'Tahiri', në Kuvend dy raporte
PS: Vetëm hetim. PD: Arrestim

'Tahiri', në Kuvend dy raporte<br />PS: Vetëm hetim. PD: Arrestim<br /><br>

TIRANE - Ka përfunduar mbledhja maratonë e Këshillit të Mandateve mbi imunitetin e deputetit Saimir Tahiri, ku është vendosur që të çohen në Kuvend dy raporte. Opozita mbështet kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, ndësa socialistët kërkojnë hetim të plotë, por edhe kontroll banese dhe kontroll personal, pa asnjë kufizim nga imuniteti, por jo arrestim.

Nasip Naço i LSI: Në Kuvend do të shkojnë dy raporte, nga PS dhe nga PD. Opozita mbështet kërkesën e Prokurorisë. Fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi

Enkelejd Alibeaj i PD: PS votuan kundër dhënies së autorizimit për arrest, ata janë kapur nga krimi e mafia

Gent Strazimiri i PD: Nuk është korrekte që të ndahet kërkesa e Prokurorisë. Lgjërisht thuhet që nuk është ky Saimiri që kërkohet nga Guardia di Finanza. 

Ulsi Manja i PS: Ishte e natyrshme që do kishim dy qëndrime, sepse ne si shumicë jemi të shqetësuar për të vërtetën, dhe këtë e kërkojmë te organet e drejtësisë, ndërsa opozita nuk ka hallin e drejtësisë, por hallin e pushtetit. Ndaj dhe do kishim dy qëndrime. Lidhur me kërkesën e Prokurorisë, ne e pranuam për dhënien e autorizimit për kontrollin e banesës dhe atë personal. Prokuroria është e lirë të vijojë me dinamikën e veprimit në funksion të çështjes, ndërsa lidhur me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit, ne çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetje në prova. Pra, prokuroria shqiptare është e lirë pas vendimmarrjes në Kuvend të vijojë hetimet me të njëjtën dinamikë, pavarësisht se kanë nisur vetëm 72 orë më parë, ne do e mbështesim prokurorinë deri në fund. Vetë Tahiri tha se është në dispozicion të Prokurorisë dhe nuk do largohet jashtë shtetit. Këto vendimmarrje pati shumica sot në Këshill.

Në seancën maratonë të ditës së sotme, Prokuroria ka paraqitur prova të reja në ngarkim të çështjes "Habilaj", ku sipas organit të akuzës rezulton i implikuar edhe deputeti i socialist. Mbledhja e kësaj të shtune vijoi diskutimet për orë të tëra, ndërsa përfaqësuesit e prokurorisë, Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani, informuan anëtarët e Këshillit të Mandateve për provën e re, atë të dëshmisë së një efektivi policie në Vlorë, e siguruar nga Report Tv dhe Shqiptarja.com.

Sipas organit të akuzës, kjo dëshmi implikon Tahirin në përfshirjen e tij në dosjen Habilaj. Prokurorët nuk e kanë treguar emrin e efektivit por kanë cituar atë çfarë ai ka deklaruar përballë tyre kur është marrë në pyetje. “Jam ulur në kafe në Vlorë me njërin prej vëllezërve Habilaj. Ai më tha se është kushëri i Sajmir Tahirit”, ka deklaruar para prokurorëve efektivi policisë.

Me urdhër të kreut të Kuvendit dhe njëherazi drejtues i Këshillit të Mandateve, Gramoz Ruçi, paraqitja e provave të reja nga Prokuroria u bë në seancë me dyer të mbyllura, ndërsa Tahiri, avokati i tij dhe mediat dolën jashtë. Pas 5 orësh diskutimi ditën e djeshme, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi Ruçi vendosi shtyrjen për ditën e sotme të mbledhjes pas kërkesës së avokatit të Tahirit për të paraqitur mbrojtjen. Ruçi deklaroi dje se Tahiri ka të drejtë që të mbrohet, ndërsa PD e kundërshtoi duke e cilësuar si skandal.

