Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dëshmiar në prokurorinë e Tiranës, në lidhje me hetimin për ndërtimin e këndit të Lojrave të fëmijëve pranë liqenit artificial në kryeqytet.
 
Rreth orës 19:00, të mbrëmjes së të premtes, Veliaj, u paraqit në prokurori për të dëshmuar mbi ndërtimin e parkut, bazuar në fletë- thirrjen e dërguar nga organi i akuzës. Në këtë dëshmi Veliaj shoqërohej nga zëvendësi i tij Arbion Mazniku, i cili nuk ka dëshmuar por ka qëndruar në cilësinë e shoqëruesit.
 
Burimet të organi të akuzës thanë se Veliaj është pyetur për bazën ligjor mbi të cilën është nisur ndërtimi i parkut dhe projekti përkatës, sa i përket ndikimit në mjedis. Veliaj është përgjigjur se për këtë qëllim kishin kërkuar një vlerësim konkret nga Ministria e Mjedisit.
 
Pas kësaj kërkese, Veliaj ka pohuar se kishin marrë një përgjigje konkrete nga Ministria përkatëse, e cila konfirmonte se ndërtimi i parkut nuk kishte ndikim negativ në mjedis. Një qëndrim të tillë se ndërtimi i parkut nuk kishte ndikim negativ në mjedis është mbajtur edhe publikisht nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
 
Kryebashkiaku, Veliaj reagoi në twiter, duke pohuar se kishte sqaruar prokurorinë se tashmë në këndin e lojrave nuk kishte as kafe as pallate. 

“Sqarova kolegët e prokurorisë për atë që panë të gjithë, këndi i lodrave s'ka kafe e pallate. Te gjithe te qarte”

Ndërkaq prokuroria mësohet se ka kërkuar po ashtu edhe nga Ministria e Mjedisit, dokumentacionin përkatës. Veç Veliajt, prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe persona të tjerë të cilët janë pjesë e ekipit që projektuan ndërtimin e parkut të lojrave. Hetimet në lidhje me ndërtimin e parkut kanë nisur pas denoncimit të shoqërisë civile që kundërshtonte ndërtimin e këndit të lojërave në zonën e liqenit artificial në Tiranë.