Janë pikërisht detaje të cilat dalin nga përgjimet e të dënuarit për vrasje në '97, Gentjan Doda dhe të afërmve të tij, të cilët në biseda telefonike dhe SMS-të e shkëmbyera flasin për shumat që nevojiten për lirimin e tij nga burgu. Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda për aferën korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, ka nisur në 26 janar 2017. Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga ana e Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka qenë pikënisja e hetimit nga ana e Prokurorisë.
Përmes telefonit Doda u kërkonte personave jashtë burgut t’i siguronin një shumë prej 30 mijë euro, që dyshohet të jetë përdorur për ryshfet në Apel. Policia arrestoi dy ditë më parë dy sekserët Kujtim Miri, kushëri i gjyqtarit të Apelit dhe Alban Buçi i afërm me të dënuarin Doda. Shuma prej 30 mijë euro është siguruar nga ana e Alban Buçit dhe një familjari të Gentian Dodës. 30 mijë eurot janë siguruar nga dy shuma të veçanta nga 15 mijë euro.
Në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017 në orën 12:00 Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave. “Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14. Sa janë? Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin (Buçi)”.
Pas mbledhjes së parave, prokuroria pretendon se ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, aktualisht i arrestuar, kushëri i gjyqtarit Miri në një lokal në zonën e Fushë-Krujës në 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Pas këtij dorëzimi, Alban Buçi i ka dërguar një SMS Gentian Dodës, duke i shkruar në anglisht: “Çdo gjë në rregull tani, nga mesi i muajit tjetër”. Teksti përfundonte me tre emoji duarsh, që sipas prokurorisë ishte gjuhë e koduar, duke nënkuptuar që tre gjyqtarët jepnin miratimin.
Në komunikim telefonik të datës 25 maj mes Alban Buçit dhe nënës së Gentian Dodës, Buçi i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu. “Rri pa merak. Ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë, sepse kam mbaruar punë unë para nja dy ditësh. Kam qenë i kam takuar unë ato. U kam dhënë ca dokumente. I kam dhënë një thes me dokumente”.
Por prova më e rëndësishme që kanë në dorë hetuesit janë edhe disa tabulate telefonike dhe mesazhe të gjyqtarit Shkëlqim Miri. Ky i fundi ka komunikuar në telefon me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe sekserin Alban Buçi. Madje, sipas Prokurorisë, gjyqtari Shkëlqim Miri ka biseduar me kushëririn e tij para dhe pas dorëzimit të parave në Fushë Krujë. Gjithashtu, ata kanë pasur komunikim edhe një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel në 8 qershor 2017, që liroi nga burgu Gentjan Dodën. Ndërsa në 7 nëntor 2017, Kujtim Miri është thirrur për të dhënë shpjegime në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në po të njëjtën ditë ai është takuar me gjyqtarin, takim i cili është vëzhguar nga agjentë të policisë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com