Mbledhja ditën e djeshme filloi në orën 11:00 dhe përfundoi në orën 17:00, me dy ndërprerje. Gjashtë orë diskutime nuk prodhuan prova konkrete që të fajësonin Tahirin në trafik droge me Habilajt. Edhe vetë prokurorët u shprehën se ka dyshime të arsyeshme. 



Zhvillimet minutë pas minute nga mbledhja e Këshillit të Mandateve

Ora 15:10 PD-LSI tërhiqen, rinis mbledhja e Mandateve
PD dhe LSI janë tëhequr nga kërkesa për pranimin e mediave në mbledhjen ku pritet të vendoset për fatin e imunitetit të Saimir Tahirit.  Mbledhja ka rinisur dhe do vijojë me dyer të mbyllura. Këshilli i Mandateve pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë, ndërsa ajo që nuk dihet ende është nëse do t'i drejtohet seancës së Kuvendit me një apo dy raporte. 

Ora 14:50 Ruçi nuk pranon kërkesën për mediat, shtyhet mbledhja
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi nuk ka pranuar kërkesën e PD dhe LSI për vijimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve me dyer të hapura gjë që ka bërë shtyrjen e mbledhjes. Ende nuk dihet se kur do rimblidhet Këshilli i Mandateve. 

Ora 14: 20 Ruçi: Mbledhja e Këshillit pa media. PD e LSI kundër
Drejtuesi i seancës së Këshillit të Mandateve për imunitetin e Tahirit, Gramoz Ruçi ka vendosur vijimin e mbledhjes, në fazën finale të saj, pa praninë e medias. Këshilli do vendosë për kërkesën e Prokurorisë dhe më pas do t'i drejtohet Kuvendit në seancë plenare me një ose dy raporte. Do jetë Kuvendi ai i cili do marrë vendimin nëse Tahirit do t'i hiqet imuniteti apo kërkesa e Prokurorisë do rrëzohet. 

Ora 13:20 Ruçi ndërpret me një orë mbledhjen 
Drejtuesi i seancës së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Gramoz Ruçi ka ndërprerë mbledhjen me një orë. Pas tre orë diskutimesh, Ruçi ka kërkuar një orë pushim me qëllim që anëtarët e Këshillit të njiheshin me provat e depozituara nga Prokuroria. Mbledhja pritet të rinisë në orën 14:00. 

Ora 13:00 Prokurorët e çështjes, mbledhje në Prokurori
Tre prokurorët e çështjes Tahiri, Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani pritet të zhvillojnë një mbledhje në Prokurori për dosjen në hetim të Habilajt. Burime pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se përfaqësuesit e organit të akuzës po verifikojnë provat për dosjen në fjalë, ku sipas tyre rezulton i implikuar edhe ish-ministri i Brendshëm. Provat e paraqitura në Këshillin e Mandateve janë cilësuar nga maxhoranca si të pamjaftueshme, ndërsa vetë Tahiri ka akuzuar se po i bëhet gjyq politik. 

Ora 12.10 Hajdarmataj: Pse trafikantët përmendin vetëm Tahirin?
"Do të preferoja që as unë as kolegët e mi, të mos ishin pjesë këtij diskutimi që u bë më parë. Ne kemi ardhur në këtë sallë me sjelle shume etike, morale te gjithe cfare pretendojme për të paraqitur per te marre nje autorizim te caktuar.  

Ne kemi paraqitur të gjitha provat ku implikohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Sot e gjithë pjesë e mbrojtjes së fjalës së deputetit Saimir Tahiri ta përfshijë në politikë. Këtu flitet për dhunë politike e mediatike. Ne kemi ardhur këtu me sjellje shumë etike e morale, për të marrë një autorizim të caktuar.Tek provat, janë bisedat e dy njerëzve që nuk kanë pasur asnjë lloj ndikimi, që janë bërë në qetësinë e tyre, automjetin e tyre, që implikojnë në mënyrë të vazhdueshme ish-ministrin e Brendshëm.

