'Rozi dhe Kopshti Magjik' premiera e
parë e këtij sezoni te Teatri i Kukullave

'Rozi dhe Kopshti Magjik' premiera e<br />parë e këtij sezoni te Teatri i Kukullave
Teatri Kombëtar i Kukullave dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë shfaqin premierën e parë të këtij sezoni artistik me “ROZI DHE KOPSHTI MAGJIK” pjesa teatralo-muzikore që do të ngjitet në skenë në datat 20 dhe 21 shtator.
 
Kjo është shfaqja e tretë që përgatisim ne si institucion, duke kontribuar konkretisht në ngritjen e Teatrit të Fëmijëve përveç Teatrit të Kukullave”- thotë Monika Lubonja drejtore e Teatrit Kombëtar të Kukullave dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, e cila shton se: “Gjatë vitit të kaluar kemi dhënë shfaqjen “Domatja Kërcimtare” dhe “Qyteti i fëmijëve” ndërsa tani është radha e premierës “ROZI DHE KOPSHTI MAGJIK”. Për të tretën herë vihen përballë fëmijët aktorë me fëmijët në sallë në një komunikim ndryshe. Fëmijët aktrojnë, kërcejnë dhe këndojnë shprehin botën e tyre dhe mbi të gjitha me tekste të shkruara enkas për ta. Është si një sfidë që nuk trembem ta ndjek deri në fund”- shton znj. Lubonja.
 
Shfaqja “ROZI DHE KOPSHTI MAGJIK” nuk është thjesht dhe vetëm një sfidë për teatrin e fëmijëve, por edhe një edukim përmes artit duke nxitur edukimin shëndetësor nëpërmjet ushqimit dhe artit. Nëpërmjet kësaj shfaqjeje të shkruar enkas mbi temën e mirëushqyerjes dhe respektimit të natyrës dhe njohjes së saj, shkrimtarja Rovena Rrozhani ka bërë bashkë argëtimin dhe edukimin.
 
“Institucioni që drejtoj është shtetëror dhe kombëtar dhe si i tillë përveç anës artistike dhe kulturore duhet të jetë prioritet edhe edukimi i fëmijëve me tema të cilat pak janë trajtuar më parë si përshembull edukimi ushqimor apo ushqimi i shëndetshëm që në këtë stil jetese të ditëve të sotme është sfidë edhe për të rriturit” – thotë znj. Lubonja.
 
Shfaqja e pjesës teatrale "ROZI DHE KOPSHTI MAGJIK” synon të përcjellë tek fëmijët mesazhin për ushqimin e shëndetshëm, organik dhe të freskët. Ajo përçon vlerat që përmbajnë frutat dhe të perimet nëpërmjet lojës artistike dhe përfshirjes së personazhit kryesor në aktivitete si mbjellja në kopsht dhe gatimi duke i orientuar fëmijët drejt natyrës dhe ushqimit të shëndetshëm.
 
Për herë të parë në këtë shfaqje janë krijuar 10 këngë për ushqimet të krijuara nga kompozitori i njohur Adrian Hila . Falë këtyre këngëve do të përcillen situata gazmore por edhe informuese mbi vlerat e ushqimeve në një formë të tillë që mbahen mend nga fëmijët.
 
“Jam e bindur që fëmijët do t’i duan këto këngë dhe do t’i këndojnë edhe në  shtëpi. Kështu arti hyn tek fëmijët, ndikon dhe edukon. Nëpërmjet  sidomos teksteve si ky dhe ai “Domatja kërcimtare”, shkruar nga shkrimtarja dhe gazetarja Rovena Rrozhani, mund të bëhen çudi që as nënat dhe gjyshet që i ndjekin fëmijët me lugë në dorë nuk i bëjnë dot. Në dy shfaqje me këtë temë vetë fëmijët që kanë luajtur në skenë kanë filluar të shtuar në listën e ushqimeve të preferuara fruta dhe perime që nuk i hanin më parë.
 
Nëpërmjet këngëve të shkruara me përkushtim nga Adrian Hila, të cilat jam e bindur që për fëmijët do të bëhen “hite” në kuptimin më të mirë të fjalës, do të sjellim modele didaktive që do t’u vijnë në ndihmë fëmijëve. "Kjo është arsyeja që synojmë të vazhdojmë me shfaqje të tjera edhe jashtë skenës, në ambjente shkollash për të edukuar fëmijët nëpërmjet artit”, thotë zonja Lubonja e cila pavarësisht vështirësive që has në këto premierë duket e vendosur që të ndjekë këtë vizion.
 
Historia e Rozit fillon në një ambient shkolle kur asaj dhe  miqve të saj u jepet detyrë që të vizatojnë kopshtin e tyre të frutave dhe perimeve. Vizatimi më i bukur do të ishte ai që do të mblidhte më shumë ngjyra nga frutat dhe perimet. Kështu të gjithë fillojnë udhëtimin e tyre në kërkim të një kopshti me të gjitha ngjyrat dhe shijet. Rozi fillon udhëtimin për të plotësuar kopshtin e saj nga kuzhina, ku së bashku me Lugën, Ananasin, Vezën dhe Qumështin fillon të kuptojë se kuzhina nuk mjafton. Udhëtimi i Rozit nën drejtimin e Luleshtrydhes dhe Ananasit,  vijon në kopshtin magjik ku po përgatitet një festë.
 
Ndërsa frutat zgjohen fillojnë të vijnë edhe perimet së bashku me shokët e Rozit. Me këngë dhe lojra, të gjithë fëmijët fillojnë të shijojnë frutat dhe perimet dhe mendojnë se ky është kopshti më i plotë për tu vizatuar. Por i kujt është kopshti? Dilema zgjidhet në fund ndërsa fëmijët vendosin të mbjellin në kopshtin e tyre të gjitha frutat dhe perime.
 
Nëpërmjet artit, shfaqja synon të përcjellë tek fëmijët mesazhin për ushqimin e shëndetshëm, bio dhe të freskët. Ajo përçon vlerat e frutave, nëpërmjet lojës artistike dhe përfshirjes së personazhit kryesor aktivitete si mbjellja në kopshtin magjik dhe gatimi duke i orientuar fëmijët drejt natyrës dhe ushqimit të shëndetshëm.
 
Angazhimi i fëmijëve aktorë në këtë shfaqje është i madh pasi në të  interpretojnë 23 fëmijë të moshës nga nga 5 deri në 12 vjeç  në rolet të ndryshme frutash, perimesh dhe ushqimesh të tjera, ndërsa mes tyre është edhe aktorja e Teatrit të Kukullave, Esmeralda Kame në rolin e mësueses.

Regjia e shfaqjes i është besuar regjisores Alma Hoti ndërsa formulimi muzikor mban firmën e muzikantit Saimir Cili.  Kostumet janë përgatitur nga Elva Bello. “Rozi dhe kopshti magjik” do të shfaqet premierë në skenën e artistëve të rritur, pra në Teatrin Kombëtar në datat 20 dhe 21 shtator. “E kam kërkuar skenën e teatrit kombëtar sepse dua që spektatorët të jenë të shumtë dhe të ketë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë si në skenë edhe në sallë. Dua të tërheq vëmendjen e të rriturve kundrejt fëmijëve, që janë e ardhmja jonë dhe mund të them se shfaqja e parë që dhamë në fund te vitit të kaluar ishte një dëshmi e kësaj që po them. Pa dyshim i pari i rritur që ktheu vëmendjen kundrejt këtij vendimi ishte vetë drejtori i TK, Hervin Culi”- përfundon Lubonja.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë