4 herë kampionët e botës në fuqi eliminohen nga kampionati botëror i Brazilit pas humbjes përballë Uruguait në ndeshjen e fundit në grup me rezultatin minimal 1-0. Italia nuk ia doli të kalojë fazën e grupeve as në Brazil 2014, duke përsëritur zhgënjimin e pësuar 4 vjet më parë në Afrikën e Jugut.

italia
Italisë së Prandelit i duhej vetëm një barazim për të kaluar në turin tjetër, por në fushë dhuroi shumë pak nga paraqitja në ndeshjen e parë me Anglinë dhe objektivat. Vlen të theksohet një goditje dënimi e Pirlos që vendosi në vështirësi Muslerën, ndërsa Baloteli ishte krejtësisht inekzistent në fushë, madje rrezikoi të dilte edhe me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj mbrojtësve kundërshtare, të cilët e markuan mjaft mirë duke mos i lënë asnjë zonë të lirë.
suarez
Në fillim të pjesës së dytë gjërat bëhen akoma më të vështira për 4 herë kampionët e botës, pasi Markizio u largua me karton të kuq pas një ndërhyrje mjaft të ashpër ndaj një futbollisti të ekipit të Uruguait. Të kaltrit i bashkohen kështu eliminimit të Spanjës, Anglisë, Portugalisë dhe Kroacisë.

Ndërsa heroi i takimit për ekipin e Uruguait ishte Diego Godin që shënoi golin e kualifikimit në minutën e 81. Mbrojtësi përfitoi nga një harkim i bukur i topit në zonë nga këndi duke e dërguar në rrjetë dhe dërguar ‘axurrët’ para kohe në shtëpi.
suarez
Nuk mbetën pas as duelet e Kielinit me Luis Suarez, ku uruguaiani i nguli dhëmbët në shpatull. Në ndeshjen tjetër të grupit D, Kosta Rika dhe Anglia e mbyllin në barazim pa gola. Një tjetër rezultat surprizë nga amerikano-qendrorët, ndërsa një tjetër zhgënjim për “3 luanët”, të cilët janë eliminuar me vetëm 1 pikë nga ky Botëror.

Eliminimi i Italisë nga kampionati botëror i Brazilit është shoqëruar me dorëheqjen e trajnerit Cesare Prandeli dhe Presidentit të Federatës së Futbollit, Abete. Menjëherë pas ndeshjes, tekniku nuk e ka kapërdirë dot eliminimin duke deklaruar se merr të gjitha përgjegjësitë.

“Jap dorëheqjen e parevokueshme nga drejtim i kombëtares së futbollit të Italisë pas eliminimit. Mjaft, është e pamundur që të lihet një ekip me 10 lojëtarë për një faull, loja ishte e ekuilibruar, por arbitri e shkatërroi duke na ndëshkuar” deklaroi ai. Pas teknikut të njëjtin vendim mori edhe Presidenti i Federatës, Abete nuk deklaruar se ‘largohem edhe unë pas Prandelit’.

Kielini: Turp, Suarez mbrohet nga FIFA
Luis Suarez u është rikthyer përsëri veprimeve jo të hijshme në fushë këtë herë duke kafshuar mbrojtësin e ekipit kombëtar të Italisë, Kielini. Mbrojtësi u ankua te arbitri duke iu drejtuar edhe me provat, që në rastin konkret ishin dhëmbët e sulmuesit uruguaian në shpatull, por arbitri nuk mendoi që ishin të mjaftueshme për të larguar.

Pas ndeshje italiani u shpreh mjaft ashpër duke deklaruar se Suarez mbrohet nga FIFA. “Suarez bën dinakun, sepse këtë ia lejon FIFA. Gjyqtari pa gjithçka, por nuk pati kurajë që të reagonte për të ndëshkuar uruguaianin.

Ndeshja u vendos nga gjyqtari. Është një turp, sepse kualifikimin e meritonim ne. Në pjesën e parë kishte disa situate të cilat u gjykuan me dy standarde, më pas erdhi përjashtimi padrejtë i Markizios me karton të kuq, por edhe mungesa e kartonit të kuq për Suarez, vendime që ndryshuan gjithcka dhe që në fund vendosën takimin. Tashmë duhet që të harrojmë gjithçka dhe të mendojmë për të ardhmen” tha ai. 
 

Bufon
Kapiteni i Italisë, Bufon pas eliminimit nga Botërori është shprehur “sot është një ditë e trishtuar për të gjithë futbollin italian. Nuk e prisnim dhe meritonim që të largoheshim kaq shpejt, pasi bëmë një paraqitje të mirë” tha ai.
 
Tabarez
Trajneri i Uruguait, Tabarez mbrojti lojtarin e tij “Unë, arbitri dhe tifozët nuk e pamë që Suarez kafshoi Kielinin. Luis është shumë i dashur për ekipin dhe tifozët, por ai është një viktimë e shtypit që e sulmon gjithmonë’ tha ai.



d.b/shqiptarja.com