shpallur antikushtetuese 9:0 nga Gjykata Kushtetuese na qenka korrupsion dhe se ju i qëndroni asaj marrëveshje, zotin e shqiptarët paçi në qafë. Është shumë e qartë, sikundër ka dhe një gjë tjetër, Lulëzim, më përmende në mënyrë të vazhdueshme gjuhën time, s’e di sa e kontrollon tënde, por në tënden ka shumë arsye për t’u ndjerë i fyer. Dhe ndryshim mes meje dhe teje, është ë se unë mësues për gjuhën time është Fan Noli e Faik Konica, kurse ti ke Saliun dhe Monikën", tha Rama. 

Ora 13:10 Fjalori në Kuvend, Salianji kërkon të merren masa ndaj Ramës
Deputeti i PD, Ervin Salianji i kërkoi drejtuesit të seancës të merrte masa ndaj kryeministrit Edi Rama për shkak të fjalorit. "Zoti kryetar, Kryeministri mbajti në gojë për shtatë minuta fjalën greke 'palikari' dhe ju nuk ia hoqët fjalën. Të merren masa. Respektoni rregulloren njësoj për të gjithë se ky fjalor është i papranueshëm".  

Ora 12:40 Rama replika me Dulen: Zoti Vangjeli, qirje Saliu, po përdor minoritetin...
Replika të forta në sallën e Kuvendit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Dule: Një miku im gazetar i spikatur më kishte thënë për ty, ai është njeri i zymtë dhe mbajeni mend se do të mbjellë zymtësi, politike, institucionale, por ky njeri nuk ishte vetëm i zymtë, ky solli kanabizimin, krimin, e bëri një qeverisjen dhe kriminalizimin, dhe kanabizimin dhe ju kryetar dëshiroj t'u bëjë propozim kur në një foltore parlamenti përdoret gjuha e urrejtjes ndërpritet fjala

Gramoz Ruçi: Abuzove me procedurën zoti Dule. 

Edi Rama: Zoti Vangjeli, qirje Saliu, nuk di ku zotrore Vangjeli i dëgjove fjalët raciste, gjuhën e urrejtjes, unë fola për një çështje që është e këtij vendi dhe lidhet me aspiratat tona sot, as shava kënd, si bëtë të dy ju këtu. Mbase si minoritar të takonte të pyesje qirje Saliun se ç’kishte më të folurën greqisht timen dhe jo mua, ti tregoje qirje Saliut se gjuha jote është e madhe dhe fat kush e di, dhe jo ta përdorë si qirje Saliu, ti minoritetin e përdor si biznes. Sa per zymtesine time, tjetër hesapi, ja shiko Saliun dhe ndriçohu, por vetëm ver krem se mos nxihesh.

Ora 12:30 ‘Himara”,Berisha-Ramës:Pse e përmbyse studimin britanik? 
Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit Rama në lidhje me ndërtimet që po prishen nga IKMT në Himarë. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se ajo që po ndodh në Himarë është një agresion mafioz i turpshëm. Ai përmendi një studim britanik, që sipas tij, u përdor gjatë qeverisjes së tij, dhe që përcaktonte se ku nuk duhet të ndërtohet. Më tej, Berisha shtoi se Rama e përmbysi këtë studim dhe bëri një studim tjetër, që sipas ish-kryeministrit, tregon ku do ndërtojë Olsi, Klevi e me radhë.

“Ajo që shihni në Himarë është një agresion mafioz i turpshëm ndaj qytetarëve krenarë që mbeten bastioni i shqiptarizimit. Duhet të dini se ka pasur një studim të njërës prej kompanive britanike më serioze në botë, master plan për Himarën dhe gjithë bregun, sipas të cilit, studimi përcaktonte se ku nuk mund të ndërtohej, se ku gjeologjia nuk lejon ndërtimin dhe ky studim përmbysi një studim të mëparshëm të po qeverisë suaj, që përcaktonte ku klientela do nderonte. Ky zotëria përmbysi studimin britanik. Pse nuk pati asnjë sherr 8-vjeçar për problemet urbanistike? Sepse ligji ishte i qartë. Ky bëri studimin tjetër, sipas të cilit aty do ndërtojë Olsi, këtu Klevi, aty tjetri e me radhë, duke iu vënë hurin qytetarëve të Himarës”, tha Berisha.

Ora 12:20 Rama-Berishës: Po konfirmon se doje t'ja shisje kufirin ujor Greqisë
Kryeministri Edi Rama iu drejtua pararadhësit të tij Sali Berisha gjatë debatit në Kuvend se po mbron marrëveshjen e shitjes së detit Greqisë. Rama sqaroi se Gjykata Kushtetuese vendosi 9:0 në interes të integritetit territorial të vendit. "Sapo bëri një autodeklarim që i qëndron Marrëveshjes së Detit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi 9 me 0 Marrëveshjen e Detit, duke mbrojtur interesin kombëtar. Ti atë marrëveshje e ke dashur, e ke bërë përmes dorës tënde në Ministrinë e Jashtme që sot e ke kryetar partie të komanduar. Ti i qëndron asaj marrëveshje dhe vazhdove të bësh të njëjtën gjë që bëri PD në Himarë, duke u shqyer ato zëra dhe ato forca përtej kufirit që propagandojnë këtë teori të shpifur, të ulët. Nuk ka asnjë palë të tretë, Sali, por çdo palë e tretë nuk është Shqipëria, nuk është interesi i Shqipërisë dhe kur vjen puna për Shqipërinë mos u bëj më grek se grekët dhe më turk se turqit".  

