I mbështetur nga skuadra e Rilindjes, Rama foli për më shumë se një orë për programin për "Tiranën e të gjithëve", edhe të atyre që erdhën nga jugu e veriu dhe që sot janë banorë të kryeqytetit.
Por para se të shpaloste programin për "Tiranën e të gjithëve", Rama hodhi poshtë akuzat e kundërshtarit të tij politik Sali Berisha i cili sipas tij i ka quajtur të ardhurit "shpellarë".
Rama u zotua se do të largohet nga politika dhe nga Shqipëria nëse vërtetohet se ai ka përdorur termin "shpellarë" për të ardhurit në Tiranë.
Premtoi se brenda mandatit të parë lagjet e palegalizuara do të jenë lagje të legalizuara dhe banesat pasuri e patundshme; një proces i cili do paguhet tërësisht nga shteti, dhe familjet s'do paguajnë asnjë lekë.
Kryetari i opozitës ftoi socialistët dhe demokratët e Tiranës të reflektojnë dhe të zgjedhin mes skuadrës së Rilindjes: Pandi Majko, Ditmir Bushati, përballë skuadrës PD me Majli Bregun e Sali Palokën dhe Kastriot Islamin.
"Ai tropojan është Saliu, i cili me pacipërinë më të madhe bredh lart e poshtë nëpër Shqipëri dhe posaçërisht kur takon të ardhurit nga veriu në Tiranë, u thotë se Edi Rama ju ka quajtur shpellarë. Kjo është një gënjeshtër lehtësisht e verifikueshme. Në qoftë se ka në gjithë arkivat e TV apo të radiove figurë apo zë timin, ku unë të kem përdorur këtë shprehje, unë Edi Rama sot largohem jo nga politika shqiptare, po nga Shqipëria. Largohem nga Shqipëria dhe ju kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve dhe ju zotohem se nuk kthehem më në Shqipëri. Por ama nëse kjo provë nuk ekziston atëherë mua më lind e drejta t'u them të gjithë tropojanëve dhe të gjithë atyre që kanë ardhur në Tiranë prej veriut apo vazhdojnë të jetojnë në veri, se ky burrë kërkon tju mbajë peng në shpellën e mendësisë së tij duke shfrytëzuar sedrën tuaj, traditat tuaja, vlerat tuaja"- u tha Rama të pranishmëve të cilët në mesditë kishin mbushur plot Pallatin e Kongreseve.
LEGALIZIMET, DO JETE FALAS,BRENDA 100 DITESH LIGJI I RI
“Procesin e legalizimeve e ka bërë çorap”- tha Rama duke premtuar: “Brenda 100 ditësh do të bëjmë një ligj të qartë për legalizimet për ta mbyllur këtë proces brenda mandatit të parë, duke ju dhënë tapitë reale, dhe jo tapi false që ju jep kryeministri bashkë me këtë karafilin e bashkisë”- tha Rama.
“Berisha ju ka tradhëtuar aq sa herë i është dashur t'ju tradhëtojë, jo vetëm një herë. Sa herë ju ka premtuar se do bëjë legalizimet dhe ju ka kthyer kurrizin sa ka mbaruar zgjedhjet. Është fakt, ju dëshmojnë arkivat. Sa herë ka proces elektoral premtohen legalizimet”- tha Rama duke shtuar se ky proces i cili është bërë “çorap” do zgjidhet brenda mandatit të parë 4 vjeçar dhe do jetë falas.
"E them këtu për herë të parë. Asnjë nuk do paguajë asnjë qindarkë pë legalizimet. Procesin do e bëjë shteti dhe ju nuk do të paguani asnjë lek. Mos i besoni kurrë idesë se procesi i legalizimit do funksionojë me teorinë e Berishës se do vërë çdo zyrë në çdo lagje. Kjo është të vësh një hajdut dhe barkun e Shaban kollozit ta ndash me mijëra barqe.”- u tha Rama.
"E mori me 250 mijë ndërtime pa leje po e lë me 450 mijë ndërtime pa leje. Cdo familje nga veriu a jugu që ka ndërtuar një shtëpi me kapitalin e vet do të disponojë dokumentin mbi atë shtëpi si pasur e patundshme. Nuk ju zhgënjej nëse do të jemi në këtë gjendje dhe nuk do të prekni me dorë ndryshimin radikal, do të jem unë ai që do jap llogari para jush. Ky proces do të jetë i hapur, transparent, i drejtë dhe do të garantojë të gjitha zonat informale se do të jenë nesër zona të normalizuara dhe banesat, kapitale si pasuri e patundshme.
RAMA: ME IDETE E PLANIT TONE URBANISTIK U NDERTUA FUSHATA E KARAFILIT
Rama i quajti mite të gënjeshtërta akuzat e qeverisë Berisha se bashkia e Tiranës në kohën që drejtohej nga ai nuk ngriti kurrë një plan urbanistik si dhe betonizoi Tiranën.
“Krijuan mitin se nuk ngritëm kurrë planin urbanistik. E marrin mediat e Saliut, e përpunojnë analistët e Saliut, i përpunon e gjithë çeta e Saliut dhe kjo vazhdon, dhe i merr sërish Saliu dhe të githa këto duken si të vërteta dhe i kalohet të akuzuarit barra dhe nuk i lihet për të thënë të vërtetën. Ne e bëmë planin por u mbajt peng. Mbi atë plan u ndërtua fushata e karafilit që sot është kryetar bashkie, dhe tek ai plan gjendeshin të gjithë ato pak ide të reja që u shfaqën në fushatë për të na larguar ne”
RAMA: BERISHA GJYSME DIKTATOR DO TJU MBAJE TE MBYLLUR NE SHPELLEN E TIJ
Rama tërhoqi vëmendjen tek banorët që jetojnë në Institutin e Kamzës ku akuzoi kryeministrin se i ka lënë në një gjendje të mjeruar.
“Keni 20 vjet në atë institut që jetoni dhe i vetmi ndryshim që ka ndodhur është që ata që ishin çift kur hynë në institut janë bërë me cuna e goca, me nga 20 vjeç e kanë po atë banjo të përbashkët. Asgjë s’ka ndryshuar. Ujë ska, gjendja hidrosanitare skandaloze. Perspektivë s’ka fare, sepse ju kështu i duheni Saliut: Të varfër, të mbyllur në atë shpellë të krijuar prej tij për tu mbajtur larg prej qytetit për t’ju thënë se ju jeni aty sepse s'është faji i Saliut por i tjerëve. Shikojini vendet e tjera, ku janë të varfra, në krye kanë diktarorë, apo gjysmë diktator si ky i joni. Unë ju them se Bashkia e Tiranës që unë drejtova prej 11 vitesh, dhe jam krenar, sepse e shoh se si po drejtohet sot ajo bashki, dhe të gjithë e dinë se nuk është aq e lehtë ta drejtosh, pavarësisht se ka të meta, por ama nga e thëna në të bërë është një det i tërë dhe atë det e kanë kapërcyer vetëm socialistët që drejtuan Tiranë dhe këta nuk e kapërcejnë dot.
Tirana ndërtoi në të vetmen pronë publike që iu dha në dispozicion 400 banesa. Sikur Saliu t’ju donte mirëqenien, që të jeni të gatshëm të merrni në dorë fatin tuaj do kishte ndërtuar jo 400 por 4000 apartamente dhe do jua kishte bërë këtë, për hir të asaj vote, që ia keni dhënë pa kushte për 20 vjet."
RAMA: ME TRUALLIN E TIRANES PO RICIKLOJNE PARATE E ZEZA
"U ngritën kundër betonimizimit. Mit që kanë krijuar këta. Në 10 vite që kam qenë në krye të Bashkisë së Tiranës kam ndërtuar vetëm në 1.2 % të territorit të Tiranës.
Kur tju tregoj sesi familja ka kapur gjithë atë plan dhe oborri kërkon të transformojë cdo hapësirë të Tiranës me vlerë në një truall për të ricikluar paranë e zezë që ka prodhuar këto vite, do të jeni të sigurtë se do na japin shumë të drejtë; Edhe ata që kanë votuar 29 do jenë të çliruar nga perspektiva e atij makthi brenda atij plani që nuk do realizohet kurrë, dhe ata që s’e kanë votuar do thonë si nuk votuan 29 kur kujtuam 44."
RAMA: LERENI KQZ NE TE SHKUAREN SHIKONI TE ARDHMEN
I pyetur nga banorët se cfarë do bëhet me KQZ-në Rama tha: “Lëreni KQZ-në të shkuarën e do shikoni se pas 8 ditësh është stacioni ku Shqipëria do shkojë në të ardhmen. Çdo 18- vjeçar që e ka ndarë mendjen për të shkuar të votojë, të mos shkojë vetëm por të shohë rreth e rrotull , tek komshitë, në punë, në lokalin ku mblidhen të papunët të marrin dhe shokun dhe të shkojë të votojë.
RAMA: MONUMENTI I KAVAJES, LAPIDAR I DEGRADUAR SOCIALIST
Rama premtoi se nuk do largohet nga puna asnjë mësues apo polic që është i aftë dhe se me votën tek nr 29 do t'i sigurojnë banorëve një qeveri në krah dhe jo një qeveri që hipën mbi zvrek. Rama e cilësoi monumentin e Kavajës, një lapidar i degraduar socialist
“Nuk jam i pagabueshëm. Me votën për ne shqiptarët do ta heqin qeverinë nga zverku dhe do e vendosin në krahun e tyre. Vota për Saliun është qeveria në zverk ekonomia familjare në tokë. Vota për ne, është qeveria në krah ekonomia familjare në këmbë. “Doktori- i themi doktori, ne por i bëjmë nder kot- Saliu çohet e qirret për atë pseudonomunetin atje. Ai s’është as 2 gishta, as monument por lapidar i degraduar socialist. Me fitoren e 23 qershorit ne aq shumë do ta nderojmë atë shesh në Kavajë sa arkitektonikisht do të fitojë demokracia ndaj realizimit socialist “
E VËRTETA PËR FITIMIN TIM NGA ”KURBANI”, DHE PRESIONI I BERISHES
Rama foli dhe për akuzat se nuk ka deklaruar fitimet nga libri :Kurban”.
"Taksat i pagova me postë. Por posta është e nëndajës e merr zarfin e çojnë te goca e nonës, e çunat e babës dalin e thonë s’i ka bërë Edi Rama deklarimet e të ardhurave nga libri. Menjëherë i bëj online dhe deklaroj fitimin nga "Kurbani": 93 mln lekë të vjetra, bruto. Ca bëjnë. Janë injorantë. Shkojnë e ngatërrojnë botuesin me shpërndarësin. Shkojnë te shtëpia botuese dhe ushtrojnë atë formë presioni që këta dijnë ta bëjnë, dhe marrin të dhënat përkatëse. Mirëpo shtëpia botuese ka bërë vetëm shpërndarjen në Tiranë ndërkohë që shpërndarja në të gjithë Shqipërinë është bërë me dy shoqëri të tjera shpërndarëse. Nëse dikush deklaron një fitim shko verifiko taksën e Zotit, taksën e 10%. Dhe këtu del fitimi e tatimi. Ajo që kanë hequr ato shtëpi shpërndarjeje, dhe unë u kërkoj ndjesë pasi u qëlloi të shpërndajnë librin e kryetarit të opozitës, e të kenë hajvanët e Saliut të shpupurisin letrat e flokët për të nxjerrë patjetër që Edi Rama nuk deklaron fitimin”
ME BELLE AIR TRANSPARENCE PAS ZGJEDHJEVE
"Me ”Belle Air” do merremi pas zgjedhjeve pasi mban pozicionin monopol në treg dhe me paratë e shqiptarëve ka lekë të sjellë studentë në Shqipëri duke u paguar biletat. Kjo do i takojë pas zgjedhjeve. Kjo nuk është hakmarrje por transparencë. Ajo do i tregojë shqiptarëve sesi ia del që të sjellë studentë nga jashtë, duke bërë manipulim të zgjedhjeve dhe shtrembërim të mendsisë demokratike të studentëve nga jashtë”- tha Rama.
RAMA: ZGJIDHNI PANDI MAJKO APO MAJLI BREGUN, DITMIR BUSHATIN APO SALI PALOKEN
Rama kërkoi të mbyllte bashkëbisedimin e tij i cili zgjati për më shumë se 1 orë duke nënvizuar se këto janë zgjedhje të rëndësishme ku skuadra e PS-së s’ka të krahasuar me skuadrën e PD-së.
“Dua ta mbyll duke nënvizuar. Këto janë zgjedhje ku Tirana do vendosë jo vetëm për vete por për të gjithë Shqipërinë. Jo për Edi Ramën por për të besuar skuadrën e Rilindjes për Tiranën. Unë jam krenar që ne kemi skuadër që me të thënë të drejtën, jo se jam kreu i PS, por më thoni si mund të krahasohet me ata. A krahasohet Pandi Majko, me Majli Bregun?!
A krahasohet Ditmir Bushati me Sali Palokën?!. Unë u nisa por nuk njof se kush janë të tjerët ata. Jo se i bie të krahasojmë Lindita Nikollën me Kaçin. I bie të krahasojmë ditën me natën, pastaj diellin me natën pa hënë.
Shko të votosh me një dorë për Salën dhe Kaçin vetëm Koçi Xoxe të mungon.
Imagjino ata i thonë vetes ne jeni të djathtë dhe thonë kështu do lindim e kështu do vdesim.
Po ku do rrini? Me Kaçin?!
Ose ata në Paskuqan, Kamëz e Laprakë që kanë votuar den babaden për PD, e kuptoni me Asllan Dogjanin do rrini?! S’ka të krahasuar skuadra jonë.
Kush do ju legalizojë ju, Islami apo Pakola se janë dyshe kryevepër të dy bashkë. Bënë dhe dëmin më të madh se Halim Kosova e kishte një maternitet, tani materniteti ngeli pa drejtor dhe ra cilësia e deputetëve PD.
Një porosi për ata që janë akoma të lëkundur. Të bëjnë një telefon më lart në veri, të pyesin në Kosovë kemi një votë për 23 qershorin, kë të votojmë: Pandi Majkon apo Kastriot Islamin?!”
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)