Pesë shtetas të huaj, 4 prej të cilëve nga Algjeria janë ndaluar nga policia e Tepelenës, pasi kanë tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin. Burime të policisë së Gjirokastrës njoftojnë se kanë finalizuar, operacionin antitrafik, ku si rezultat në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë, në afërsi të postbllokut të Policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë, kanë ndaluar automjetin tip Benz taksi që drejtohej nga shtetasi Nekim Koçi dhe udhëtonin shtetasit e huaj.

Për të shmangur postbllokun e policisë që funksionon 24 orë në aksin rrugor Gjirokastër -Tepelene në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, drejtuesi i automjetit rreth 500 metra pa afruar në postbllok i ka zbritur shtetasit e huaj dhe i ka drejtuar për në shtratin e lumit Drino, me qëllim kalimin me këmbë deri në krahun tjetër të postbllokut të policisë .

Policia ka mundur të identifikojë automjetin si dhe të kapë në flagrancë drejtuesin e mjetit Nekim Koçi. Po vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë e një grupi kriminal në fushën e trafikut të qenieve njerëzorë që merren me trafikun e shtetasve të huaj nga Athina në Shqipëri e më pas në Malin e Zi, kundrejt vlerës 1500 euro për person.

(aq/Gre.M/Shqiptarja.com)