Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, ka paralajmëruar ish-kryeministrin Sali Berisha se do të jetë edhe ai objekt hetimi në Komisionin Parlamentar ‘Tahiri’. Në studion e Report Tv, Ndreu zbuloi detaje nga ky komision, i cili është kërkuar nga opozita dhe u mblodh për herë të parë ditën e sotme, duke thënë se në fokus të tij do të jetë fenomeni i kanabisit.
Sipas tij, mazhoranca ka pranuar që komisioni të përfshijë dhe çështjen ‘Tahiri’, por thelbi i tij do të jetë më i gjerë, duke marrë me themele fenomenin e kanabisit, që në nisje të tij. Deputeti i PS solli në vëmendje ish-kryeministrin Sali Berisha, kur tha se ai vendosi politikisht të mos ndërhyhej në asnjë rrënjë kanabisi në Lazarat.
“Ne do ta marrim fenomenin që kur ka lindur, edhe rastet kur janë implikuar zyrtarë të policisë. Do hetojmë fenomenin, që ka një datë kur fillon, kur shfaqet. Mazhoranca ka pranuar të përfshihet dhe çështja Tahiri, por në qëndrime të ndryshme të këtij fenomeni edhe ne kemi të drejtë të evidentojmë kushtet dhe rrethanat që kryeministri i asaj kohe ka vendosur politikisht të mos ndërhyhet qoftë dhe në një rrënjë kanabis. Do të hedhim dritë edhe mbi këto fenomene”, deklaroi Ndreu.
Pjesë nga intervista:
Komisioni u mblodh sot për herë të parë, për t’u njohur me rregulloren. Janë procedura standarde të fillimit, ku në përgjithësi ne biem dakord.
Është çështje mjaft delikate për të cilën është ngritur komisioni, mund të ketë debate?
Nuk e paragjykoj nëse do ketë apo jo debat. Nëse flasim për fenomenin duhet ta shtrijmë në kohë, kur u shfaq, si, sa struktura të asaj kohe ishin të afta për ta luftuar. Ne do mundohemi ta shtrijmë në kohë. Ka një fillim dhe duhet ta evidentojmë. Ne kemi një ish-kryeministër që tha “Po, e lejova vetë”. Është çështja e Lazaratit. Ka pretendime të ndryshme, do t’i marrim me radhë të gjithë personat të vijnë të japin dëshmitë e tyre, janë të detyruar të gjithë të vijnë, edhe zyrtarë të politikës edhe ata të policisë.
Lazarati ishte një pjesë, fenomeni u shtri në gjithë Shqipërinë. Do ngrejë problematika të mprehta?
Përvoja e këtyre komisioneve nuk është pozitive. Përjashto komisionin e CEZ, ku hodhëm dritë në shumë pika, megjithatë ne do ta vazhdojmë. Do t’i drejtohemi Prokurorisë për disa çështje, që ne nuk na takon t’i marrim në shqyrtim.
A do jetë e vështirë të dalin dokumente sekretë dhe a do tentohet të bëhen publike?
Nëse janë dokumentet tepër sekret nuk mund të bëhen publike. Do iu qëndrojmë strik rregullave dhe nuk do i bëjmë publike dokumente të tilla. Megjithatë, ata do shqyrtohen sipas rregullave strikt të ruajtjes së sekretit. As nuk do të bëjmë shkelje dhe as nuk do të lejojmë.
Komisioni për çështjen ‘Tahiri’ ...
Jo vetëm për këtë çështje, përfshin dhe këtë. Komisioni ka në fokus fenomenin e kanabisit, ku përfshin dhe çështjen Tahiri.
Mos është në shigjetim ish-kryeministri?
Ne do ta marrim fenomenin që kur ka lindur, edhe rastet kur janë implikuar zyrtarë të policisë. Do hetojmë fenomenin, që ka një datë kur fillon, kur shfaqet. Mazhoranca ka pranuar të përfshihet dhe çështja Tahiri, por në qëndrime të ndryshme të këtij fenomeni edhe ne kemi të drejtë të evidentojmë kushtet dhe rrethanat që kryeministri i asaj kohe ka vendosur politikisht të mos ndërhyhet qoftë dhe në një rrënjë kanabis. Do të hedhim dritë edhe mbi këto fenomene.
Koha është e mjaftueshme kur do operojë komisioni?
Për axhendën do të vendosim ditën e hënë. Nuk mund të thirremi në komision sot për nesër, si me qenë në zbor. Ramë dakord të përcaktojmë disa ditë dhe disa data, ku ne të marrim pjesë në komision dhe t’i shërbejmë.
A mund të prodhojë diçka konkrete dhe si mund të pritet nga ndërkombëtarët?
Nuk paragjykoj çfarë do ndodhë. Unë e vendos veten dhe kolegët e mi që të jemi pro zhvillimit të çdo lloj verifikimi, hetimi, sqarimi në lidhje me fenomenin. Unë e di mirë sa peshë ka secila palë, të dy jemi kokulur para kanabisit, dhe nëse vazhdojmë ta shesim në publik si një fenomen që i takon njërës palë është amorale, e pandershme. Të gjithë bashkë duhet të ulim kokën dhe të kontribuojmë që ky fenomen të mos përsëritet.
Policia e implikuar, sa e rëndë është kjo për PS?
Për sa kohë nuk je i dënuar me një vendim të gjykatës, nuk mund të deklarohesh fajtor.
Ka dhe faj moral...
Po flasim për ligjin, kjo që ndodh në Shqipëri nuk ndodh askund. Nuk sheh rrebesh akuzash, ku duhet të kryqëzohesh, për arsye se dyshohet për dicka. Grabidualisht duhet të ftillohemi dhe të mos ushtrojmë presion te organet e drejtësisë, nëse ka nisur një hetim le t’i shkojë në fund. Pse duhet ta marrim emrin dhe ta shesim në publik si tepër të zi. Nuk e shpall tjetrin fajtor kurrë pa e shpallur gjykata. Në Shqipëri dalin e flasin broçkulla.
Vetting-u në polici, vendi ka probleme me policinë?
Vettingu në polici është i detyrueshëm për shkak të vetting0ut në politik, është zinxhir, i lidhur. Por kjo nuk do të thotë se policia është njollë e zezë. Nuk mund të njolloset policia me tre-katër të inkriminuar. Është institucioni më kredibël i këtij vendi, është në turpin e gjithkujt që e vë policinë në këtë pozicion, sepse policia është përballur me matrapazë. Nuk është institucioni më problematik. Pse ikën tre zyrtarë të policisë nuk do të thotë se u njollos gjithë policia.
d.c./shqiptarja.com