BEOGRAD - Serbia dhe Shqipëria mund të përjashtohen nga kualifikueset e Euro 2016 edhe pse ky është vetëm një nga shumë opsionet. Kështu ka deklaruar per mediat serbe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Çeke të futbollit dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Disiplinës në UEFA Rudolf Repka. Ai shpjegon se ndoshta dënime ekzemplare për dy Kombëtaret nuk do të ketë por gjobat pritet të jenë të majme.

Repka mendon se ndeshja e ndërprerë në Beograd në minutën e 41-të mund të riluhet në fushë asnjanëse pa tifozë dhe e njëjta gjë mund të bëhet edhe për ndeshjen e kthimit në Elbasan pas një viti.

“Nuk dua të spekuloj për ashpërsinë e dënimit sepse ka disa mundësi. Duke filluar nga pezullimi i stadiumit ,gjoba apo edhe përjashtim nga eliminatoret. Megjithatë unë besoj se Serbia dhe Shqipëria nuk do të ndëshkohen në mënyrën më ekstreme edhe pse Komisioni Disiplinor mund ta marrë në konsideratë një vendim të tillë por e sigurt është që gjobat do jenë të majme", tha ai.

Edhe nga UEFA-s është thënë se vendimi për ngjarjet e Beogradit do merret më 23 tetor, sipas Repkas ky vendim mund të vijë në nëntor.

“Mediat thonë se vendimi do jepet më 23 tetor por kjo është një periudhë e shkurtër për të analizuar ngjarje të tilla të rënda. Ne kemi mbledhur provat dhe të enjten e ardhshme mund të merret vendimi vetëm për fatin e ndeshjes së ndërprerë dhe jo për vendimet përfundimtare ndaj dy Federatave” sqaron Rudolf Repka një nga anëtarët e Komisionit të Disiplinës në UEFA që do ketë një votë në vendimin përfundimtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)