Ata kanë përmendur momente kur ata duhet te blejne blerë dhurata. Disa biseda janë bërë publike e disa nuk janë bërë publike, e shpresoj të mos bëhen publike. PAstaj si ndodhka keshtu, aty flitet vetëm për ministrin e Brendshëm e asnjë deputet tjetër, as për deputetë të Vlorës, Tiranës, e asnjë tjetër. Flitet per nje njeri, qe gjate gjithe kesaj kohe per nje periudhe ndoshta mbi 5 muaj, ish ministri i brendshem qarkullon me te njejtin automjet qe qarkullojne dhe personat nen hetim.  Ministri i Brendshëm qarkullon me të njëjtin automjet, që qarkullojnë edhe trafikantët. Nuk do të na pëlqente asnjëri të nga qe te mos ishim ketu ne pjesen qe diskutohet me etiken e mesuar politike ne kete seance, në momentin kur diskutohej për pjesën politike"

Ora 11:40 Alibeaj: Shko në Gjykatë, Tahiri: Ti do bëje burg për familjarin që ka vrarë?
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka shpërthyer kundër deputeti të PD Enkelejd Alibeaj, pasi ky i fundit iu drejtua pse nuk shkon në gjykatë kur thua se Prokuroria s’ka prova fajësimi për të. “Nëse s’ka prova, pse nuk shkon në gjykatë?”, iu drejtua Alibeaj, Tahirit.

Ish-ministri i Brendshëm tha se ai është i gatshëm të hetohet, por nuk mund të pranojë pranga politike në duar. Ai shtoi gjithashtu “nuk rri në parti me vrasës dhe hajdutë”, duke iu referuar kryetarit të PD, Lulzim Basha për dosjen e Rrugës së Kombit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për Gërdecin.

“Një familjar i joti ka vrarë një njeri, do pranoje ti të shkoje në burg? Jam gati të hetohem, të kontrolloni banesën time, por pranga politike në duart e mia nuk pranoj. Dhe kjo për standardin tim me ligjin, se po të jetë për t’u krahasuar unë me ju të gjithë bashkë, unë si ty që të rri në një parti me kriminelë nuk rri. Që të rri krah për krah me hajdutë, që shpëtojnë me raporte mjekësore si nxënës të klasës së parë, unë nuk rri me njerëz që kanë vrarë 26 veta në Gërdec”, iu drejtua Tahiri, deputetit të PD Enkelejd Alibeajt.

Ora 11:30 Tahiri: Nuk lëviz nga këtu derisa të dalë e vërteta
Ish-ministri i Brendshëm ka deklaruar se është i gatshëm të hetohet, por Prokuroria duhet të paraqesë prova ndaj tij. "Do kërkoj çdo provë për të vërtetën. Unë do jem këtu dhe nuk lëviz nga këtu derisa të dalë e vërteta. Jam i gatshëm të hetohet dhe të dalë e vërteta në dritë, por unë kërkoj prova. Ju nuk mund të të më kërkoni mua të arrestohem se dy banditë thonë në muajin e dytë të detyrës time se unë fitoj 5 mln euro në muaj. Unë kërkoj prova, s'mund të kërkopni mua pse përmendet emri Saimir i një drejtuesi kamioni që ngarkon thasët, unë s'kam patentë kamioni. S'pranoj të arrestohem pse dy kushërinj të mi të largët kanë kryer krim. Një familjar i joti ka vrarë një njeri, do pranoje ti të shkoje në burg? Unë dua prova. Po të jetë për deklarata politike nga prokuroria qëkur i ka thënë Berisha...Në parlament kam dëgjuar 2 mijë herë akuza se jam trafikant droge, se jam mafioz, vrasës, po të isha do shkoja në burg. Unë s'kam standardin që ta quaj prokurorinë lavire", tha Tahiri. 

Ora 11:20 Report Tv siguron provën e re, prokurorët: Dëshmia e policit
Report TV ka mundur të zbulojë se çfarë kanë thënë tre prokurorët e prokurorisë së krimeve të rënda gjatë seancës së sotme me dyer të mbyllura. Sipas prokurorëve ata kanë në dosjen detimore dëshminë e një efektivi të Policisë së Vlorës.

Prokurorët nuk e kanë treguar emrin e efektivit por kanë cituar atë çfarë ai ka deklaruar përballë tyre kur është marrë në pyetje.

