Po ndjek me vëmendje debatin për reformën territoriale, propozimin e PS për reduktimin e 15 bashkive si dhe reagimin kundër të kryetarëve të bashkive të PS dhe thirrjet për protesta. Në këtë debat nuk kam parë asnjë argument të vërtetë nga ata që e kundërshtojnë ndarjen e re, se përse nuk duhet të ketë bashkim bashkish. I vetmi "arsyetim" ngelet ai që shërbimet ndaj qytetarit do largohen kaq e aq kilometra, pa argumentuar nëse shërbimet do përmirësohen apo do përkeqësohen.
Argumenti i mësipërm është më i dobëti, pasi nëse do mbështeteshim mbi kilometrat nga qendra e bashkisë, reforma e vitit 2014, e cila zëvendësoi rreth 400 njësi administrative me 61 bashki, nuk duhej të ishte kryer. Reforma e vitit 2014 u votua me shumicë absolute kurse opozita i dha mbështetjen më të fuqishme se sa mazhoranca duke mos marrë pjesë në të. Nisur nga filozofia e një force të djathtë, për një administratë më të vogël, më të aftë dhe financiarisht të qëndrueshme, si dhe realiteti që sundon në këto bashki, po ju jap disa argumente që ky propozim mund të mos jetë më i miri, pasi këtë do e vërtetojë koha, por ai niset nga premisa për të nxitur zhvillimin dhe interesi i qytetarëve.
1. Asnjë nga këto bashki, drejtuesit e të cilëve pretendojnë se bashkimi po zhduk kufijtë historikë, nuk kanë qenë të tilla. Ato janë krijuar si bashki nga reforma territoriale e vitit 2014, pra historia e tyre është vetëm 12-vjeçare dhe ndryshimi i kufijve është i mundshëm.
2. Në të gjitha këto bashki, duke filluar nga viti 2014 e deri më sot, për shkak të migrimit të brendshëm apo të jashtëm, ka rënë ndjeshëm numri i popullsisë me rreth 20-40%, gjë që jo vetëm ul ndjeshëm efikasitetin e këtyre njësive vendore, por nuk gjen as njerëz të kualifikuar për t'u punësuar në administratat përkatëse.
Të gjitha këto bashki gjatë 12 vjetëve ekzistencë, nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë veten financiarisht, nuk kanë kapacitet fiskal, nuk prodhojnë dot të ardhura sepse nuk mbledhin dot taksa ngaqë kanë territor dhe numër të kufizuar banorësh.
Sikur këto bashki të mbledhin të gjithë kapacitetin teorik fiskal të tyre, ato nuk janë në gjendje të financojnë as 50% të pagave të personelit, pale të investojnë ndonjë lek në zhvillimin e komunitetit.
Burimi i vetëm financiar për financimin e projekteve për zhvillimin e komuniteteve kanë qenë dhe mbeten fondet nga buxheti qendror.
Atëherë përse duhet të jenë më vete këto bashki kur nuk nxjerrin dot as bukën e gojës? Duhet t'i kemi më vete dhe të paguajmë nga taksat tona për kryetarin e bashkisë dhe për të vjedhur tenderat e fondeve për investime që marrin nga pushteti qendror?
3. Pretendimi që ndarja e propozuar është politike dhe synon votat për zgjedhjet vendore të vitit 2027 është tërësisht absurd dhe i pambështetur. Ndarja e propozuar nuk është politike. Nga 15 bashki që propozohet të bashkohen deri më tani:
2 bashki i ka fituar bindshëm PD.
2 bashki i ka fituar me diferencë të ngushtë PS.
11 bashki i ka fituar thellë PS.
4. Të gjitha qendrat e këtyre bashkive, me propozimin e ri do kenë statusin qytet-bashki, sikurse e kanë pasur deri në vitin 2014, me kompetenca të rritura në fushën financiare, arsim, shëndetësi, transport.
Ka plot argumente të tjerë në favor të propozimit por po ngelëm në ato thelbësoret.
Deri më sot, nga pushteti vendor kanë reaguar kundër ndarjes të re, të zgjedhurit e PS dhe jo të PD. Me sa duket mendojnë për karriget dhe privilegjet që nuk do i kenë pas zgjedhjeve të vitit 2027.
Si dhe në të kaluarën, nuk po lejoj komente në këtë postim, pasi populli inteligjent dhe krijues i FB dhe militantët partiakë flasin vetëm me tqr, tqp, zagar i shitur tek Rama, tradhtar i udhëheqësit legjendar, tradhtove legjendën ashtu si Enverin e tradhtonin shokët, etj. Kush dëshiron të me kundërshtojë, le të më shkruajë në inbox me argumente se përse arsyetimi im është i gabuar.
Shpresoj që ndonjë lexues racional të më kundërshtojë me fakte dhe jo me parrulla për të shtuar radhët e protestës.
-
"Spjegim" i qarte dhe shume i nevojshem per publikun ! Nuk gjej argument per ta kundershtuar ! Tironci
Përgjigju










Komente
Komento