Kuvendi miratoi pesë projektligjet e paketës fiskale, që ulin nga 20% në 6% TVSH-në për 54 produkte ushqimore. Nga lista me TVSH të reduktuar u hoq uji i ambalazhuar, i cili ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Kuvendi rrëzoi edhe amendamentet e PD-së për uljen e TVSH-së në 6% për ujin e pijshëm.
Çfarë parashikon paketa fiskale?
TVSH-ja ulet nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Nëse ulja e taksës reflektohet plotësisht në çmime, produktet e prekura mund të kushtojnë deri në 12% më pak. Norma e reduktuar përfshin edhe paketat higjienike për gratë dhe foshnjat, si dhe shërbime të tilla si projektimet e studimet për investimet e klubeve sportive.
Nga viti 2027, norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%. Për strukturat akomoduese, TVSH-ja rritet nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit. Pragu i hyrjes së bizneseve në regjimin e TVSH-së ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%. Për pagat mujore, fasha me tatim 13% zgjerohet nga 60–200 mijë lekë në 60–300 mijë lekë. Norma 23% zbatohet për fashën mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë vendoset norma 30%. Paga minimale mbetet e përjashtuar nga tatimi.
Taksa e qarkullimit, që aktualisht paguhet në çmimin e çdo litri naftë ose benzinë dhe arrin në 32,4 lekë me TVSH, kalon te detyrimet vjetore të automjetit. Me këtë ndryshim, taksat vjetore të mjetit dyfishohen.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Miratohet paketa fiskale, PS përjashton për 10 vjet nga tatimi mbi fitimin investimet me status special në hotelet me 4 dhe 5 yje! Rrëzohen disa prej amendamenteve të opozitës





