Protestuesit kanë marshuar nga monumenti i Pavarësisë në drejtim të Kryeministrisë. Ata kanë paralajmëruar se protesta do jenë maratonë dhe do vijojë për disa ditë përpara Kryeministrisë, derisa t'i presë në takim Edi Rama. Tubimi vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative të datës 3 nëntor, e cila lejoi ndërtimin e tre HEC-ve përgjatë lumit me të njëjtin emër. Aktivistët shprehen se punimet për HEC-et po çojnë drejt shkatërrimit një prej resureve natyrore më të çmuara të vendin ku çdo vit mbledh mijëra turistë të huaj.
“Ndërtimi i HEC-eve” është fillimi i fundit të Valbonës”, kështu është shprehur amerikania Catherine Bohne, e njohur edhe si amerikania e Valbonës, e cila prej kohësh është pjesë e lëvizjes “Mos ma prek Valbonën”. Sipas saj argumentat e Kryeministrit Rama janë absurde, duke u shprehur se ka 100 mënyra për ti ndaluar punimet, por, thekson ajo, “brenda dyerve të kryeministritsë bie era korrupsion”.
“Ndërtimi i HEC-eve është shkatërrimi i vendit, fundi i Valbonës nëse vazhdon. Nëse plani vazhdon është fillimi i fundit të Valbonës. Ne kërkojmë ndalimin e ndërtimeve, por deri tani argumentat e qeverisë se pse nuk i kanë ndaluar janë absurde. Ka 100 mënyra për ta prishur kontartën pa paguar asnjë lek. Ligji për mbrojtjen e zonave të mbrojtura thotë se një ndërtim i tillë është i paligjshëm. Rama të thotë se Valbona është më pak e virgjër? Si më pak e virgjër, o është e virgjër o nuk është. Ky është argument absurd. Ne nuk jemi budallenj e kuptojmë se çfarë po ndodh., duket që bie era korrupsion brenda dyerve të Kryeministrisë”, tha amerikania Catherine Bohne.
"Në letrën time i kam thënë të gjitha: "Mos ma prek Valbonën". Nuk i përkas asnjë partie politike, nuk i jam bashkuar asnjë partie, nuk i jam drejtuar asnjë partie, unë i përkas Valbonës, i përkas Tropojës. Valbona dhe Tropoja i përkasin Shqipërisë". Ky ka qenë apeli i Edonës, vajzës nga Tropoja e cila i është drejtuar edhe me një letër kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, i cili edhe iu përgjigj shqetësimit të së resë për ndërtimin e HEC-ve në Valbonë. "Tek ne është ndryshimi dhe zëri ynë duhet të dëgjohet dhe të jemi bashkë për të mbrojtur këtë pasuri të popullit shqiptar", tha ajo nga protesta përpara Kryeministrisë.
Për pedagogun dhe aktivistin e Shoqërisë Civile, Ervin Goci, HEC-et e legjitimuara nga qeveria dhe gjykatat, po sjellin edhe konflikte sociale. “HEC-et po sjellin edhe konflikt social, banorët po kapen me njëri-tjetrin. Kemi 34 të arrestuar për shkak të konflikteve, një të vrarë dhe një tentative vrasje për këtë shkak. Qeveria po bën atentat ndaj qytetarëve. Valbona është Park Kombëtar, duhet ruajtur. Kryeministri tha se do bëjë një HEC si në Austri, por sot kemi kanale të hapura përgjatë lumit, kaloni buzë lumit dhe e gjitha është e shkatërruar. Këtu po bëhet krim. Atje po hidhet dinamit, po bëhen rrugë dytësore të cilat nuk i lejon ligji aktual. Gjithçka aty do shkojë në konflikt dhe përgjegjësinë aty do ta mbajë ky që është lart (për Ramën). Ai gjykatësi e ka kaluar Vettingun? Sot çdo vendim është me pikëpyetje, këto gjyqtarë që ne shohim", tha Goci.
[gallery]24743[/gallery]

VIDEO








