Bullgaria duket se ka një fitues të qartë në zgjedhjet parlamentare, por jo një zgjidhje të thjeshtë politike. Exit poll-et e publikuara pas mbylljes së votimit nxjerrin në krye Rumen Radev dhe partinë e tij “Bullgaria Progresive”, me rreth 37–39% të votave .

Sipas Alpha Research, kjo forcë politike ka marrë 38.1%, ndërsa GERB – UDF renditet e dyta me 15.9% dhe koalicioni “Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” i treti me 14.1%. Rezultate shumë të ngjashme japin edhe agjencitë e tjera: Market Links e nxjerr Radev në 38.9%, Trend në 39.2% dhe “Measure” në 38.7%, duke konfirmuar një epërsi të qartë dhe të qëndrueshme .

Në të gjitha sondazhet, GERB lëviz mes 14.8% dhe 15.9%, një rënie e ndjeshme për partinë që ka dominuar politikën bullgare për më shumë se një dekadë. Në vend të tretë, liberalët mbeten në intervalin 13–14%.

Më pas renditen partitë më të vogla: DPS me rreth 7.5% deri në 9.2%, “Vazrazhdane” me rreth 5% dhe socialistët e “BSP – United Left” qëndrojnë në kufirin e pragut me rreth 4–4.2%, duke rrezikuar të mbeten jashtë Parlamentit.

Në total, nga 24 parti dhe koalicione që ishin në garë, vetëm rreth 5 deri në 6 pritet të hyjnë në Parlament.

Megjithatë, edhe pse diferenca është e madhe dhe Radev ka më shumë se dyfishin e votave të rivalëve, ai nuk arrin shumicën absolute për të formuar qeverinë i vetëm. Kjo do të thotë se vendi hyn sërish në negociata për koalicion, në një parlament të fragmentuar.

Këto janë zgjedhjet e teta në pesë vitet e fundit, një tregues i paqëndrueshmërisë së gjatë politike në vend, ku nuk është arritur të krijohet një qeveri e qëndrueshme.

Rreth 6.5 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje, të zhvilluara në mbi 12 mijë qendra votimi brenda vendit dhe rreth 500 jashtë tij. Procesi nisi në orën 07:00 dhe u mbyll në 20:00, ndërsa pjesëmarrja arriti në rreth 38.6% deri në orën 17:00, më e lartë se në votimet e mëparshme.

Gjatë ditës u regjistruan qindra denoncime për parregullsi dhe manipulim votash. Tre persona u arrestuan dhe u sekuestruan rreth 40 mijë euro të dyshuara për blerje vote. Mes rasteve më të rënda ishte ai i një komisioneri që hodhi 10 vota në emër të personave të tjerë.

Procesi u shoqërua edhe me probleme teknike, ku të paktën 36 makina votimi dolën jashtë funksionit dhe në disa raste pati vështirësi me identifikimin e votuesve.

Në planin politik, këto zgjedhje shënojnë një ndryshim të fortë balancash. Radev hyri në garë vetëm pak muaj më parë, pasi dha dorëheqjen si president, me premtimin për të luftuar korrupsionin dhe për të çmontuar atë që e quan “model oligarkik”.

Ai ka ndërtuar profilin e një lideri kritik ndaj politikave të fundit të BE-së dhe ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndërsa kundërshtarët e akuzojnë për qëndrime të afërta me Rusinë. Vetë Radev i ka mohuar këto akuza, duke theksuar se qëndrimet e tij janë “pro-bullgare”.

Nga ana tjetër, lideri i GERB, Boyko Borisov paralajmëroi gjatë ditës së votimit se mund të mos formohet fare qeveri, duke reflektuar pasigurinë politike që pritet pas këtyre rezultateve.

Pas shpalljes së exit poll-eve, Radev deklaroi se fitorja ishte e pritshme, duke e lidhur atë me mbështetjen që, sipas tij, u pa gjatë fushatës në të gjithë vendin. Ai shtoi se është i gatshëm për “opsione të ndryshme” për të formuar një qeveri të qëndrueshme dhe për të shmangur zgjedhje të reja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:11
Zgjedhjet në Bullgari, sondazhet: Radev kryeson me 37.5%, Borisov i dyti

Sondazhet e agjencisë Alpha Research në Bullgari tregojnë një epërsi të qartë për ish presidentin pro-rus Rumen Radev.

Sipas të dhënave bazuar në pjesëmarrjen e orës 14:00 me orën lokale, partia e tij “Bullgaria Progresive” kryeson me rreth 37.5% të votave.

Në vend të dytë renditet GERB i Boyko Borisov me 16.7%, ndërsa liberalët mbajnë vendin e tretë me 14.9%.

Këto janë të dhëna paraprake dhe jo zyrtare, pasi publikimi i exit poll-eve ndalohet deri në mbylljen e votimit.

Ora 17:45
328 shkelje zgjedhore dhe 26 procedime penale në Bullgari, arrestohet komisioneri që hodhi 10 vota në kutinë e votimit

Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Georgi Kandev

328 sinjalizime për shkelje zgjedhore dhe 26 procedime penale janë regjistruar deri në orën 16:30 në Bullgari.

Shifrat u bënë publike nga Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Georgi Kandev, gjatë një deklarate për mediat.

Një nga rastet më të rënda është regjistruar në rajonin e Montanës, në fshatin Septemvriytsi, ku një anëtar i komisionit zgjedhor ka hedhur 10 vota në emër të personave të tjerë, në shkelje të ligjit.

Sipas autoriteteve, ai është ndaluar për 24 orë, ndërsa janë marrë në pyetje dy dëshmitarë dhe priten edhe të tjerë. Emri i subjektit politik me të cilin lidhet pritet të bëhet publik.

Ndërkohë, Kandev paralajmëroi se me afrimin e mbylljes së procesit, blerja e votave bëhet më aktive.

“Kemi përgatitur surpriza për blerësit e votave,” tha ai.

Procesi zgjedhor po vijon, ndërsa autoritetet theksojnë se kontrollet janë shtuar në orët e fundit të votimit.

Ora 17:39
Zgjedhjet në Bullgari, Kryeministri Gyurov zbulon skenarin: 50 persona me imunitet gati të blejnë vota

Kryeministri bullgar Andrey Gyurov tha pasditen e së dielës se ka informacion për rreth 50 persona me imunitet që mund të përfshihen në blerje votash në orët e fundit të procesit.

Sipas tij, këta persona po shihen si një përpjekje e fundit për të siguruar hyrjen në Parlament. Ai shtoi se Ministria e Brendshme po i monitoron dhe do të ndërhyjë nëse është e nevojshme.

“Ju mund t’i ndalni me votën tuaj,” shkroi Gyurov, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim.

Procesi zgjedhor po shkon drejt mbylljes, ndërsa vëmendja e mediave bullgare mbetet te respektimi i rregullave dhe shmangia e manipulimeve.

Ora 17:14
Votimi elektronik në Bullgari kalon testin, më pak se 1% defekte nga 9,300 makina votimi në përdorim

zgjedhjet parlamentare në Bullgari këtë të diel, votimi po zhvillohet edhe elektronikisht, ndërsa shumica dërrmuese e pajisjeve rezultojnë funksionale.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 9,300 makina votimi janë në përdorim në të gjithë vendin dhe më shumë se 99% e tyre po funksionojnë normalisht.

Autoritetet bëjnë me dije se sinjalizimet për probleme teknike janë në më pak se 1% të rasteve dhe nuk ka asnjë provë për dështim të sistemit apo probleme serioze me votimin elektronik.

Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për vështirësi të vogla teknike në nivel lokal, që nuk kanë ndërprerë procesin zgjedhor dhe shpesh nuk kanë kërkuar as heqjen e pajisjeve nga përdorimi.

Ekipet teknike të kompanisë “Siela Norma”, që menaxhon sistemin, kanë ndërhyrë menjëherë në çdo rast, duke rikthyer pajisjet në funksion brenda një kohe të shkurtër.

Po ashtu, nuk janë raportuar probleme me programin e makinave, ndërsa sistemet po funksionojnë brenda parametrave normalë teknikë.

Konfirmimi erdhi edhe nga ministri i Brendshëm në detyrë, Emil Dechev, i cili në një reagim publik theksoi se procesi i votimit elektronik po vijon pa probleme madhore.

