Ashtu siç edhe pritej, Sali Berisha ka sinjalizuar sot nisjen e një vale sulmesh ndaj ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt, i cili që në ditët e para të zbarkimit në Tiranë, i ka dhënë Berishës katër goditje përvëluese.
Së pari, Sali Berisha, ndoshta për shkak të damkës nongrata, nuk u ftua në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, për pritjen e ambasadorit Eric Wendt.
Së dyti, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, zhvilloi në 30 shtator, takimin e parë me kryeministrin Edi Rama pas fillimit zyrtar të misionit të tij diplomatik në vendin tonë.
Së treti, Ditën e djeshme, ambasadori Amerikan në vendin tonë, Eric Wendt i shoqëruar nga dy senatorë amerikanë, zhvilloi një takim në SPAK me kreun e këtij institucioni Klodian Braho dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Joni Keta, duke konfirmuar kësisoj mbështejen për SPAK, strukturën që po godet krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta.
Së katërti, dhe kjo duket edhe si më poshtëruese për Berishën, Ambasadori i ri i SHBA-ve Eric Wendt, zhvilloi një takim me deputetët e opozitës Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ivi Kaso dhe përfaqësues të partive të vogla, duke shmangur kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Takimi është një mesazh i qartë amerikanët jo vetëm nuk e njohin Berishën si kryetar të opozitës, por ndoshta preferojnë zonjën Tabaku në krye të PD-së.
Në këtë kushte, Sali Berisha, duke iu referuar vizitës në SPAK të kryebiplomatit, akuzoi sot ambasadorin amerikan Eric Wendt se kishte vizituar armikun e egër të pluralizimit, praktikisht armikun e familjes së tij, për shkak të dosjes penale 'ish-Klubi Partizani' për Berishën dhe dhëndrin e tij, për korrupsion dhe pastrim parash.
“Kam parë lajmin. Dhe e vërteta është që SPAK-u është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij. Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t’i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK-ut. Se SPAK-u amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij.
Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libër, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar. Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut. Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik. Dhe kjo është e faktuar, s’ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton. Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik”, tha Berisha.
Kryezëdhënësi i Berishës, Alfred Lela, i cili rreh gjoksin në oborrin e SHQUP-it si njeri i amerikanëve meqenëse ka punuar disa muaj si banakier në një bar në SHBA, sinjalizon disa muaj më parë se opozita, d.m.th. Berisha, nuk do të ngutet për t’i fryrë kosit, duke sulmuar, ndoshta që javët e para, ambasadorin e ri amerikan, në kuadër të traditës 20-vjeçare, duke shpresuar se Eric Wendt, ndryshe nga Widhers, Arvizu, Lu dhe Kim, nuk do t’a sulmojë opozitën dhe as nuk do t’a ftojë atë të hajë bar.
Kryezëdhënësi i Berishës, ndoshta me porosi të këtij të fundit, i parashtroi ambasadorit amerikan pesë kërkesa, në formë kushtesh, duke i vizatuar disa vija sjelleje gjatë misionit në Tiranë, sa jodiplomatike aq edhe fyese, si të ishte një oborrtar i SHQUP-it. Vizia në SPAK, takimi me Ramën, shpallja non grata e Berishës në ceremoninë e ambasadës dhe takimi me tre deputetët e PD duke shmangur Berishën, konfirmon se ambasadori amerikan Eric Wendt e ka hedhur në koshin e plehrave platformën e Fred Lelës, praktikisht të Berishës, me këshilla se si duhet të sillej dhe çfarë qëndrimesh duhet të mbante në Tiranë./ Prapaskena










Komente
Komento