Pas 13 seancash gjyqësore sot është marrë vendimi nga Gjykata Administrative në Durrës, për realizimin e projektit Veliera në rrënojat muzeale në Durrës.

Gjykata ka vendosur që të rifillojnë punimet, ndërtimi është ndaluar vetëm në zonën A. Kjo ka bërë që  Shoqëria Civile të mbetet e pakënaqur.

Avokatja e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo u shpreh se "nuk jemi as vetë të qartë, nëse është fitore apo humbje, pasi është një vendim enigmatik.

“U pranua pjesërisht padia, u nxorr jashtë juridiksionit një pjesë e pikave të padisë që ne kishim, si shpërdorim detyre apo prishje e të mirës publike. U ndalua ndërtimi në zonën A, por ajo çka ne kërkuam që ky ndërtim është i paligjshëm nuk u shpreh. Pra kjo nuk është as mish as peshk”, tha avokatja Mirela Jorgo.

I një zëri ka qenë edhe përfaqësuesi i shoqërisë civile, Sazan Guri i cili është shprehur se vendimi mund të ketë vendim, politik, por kjo ccështje do të shkojë në apel. Nëse nuk do të ketë një përgjigje pozitive, çështja do të shkojë në Strazburg.

“Pikërisht ne këtë kërkojmë që të mbahet qëndrim ligjor, penal administrativ, civil për çfarë është bërë dhe jo çfarë mund të rregullojnë tani mbrapa. Takimi final me trupën gjykuese, prokurorët, apo çështjen e drejtësisë shqiptare ne do të takohemi në Strasburg, ne nuk tërhiqemi nga kjo”, u shpreh Sazan Guri.

Ndërtimi i nënkalimit tek Veliera prej kohësh ka hapur një debat, ku Shoqëria Civile ka protestuar në lidhje me ndërtimin në një zonë ku janë zbuluar rrënojat e shekullit të 17. Shoqëria civile ka kërkuar edhe dënimin e Vangjush Dakos për shpërdorim detyre dhe shkatërrim të pronës publike. Kjo akuzë nuk është marrë në konsideratë nga ana e gjykatës.

Pezullimi i punimeve në projektin Veliera është bërë që në muajin shkurt të vitit 2017.

Er.K/Shqiptarja.com