Ora 12: 15 Berisha-Ramës: Për detin bëre gjithçka me para dhe korrupsion
Berisha tha se janë përdorur para e korrupsion për rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur mes dy vendeve në vitin 2009, e cila sipas vendimit të kushtetueses integritetin territorial të Shqipërisë. "Përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion”, tha Berisha duke akuzuar kryeministrin Edi Rama. 

Ora 12:15 Berisha nxjerr audion/Rama fjalim në Greqisht për Papandreun
Morisë së pyetjeve të Kryeministrit Edi Rama për Himarën drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha, iu përgjigj ish-kryeministri Sali Berisha. 

Nga foltorja e Kuvendit Berisha tha se në Himarë Rama po mbulon mafien me mafie, ndërsa sa i takon marrëdhënieve me Greqinë, Berisha publikoi një audio të kryeministrit Edi Rama i cili flet në Greqisht. 

“Dua t’i them Noriegës se në Himarë po mbulon mafien me mafie. Sa i takon problemit me Greqinë. Rama duke mbajtur fjalim në greqisht për Papandreun, antishqiptarin më të madh të rajonit dhe europës. Përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion”, tha Berisha. 

Rama iu përgjigj Berishës se nuk di Greqisht, por ka folur në greqisht në kongresin e PASOK. “Gjuhët unë nuk i kam ndërtim pa leje, por greqisht nuk di. Kam përshëndetur kongresin e PASOK-ut”

Ora 12:10 Rama-Bashës: Firmosët shitjen e një pjese të territorit, keni shkelur interesin kombëtar
"Lulëzim, keni shitur një pjesë të territorit me firmën tuaj. Keni shkelur interesin kombëtar, kushtetutën e vendit dhe firmosët një marrëveshje që cenon integritetin territorial të këtij vendi. Prandaj sot kemi një dialog të vështirë me fqinjët. Kurrë nuk do iu them ju antishqiptar, antikombëtar, Saliut, që ka bërë shumë dëme, as ty që ke bërë më pak se s’ke pasur mundësi të bësh më shumë. Por mund të gjykohen si të papërgjegjshëm, papërgjegjshmëri që ju e keni treguar vijimësisht dhe sado ta këndoni këtë hitin e fundit që keni caktuar për ta përsëritur në gramafonin e PD, njerëzit atje jashtë shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë". 

Ora 12:05 Basha-Ramës: 1.3.mld euro nxorët nga droga
"1.3 miliardë euro ka nxjerrë me drogën ky që bilbiloz këtu. Mendja s’e kupton dot, nuk e përkthen dot. Ditën kur t’u kapën mushkonjat e para tregove se e kishe vënë gjithë territorin në funksion të bandave. Ti duhet të ishe shkarkuar dhe vënë para drejtësisë. Por, beteja nuk ka marrë fund dhe ti nuk mund ta fitosh kurrë. Je kryetrafikan dhe i kapur në bashkëpunim me bandat. Mbrojtje ish-ministrin e Brendshëm nga akuzat që nuk i kishim bërë ne, por antimafia italiane. Miqtë e tu tregojnë me gisht furgonat e policisë dhe thonë ‘këta janë tanët’. Ti e ke për borxh të vish këtu dhe të zhvishesh lakuriq për të hequr vëmendjen. Ti ke mbaruar si kryeministër, ti e di që de facto qeveria jote ka mbaruar punë si kryeministër. Nëse do ta pranosh rrëzimin e qeverisë tënde institucionalisht apo me popullin, kjo të takon ty", tha Basha. 

Ora 12:00 Basha-Ramës: Je më i madhi i kastravecëve
"Ti je më i madhi i madhi i kastravecëve...droga është eksporti jot, i ke vënë kazmën vendit. Ti nuk duhet të ishe aty në një sistem demokratik. I gjithë investimi yt është që ky sistem të mbetet në dorë të kriminelëve. Do përgjigjesh, as batutat, as megafonët nuk do të bëjnë më punë, do japësh llogari herët ose vonë, unë besoj herët më shumë se vonë", iu përgjigj Basha, Ramës. 


Ora 11:50 Rama: Një lloj kastraveci rritet vetëm në llumin e politikës
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me kreun e PD, Lulzim Basha, në Kuvend, teksa ky i fundit e akuzoi për drogën dhe krimin në vend, duke thënë se nuk duhet bërë interpelancë për karotat e Divjakës.

Rama i është përgjigjur me ironi, duke i thënë që në Shqipëri ka prodhim dhe këtë e tregojnë shifrat, por ka dhe një lloj kastraveci, që kultivohet vetëm në llumin e politikës.

“Të dëgjova të thuash që në Shqipëri nuk ka karota, patate, gjë që e tregojnë shifrat e eksportit, por në Shqipëri ka një lloj kastraveci që kultivohet në llumin e politikës”, tha Rama. 

VODEO/ Replikë Rama-Bashës: Përgjigju, ç'donte PD në Himarë? 

"Lulzim, eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve cfarë donte PD dje në Himarë? Pse e bashkkoi PD zërin me ata që nxjerrin bishta pa asnjë bazë, lidhur me një priojekt të rilindjes urbane në himarë. Eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve tani, se çfarë është Himara për ty dhe çfarë shkeljesh ka bërë qeveria në përpjekje për ta kthyer nga një Bathore me det në një gji turistik mesdhetar. 

Si ka mundësi që PD u shfaq në Himarë të nesërmen e një letre të kryetarit të opozitës greke drejtuar BE për gjoja shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Himarë. Pse PD është kthyer në një altoparlant propagande të shfrenuar kundër përpjekjes shqiptare në bashkëpunim me BE për hapjen e negociatave"
, tha Rama.   

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin