'Lufta' e tifozëve, Vllaznia: Dhuna
për shkak të tifozëve të Tiranës

'Lufta' e tifozëve, Vllaznia: Dhuna<br />për shkak të tifozëve të Tiranës
SHKODER - Një ditë pas përleshjeve të dhunshme në Shkodër mes tifozerivee të Vllaznisë dhe Tiranës në takimin e zhvilluar mes këtyre dy ekipeve ditën e djeshme ka reaguar sërish sot ekipi shkodran. Përmes një komunikate për shtyp, klubi i Vllaznisë ka hedhur poshtë akuzat e bëra për mos marrjen e masave të organizimit si duhet të ndeshjes.
 
Sipas ekipit shkodran të futbollit ndeshja ishte organizuar brenda rregullave të kërkuara, ndërsa akuzon tifozët e Tiranës si përgjegjës për ngjarjen. Vllaznia nënvizon se janë ultrasit e kryeqytetit ata që shpesh herë janë bërë problem nëpër stadiumet shqiptare.
 
Gjithashtu në deklaratën për shtyp thuhet se edhe akuzat e Presidentit të Tiranës Refik Halili janë të pavërteta dhe se vetë presidenti është goditur nga ultrasit kryeqytetas.

MË POSHTË KOMUNIKATA E PLOTË PËR SHTYP E EKIPIT TË VLLAZNISË
 
Kryesia e Klubit të Futbollit Vllaznia është mbledhur mbrëmë në orët e vona të natës urgjentisht për të analizuar gjithçka ka ndodhur në ndeshjen Vllaznia- Tirana të luajtur pasditen e së enjtes në stadiumin “Loro Boriçi” dhe për të diskutuar edhe në lidhje me deklaratën e Klubit te Futbollit Tirana që fajëson klubin tonë për organizimin jo të mirë të ndeshjes, e ndjejmë për detyrë të sqarojmë sërish shumë gjëra që kanë të bëjnë me masat e marra prej nesh.

Sqarojmë se bashkëpunimi me KF Tirana gjatë gjithë javës së ndeshjes ka qenë i ngushtë për të mos pasur asnjë problem në mes tifozëve.

Rrespekti që Klubi Vllaznia ju ka bërë tifozëve të Tiranës ishte edhe mos rritja e çmimit të biletave për ta, ashtu siç ka bërë Klubi Tirana me tifozët tanë pak muaj më parë. Përpos kësaj,për të shmangur çdo lloj rrëmuje apo trazire, biletat u janë dërguar atyre në hyrje të Shkodrës.

Nga takimi i zhvilluar para ndeshjes me gjyqtarët, delegatin dhe vëzhguesin e ndeshjes si dhe me përfaqësuesit e policisë, nga ana e Klubit të Tiranës na është thënë se do vijnë 4 autobuzë me tifozë të kësaj skuadre por në fakt kanë ardhur 7 autobuzë, duke krijuar një rrëmujë të paparashikuar edhe nga ana e policisë. 

Nëse klubi Vllaznia nuk do të kishte marra masat e duhura, përfaqësuesit e Federatës normalisht që nuk do lejonin fillimin e ndeshjes. Ata kanë vëzhguar me kujdes sistemin e tifozëve të Tiranës, ndarjen me kordonë policie të tyre, vendosjen e fëmijëve të Akademisë në mes tifozerive dhe kanë dhënë Ok për zhvillimin e ndeshjes.

KF Vllaznia për organizimet e ndeshjeve të kampionatit shqiptar të futbollit,ka qenë dhe është model për të gjithë ndërsa e kundërta ka ndodhur me grupimin e tifozëve ultras të Tiranës që është problem në çdo stadium të Shqipërisë.

Ne dënojmë thirrjet e bëra nga stafi drejtues në pankinën e Tiranës për të braktisur fushën futbollistëve të vet.

Ne kemi pritur që minimumi Klubi i Tiranës të kërkonte një falje publike që mund t’i bënte qytetarisë shkodrane për sjelljen e padenjë të tifozëve të tyre dhe jo t’i dalin në krah një grupi vagabondash që prishin imazhin e qytetarisë dhe kulturës që përfaqëson skuadra e Tiranës.

Ne mendojmë se thëniet që kemi lexuar në media në emër të zotit Refik Halili,të marrin përgjigjen e duhur nga zoti Halili që plagosja e tij është shkaktuar nga ana e tifozërisë tiranase sepse ne disponojmë pamjet filmike se nga është goditur.

Kjo deklaratë e klubit të Tiranës është tërësisht e trilluar dhe e nxituar dhe nuk shërben që respekti dhe miqësia që këto dy klube kanë pasur ndër vite,të vazhdojë e tillë dhe nuk i shërben uljes së tensioneve dhe vazhdimit të miqësisë mes klubeve.

Ne ju bëjnë thirrje të gjitha mediave që të përfaqësojnë në mënyrë reale çdo gjë që ka ndodhur në stadiumin e Shkodrës. Po ashtu, do t’i kërkojmë klubit të Tiranës që të paguajnë çdo dëmtim që i është shkaktuar stadiumit të Shkodrës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Tatimi për profesionet e lira, Tabaku: Goditet shtresa e mesme, taksë që cenon Kushtetutën

Tatimi për profesionet e lira, Tabaku: Goditet shtresa e mesme, taksë që cenon Kushtetutën