'In memoriam' për shkrimtarin
Martin Camaj në datëlindjen e 90

'In memoriam' për shkrimtarin<br />Martin Camaj në datëlindjen e 90
Martin  Camaj u lind  në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925, në vendin e quajtur Telumë-Kllogjena. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i pari ndër shtatë fëmijët. Vendlindja e tij është "… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm asht  ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje do të kalojë dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t'i binte në sy ish-pagëzuesit  David Pepës , duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen ,pse jo për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit "Xaverianum"…
Emri  tij  mbeti gjatë gjithë rinisë sime enigmë dhe i panjohur…

Në moshën e fëmijërisë sime, kur akoma s'isha ulur në bangën e klasës së parë, nëna ime, bijë nga fisi i Dukagjinit, pothuaj çdo vit më merrte me vete për festën tradicionale të Shën Premtes, që festohej madhërishëm për atë kohë, e që binte nga mesi i muajit korrik. Aty vinin bija, nipër, mbesa, të njohur e të panjohur të shumtë nga fise të Malësisë. Gjatë rrugës, që mua më dukej e pafund, lodhesha së tepërmi. Uleshim e pushonim shpesh nën hijen e mrizave anë rruge, nëpër bjeshkët e Agrit dhe të Ndërmanjës, freskoheshim me ujin e ftohtë akull të gurrave, hanim bukë, e ajo gjithë ëmbëlsi si nënë, thoshte me zë të ulët pasi kishte këqyrur me sy rrotull: "Kur të rritesh edhe ti djali i nanës, do bajsh shkollë e do udhtojsh me aroplana nëpër botë si Martin Kola..." Pushonte pak, nxirrte një "oh" të trishtuar me gjysmë zëri, e vazhdonte:

"Paj, kshtu më kanë thanë dajt e mi." Si çdo fëmijë kureshtar, e ngacmoja nënën të më tregonte se kush ishte Martini, se më vinin shumë pyetje prej fëmije në mendje. Unë akoma nuk dija se ç'ishte aeroplani. "E mson nano, e mson kur të rritesh e të bajsh shkollë", mbyllte bisedën disi e mërzitur ajo. Shpeshherë, edhe gjatë viteve të shkollës, ma përmendte Martin Kolën ajo, vendet e "tretuna", "aeroplanat që endnin nepër qiell njerëzit"... Nëna ime e ndjerë kurrë s'më tregoj për Martinin. Vite më vonë, një mbrëmje meskorriku, në oborrin e kullës sonë trekatëshe, teksa po lexoja një reportazh të botuar në gazetën "Zëri i rinisë" për krahinën time Nikaj Mërtur, m'u afrua ngadalë, më puthi dorën, e hodhi një vështrim gazetës me sy, (e dinte se kisha shkruar), priti derisa e mbarova së lexuari, ngriti kokën lart, afroi dy duart njëra me tjetrën poshtë mjekrës, e u lut: "Zoti dhe Shna Nou të ruejt, bir! E kam ditë se edhe djali i em do bahet me shkollë dhe ka me kënë i ditun, bash njashtu si Martin Kola, por mosozo ku asht ai. Njetash biro po të kallxoj se Martin Kola asht kushri i dajve të mi i hupun nepër botë prej shumë vjetve, ka kenë mësues do kohë në Prekal, e ka nejë edhe te motra eme, Prena. Masandej "duel jashtë" e hupi. Atje maroi shkolla të tjera e u ba i ditun. Tash endet nepër botë e mson shqipen studentave të huej..."

Por njeriun e letrave shqipe Martin Camaj, e njoha vonë, pas viteve '90-të. Njoha jetën dhe veprën e tij të çmueshme në shërbim të kombit të cilit iu mohua nga sistemi për dekada. Martin Camaj vërtetë ishte ashtu siç ma shpjegonte nëna ime në fëmijëri. Ajo ishte pjesë e gjakut të tij dhe ndjente dhimbje për të, tashmë i "hupun në dhena të hueja", i "hupun" për të afërmit e tij, për Shqipërinë, për letërsinë shqipe, nga pena e të cilit dolën vepra të shquara, ndonëse jetonte "larg atyne që flasin si unë". E vërtetë, Martin (Kolë) Camaj mbetet nga më të shquarit e letrave shqipe.

martin camaj


martin camaj
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës