Në një letër të gjatë të cilën e ka siguruar Report Tv, biznesmeni, ndonëse nuk përmend se do dorëzohet te autoritetet shqiptare, në një kohë kur Gjykata e Kavajës, pikërisht sot ka konfirmuar masën e arrestit në mungesë ndaj tij, paralajmëron se do veprojë përmes rrugëve ligjore për të nxjerrë veten të pafajshëm nga akuzat. "I garantoj ata se shumë shpejt, përmes rrugëve ligjore, do të vendos në vend nderin dhe reputacionin tim, të nëpërkëmbur padrejtësisht përmes një akuze të nxituar (abitrare) dhe pa asnjë baze reale".
Biznesmeni, i njohur dhe si mik i politikanëve, ka mohuar gjithashtu se është arratisur nga Shqipëria, duke theksuar se lëvizja e tij jashtë shtetit ka qenë e parashikuar prej shumë kohësh. Sipas të gjitha të dhënave, biznesmeni i arratisur ndodhet në Itali. Report Tv ka mësuar se ai disponon pasaportë italiane dhe është pronar i një kompanie në zonën e Bolonjës.
Deklarata Idlir Karkinit pas hetimeve dhe arrestit ndaj tij:
Unë, Idlir Karkini, e çmoj të arsyeshme dhe të nevojshme të bëj disa sqarime për publikun, përmes avokatëve të mi, edhe pse se ato mund të shërbejnë edhe për hetimin dhe zbardhjen e çështjes për të cilën akuzohem.
Pretendimet e prokurorisë dhe urdhër arrestin si masë për ndalimin tim i kam mësuar, teksa gjendesha jashtë shtetit në një shërbim të planifikuar në funksion të biznesit dhe familjes time. Jam ende i çuditur për sa kam mundur të mësoj deri tani për akuzën, por vendosa fillimisht që të mos flisja dhe të ballafaqohesha me problemin vetëm në rrugë ligjore, i bindur plotësisht në pafajësinë time.
Arsyeja e vetme pse po e thyej heshtjen është se këto ditë kam parë dhe lexuar një numër të jashtëzakonshëm lajmesh abuzive, që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, të cilat i konsideroj si shpifje ndaj personit tim. Natyrisht, për këtë nuk fajësoj aspak mediat, por ata që në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe e furnizojnë shtypin me lajme të rreme.
Ndaj edhe u ndjeva i detyruar që të bëj një shënim të shkurtër për të sqaruar pozicionin tim, por edhe atë të akuzuesve të mi për këtë çështje. Të jeni të bindur që ky është vetëm fillimi i betejës sime për të vendosur në vend drejtësinë.
1.Ndryshe nga çfarë thuhet në media gjatë këtyre ditëve, e vërteta është se jam unë personi që e kam ngritur i pari çështjen për të cilën akuzohem, dhe këtë kam bërë që në vitin 2017. Gjithë sa deklaroj është bazuar në fakte dhe prova që janë lehtësisht të verifikueshme.
Në postën e policisë së Rrogozhinës kam qenë unë që nëpërmjet punonjësve dhe avokatit tim kam kërkuar dhe bërë ballafaqimin me Forcat Ajrore me qëllim sqarimin për mundësi mbivendosje pronash apo ndonjë gabimi tjetër. Pra gati një vit më parë, ne kemi paraqitur provat tona të pronësisë dhe, për hir të së vërtetës, jemi trajtuar me shumë profesionalizëm nga komandanti i njësisë.
E gjitha kjo sepse kërkonim garanci të plotë për titullin e pronësisë dhe është jashtë çdo logjike që këtë veprim ta kryenim, nëse do të ishim përfshirë në një falsifikim prone, për të cilin akuzohemi padrejtësisht sot. Do të mjaftonte vetëm ky fakt që ta hidhte në erë (një shprehje me të butë) të gjithë akuzën, sepse kam qenë unë vetë që i kam vënë në lëvizje organet e drejtësisë, ngaqë kam dashur që të jem totalisht konform ligjit për pronën time.
2. Por nuk jemi mjaftuar me aq, sepse për një vit rresht i jemi drejtuar edhe Prokurorisë së Kavajës, si palë e interesuar për qartësimin e çështjes. Dhe ndërkohë që janë ndërruar tre prokurorë të çështjes përgjigja ka qenë që ata i kishin kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes për të paraqitur disa dokumente, të cilat në fakt nuk erdhën kurrë.
3. Gjatë kësaj kohe kemi pritur, gjithashtu, që të thirremi në Prokurorinë e Kavajës për të shpjeguar pozicionin tonë në lidhje me pronën, për të paraqitur por askush nuk na kërkuar të dëgjojë versionin dhe pretendimet tona.
4. Sa për lëvizjen time jashtë shtetit, që po paraqitet abuzivisht si arratisje, deklaroj me përgjegjësi se ka qenë e parashikuar prej shumë kohesh, sepse aktiviteti im ekonomik dhe jeta ime familjare si shtetas italian nuk fillon dhe nuk mbaron në Shqipëri dhe për këtë mjafton që të kontrolloni sistemin TIMS.(sistem ku prokuroria ka akses të plotë për të parë nëse jam në Shqipëri apo jo)
5. Këto ditë jam ndjerë i prekur dhe i lënduar nga lakimi i emrit tim për faje që nuk i kam kryer, por mbi të gjitha e konsideroj veten viktimë të një sistemi kriminal mafioz dhe jo gjenerues të tij. E vetmja gjë që më shkon ndër mend tani, është se mos, ndoshta, pa dashur, kemi hapur kutinë e Pandorës për të gjithë pronarët e fshehtë, kufitare me pronën tonë, të cilët çuditërisht as nuk dihen kush janë dhe as nuk thirren për të dëshmuar, që të provohet të paktën procedurialisht se ku qëndron shkelja, gjithmonë në rast se ka një të tillë.
6. Gjatë këtyre ditëve së bashku me avokatet e mi shqiptarë dhe të huaj jemi duke përgatitur përgjigjen e duhur ligjore, për gjithë sa akuzohem. Por nuk arrij ta kuptoj se përse prokuroria ka pritur pa më thirrur asnjëherë dhe e gjeti ta shpallë akuzën pikërisht në kohën që unë isha me shërbim jashtë shtetit. Nuk kuptoj përse nuk u pa e nevojshme të thirreshim në prokurori, të paktën si palë që ka dijeni për çështjen. Kam qenë në dispozicion të saj, madje me kërkesën time, por pse duhej që sqarimin ta jepja bashkë me urdhër arrestin? E gjitha kjo, por edhe mënyra se si po i serviret publikut, sikur të ishte një zbulim i madh që ka ndodhur ditët e fundit, më krijon bindjen se ka një tendencë të qartë paragjykimi ndaj personit tim. Tani për tani e kam të vështirë ta gjej arsyen, por në një kohë tjetër me siguri që do të kem një përgjigje edhe për këtë.
7. Ndonëse e konsideroj këtë një proces tërësisht tendencioz dhe të pambështetur në prova, që synon dëmtimin e imazhit tim, por edhe të biznesit që kam, u kërkoj gjithsesi ndjesë për shqetësimet e krijuara familjarëve, punonjësve dhe partnereve të mi, duke i garantuar ata për pastërtinë e qëllimeve dhe të veprimeve të mia për këtë çështje.
Por njëkohësisht i garantoj ata se shumë shpejt, përmes rrugëve ligjore, do të vendos në vend nderin dhe reputacionin tim, të nëpërkëmbur padrejtësisht përmes një akuze të nxituar (abitrare) dhe pa asnjë baze reale.
Redaksia Online