 

Ora 16:48
Bullgaria voton, pjesëmarrja rritet në 38.6%, procesi zgjatet deri në orën 20:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari vijon të rritet ndjeshëm. Sipas exit polleve të para, deri në orën 17:00 kanë votuar 38.6% e qytetarëve.

Procesi i votimit nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në orën 20:00 me orën lokale. Megjithatë, autoritetet sqarojnë se nëse ka ende qytetarë në radhë, votimi do të vijojë edhe pas këtij orari.

Në total, 6,575,151 qytetarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje të parakohshme, ndërsa procesi po zhvillohet si me fletë votimi por edhe elektronikisht.

Ora 16:03
Zgjedhjet në Bullgari, analisti: Pjesëmarrja e lartë në votime lidhet me zhvillimet në Hungari

Svetlin Tachev

Pjesëmarrja e lartë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari nuk është rastësi. Sipas analistëve, ajo lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht në Hungari.

Sociologu Svetlin Tachev nga agjencia “Myara” tha në një intervistë për radion publike bullgare se pjesëmarrja në zgjedhje është dukshëm më e lartë se në zgjedhjet e fundit.

“Në këto zgjedhje shohim një rritje të pjesëmarrjes, që tejkalon edhe nivelet para prillit 2021, kur votuan mbi 3 milionë qytetarë,” u shpreh ai

 Tachev tha se kjo rritje lidhet edhe me atë që ka ndodhur në Hungari dhe la të kuptohet për një efekt rajonal në mobilizimin e votuesve.

Ai shtoi se pritet që pjesëmarrja të rritet edhe më shumë deri në mbylljen e procesit, pasi shumica e qytetarëve votojnë zakonisht pasdite.

“Shpresoj që ta kalojmë këtë nivel deri në fund të ditës dhe u bëj thirrje njerëzve të dalin të votojnë,” tha Tachev.

Ora 15:55
Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, KQZ: Pjesëmarrja në votime arrin deri në 34.63% deri në orën 16:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari vijon të rritet me ritëm të fortë. Deri në orën 16:00, ajo arriti në 34.63%, rreth 9 pikë përqindje më e lartë se në zgjedhjet e fundit.

Shifrat u bënë publike nga zëvendëskryetarja dhe zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rositsa Mateva, e cila theksoi se kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me 26.25% në të njëjtën orë në votimin e kaluar.

Zona me pjesëmarrjen më të lartë rezulton të jetë rajoni i 23-të në Sofje me 43.38%, ndërsa më e ulëta në Kardzhali me 23.34%.

Nga ana tjetër, procesi nuk ka kaluar pa probleme. Deri tani janë regjistruar 182 ankesa dhe sinjalizime, një numër dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e mëparshme.

Shumica e tyre lidhen me vështirësi në votimin elektronik. Qytetarët kanë raportuar makina të bllokuara, vonesa në proces dhe radhë të gjata në qendrat e votimit.

Sipas KQZ-së, 75 makina votimi janë nxjerrë jashtë funksionit brenda vendit, ndërsa jashtë tij janë raportuar vetëm disa raste, të cilat janë zgjidhur.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se, në përgjithësi, procesi zgjedhor po vijon normalisht si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Ndërkohë, votimi ka përfunduar tashmë në disa zona jashtë Bullgarisë, përfshirë Australi, Zelandë të Re dhe disa vende aziatike.

Ora 15:19
Zgjedhjet në Bullgari, kryetari i Partisë Socialiste: Vendi meriton një qeverisje të ndershme

Lideri i Partisë Socialiste Bullgare, Krum Zarkov, ka votuar në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se zgjedhja e tij është për një Bullgari më të drejtë.

“Votova për një vend ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku pasuria shpërndahet në mënyrë të drejtë”, u shpreh ai, duke shtuar se pret një rezultat të mirë dhe “ditë më të mira përpara”.

Zarkov tha se ka ushtruar të drejtën e votës sepse vlerëson demokracinë dhe ndihet i përgjegjshëm për atë që ndodh në vend.