Jam ulur në kafe në Vlorë me njërin prej vëllezërve Habilaj. Ai më tha se është kushëri i Sajmir Tahirit”, kështu ka deklaruar para prokurorëve efektivi policisë.

Vetëm ky pasazh i deklaratës së këtij efektivi është marrë nga prokurorët dhe i është dhënë Këshillit të Mandateve si provë sekrete gjatë seancës me dyer të mbyllura.

Nuk dihet nëse ky person që prokuroria e ka dëshmitar dhe e cilëson si provë sekrete vijon të jetë ende në policinë e Vlorës.

Ora 11:10 Avokati i Tahirit: Dosja italiane nuk implikon Tahirin
Avokati i Saimir Tahirit, Artan Hajdari u shpreh se Prokuroria nuk ka prova kundër klientit të tij, duke iu referuar dosjes së parë hetimore të mbërritur nga prokuroria italiane. Sipas tij, kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit është e pabazuar në ligj, pasi mungojnë provat. 

Këto prova nuk duhet të merren në konsideratë se nuk plotësojnë atë karakter të dyshimit të arsyeshëm që jepet nga Prokuroria që kërkon arrestimin. Dy prova janë paraqitur nga Prokurori: Një, akti i shitjes së makinës kushërinjve shumë të largët dhe fakti se kjo është përdorur nga persona në vepra kriminale.

Kjo ra si indice, jo si provë. Sepse sistemi TIMS nuk provon se kjo Tahiri ka udhëtuar me këtë makinë. Dhe thuhet se në makinë ka udhëtuar me persona të tjerë. Kush janë të tjerët? Ndërkohë që nuk mund të vihet në proces se unë dua arrest një deputeti pa përmendur, indicen, dyshimin konkret. Kjo duhet të thotë se anëtari i parlamentit duhet të ushtrojë detyrat i qetë derisa të paraqiten prova ndaj tij.

Nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejtë të deputetit Tahiri qoftë direkte, indirekte, periferike apo aksidentale që mund të krijojnë dyshimin e organit të hetimit që kërkon arrestimin e tij. Bindja nuk është hetim. Në hetim duhen marrë provat, të tjera janë detaje nuk janë të jurisprudencës. Dua të merret si provë vendimi për pushimin e çështjes penale të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, deputeti e tha se ka takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokuroria e ka regjistruar dhe e ka çuar për hetim (denoncimi i Tahirit për Habilajt pas akuzave të Zaganit) dhe prokuroria e ka mbyllur këtë çështje. Kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të rrëzohet në tërësinë e saj", u shpreh avokati Artan Hajdari.  

Ora 11:05 Këshilli i Mandateve "hap dyert", hyn Tahiri, avokati Hajdari dhe mediat
Këshilli i Mandateve, pas rreth një ore ka vijuar me praninë e Saimir Tahirit, avokatit mbrojtës dhe medias.

Ora 10:10 Ruçi: Seanca me dyer të mbyllura. Tahiri dhe avokati dalin jashtë
Drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Gramoz Ruçi kërkoi vijimin e seancës pa Tahirin, avokatin mbrojtës dhe përfaqësuesit e medias, për shkak të paraqitjes së provave sekrete nga Prokuroria në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm. 

Ora 10:05 Prokurori Hajdarmataj: Kemi prova shtesë nga Italia, materiale sekrete
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka thënë se organi i akuzës ka administruar prova të reja hetimore nga prokuroria italiane. Ai tha se materialet janë sekrete hetimore dhe kërkoi zhvillimin e seancës pa praninë e medias dhe palës së akuzuar. 

Ora 10:00 Fillon seanca e dytë e Mandateve, vendoset fati i Tahirit
Të parët kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit tre prokurorët e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeri dhe Gentjan Osmani. Ndërsa më pas u paraqit dhe ish-ministri Tahiri me avokatin e tij mbrojtës, Artan Hajdari. 


mbeshtetesit e tahirit
(Mbështetësit e Tahirit përpara Kryesisë së Kuvendit)

Redaksia Online
j.sh-l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë