Si do të zgjidhen këshillat bashkiakë dhe si do të përfaqësohen qytetet brenda bashkive të reja? Këto janë çështjet për të cilat kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi kërkon ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor, përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027. Sipas tij, miratimi i hartës së re territoriale duhej të ishte shoqëruar edhe me përshtatjen e rregullave për zgjedhjen dhe përbërjen e këshillave bashkiakë.

“Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale, për aq sa ne kemi parë, çmojmë se kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri territorial. Duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit, kriteret për përcaktimin e numrit, strukturën e përfaqësimit të njësive të ndryshme territoriale brenda një njësie vendore”, tha Celibashi.

Kërkesa e Celibashit është që partitë politike të përcaktojnë në Kod mënyrën e zgjedhjes së këshilltarëve, kriteret se sa anëtarë do të ketë çdo këshill bashkiak dhe si do të sigurohet përfaqësimi i njësive që përfshihen brenda një bashkie. Për KQZ-në, këto ndryshime duhet të përfundojnë brenda këtij viti, pasi vonesat do të vështirësonin përgatitjet dhe mund të krijonin edhe probleme ligjore.

“Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale. Nëse këto ndryshime shkojnë përtej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do të krijohet problem për KQZ-në, por mund të lindin edhe probleme të karakterit ligjor. Duhet të angazhohen në mënyrë urgjente për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.

Për votimin dhe numërimin elektronik, KQZ-ja mbështet shtrirjen në sa më shumë bashki. Por, përballë kundërshtimit të Partisë Demokratike, Celibashi kërkon që mazhoranca dhe opozita të gjejnë konsensus.

“Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus”, vijoi Celibashi.

Zgjedhjet e 9 majit, data e të cilave është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj, Celibashi i sheh si një provë që Shqipëria duhet ta kalojë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

“Duhet ta kalojmë këtë provë me sukses të plotë. Nuk besoj se dikush do të mbyllë sytë nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të marrin certifikatën sipas standardeve të BE-së”, thekson Celibashi.

Ndërkohë, grupi parlamentar i PS-së i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale, me fokus kompetencat e bashkive, financat dhe shërbimet vendore. PD-ja ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, me argumentin se kërkesat e saj në komisionin e mëparshëm nuk u morën parasysh.

Lajmi në përditësim....