Sa i takon formimit të qeverisë, ai theksoi se qytetarët meritojnë më në fund një qeverisje të qëndrueshme, kompetente dhe dinjitoze, duke shtuar se kjo është detyrë e të gjitha forcave politike që marrin pjesë në zgjedhje.

Ora 15:12
Zgjedhjet në Bullgari, 181 denoncime për manipulim votash, 3 të arrestuar dhe 40 mijë euro të sekuestruara

181 sinjalizime për manipulim votash janë regjistruar deri në orën 14:00 në Bullgari, ndërsa 13 procedime penale janë hapur nga autoritetet.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Georgi Kandev, i cili theksoi se ndërhyrjet policore kanë nisur që në orët e para të mëngjesit.

Në Smolyan janë zhvilluar dy operacione, ku policia ka kontrolluar një automjet dhe tre banesa. Si rezultat, janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar 40 mijë euro, të dyshuara për blerje vote.

Sipas tij, me afrimin e mbylljes së procesit, aktiviteti për blerje vote rritet, por policia është e përgatitur dhe “ka surpriza” për shkelësit.

Më herët gjatë ditës, deri në orën 11:00, ishin raportuar 93 sinjalizime dhe ishin hapur 8 procedime penale, çka tregon një rritje të ndjeshme të rasteve brenda pak orësh.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë.

Ora 15:08
Radhë të gjata në Londër, emigrantët bullgarë dalin herët për të votuar: Nuk do t’ia arrijnë të na ndalin!

Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Bullgari po vazhdon edhe në Londër, ku qytetarët bullgarë që jetojnë në Britani janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit.

Pamjet tregojnë radhë janë krijuar që përpara hapjes së qendrave të votimit, ndërsa në ambientet e ambasadës bullgare janë ngritur gjithsej shtatë seksione.

Personat që prisnin në radhë thanë se kishin shkuar herët për të shmangur fluksin, por ngritën edhe shqetësime për vështirësi në ushtrimin e të drejtës së votës.

Megjithatë, ata u shprehën të vendosur se do të votojnë, pavarësisht pengesave, duke theksuar se “nuk do t’ia dalin t’i ndalin”.

Ora 14:57
Zgjedhjet në Bullgari, ish presidenti pro-rus voton dhe sulmon rivalët, Radev: Sot është shansi historik për t’u ndarë nga modeli i Borisovit

Ish-presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka votuar këtë mëngjes në Sofje, duke zgjedhur votimin elektronik, ndërsa ka lëshuar një thirrje të fortë politike për qytetarët.

“Sot Bullgaria ka një shans historik për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga modeli ‘Borisov-Peevski’”, deklaroi ai, duke u bërë thirrje njerëzve të dalin masivisht në votime “që të rikthejmë shtetin”.

Radev theksoi se vendi përballet me çështje të rëndësishme, duke nisur nga zgjedhja e një Këshilli të ri të Lartë Gjyqësor dhe më pas një prokurori të ri të përgjithshëm.

Sipas tij, prioritet mbetet krijimi i një qeverie të qëndrueshme që t’u japë zgjidhje problemeve të qytetarëve.

Në fund, presidenti përgëzoi punonjësit e Ministrisë së Brendshme për punën dhe u bëri thirrje komisionerëve të qendrave të votimit të tregojnë përgjegjësi gjatë procesit.

Ora 14:44
Zgjedhjet në Bullgari, Borisov voton dhe paralajmëron bllokim: Nuk shoh asnjë mundësi për qeveri pas zgjedhjeve

Lideri i partisë GERB, Boyko Borisov, ka votuar këtë të diel në Bankya por ka dhënë një mesazh të fortë politik për atë që pritet pas zgjedhjeve.

“Për mendimin tim, nuk ka asnjë shans të formohet një qeveri pas zgjedhjeve”, deklaroi ai, duke theksuar se nuk sheh me kë mund të krijojë koalicion.

Borisov u shpreh i prerë se nuk do të bashkëpunojë me modelin që, sipas tij, përfaqësohet nga Radev dhe Koprinkov, ndërsa shtoi se partia e tij i ka bërë tashmë të gjitha kompromiset e mundshme në të kaluarën.

Ai ngriti akuza edhe për procesin zgjedhor, duke folur për dështime masive të makinave të votimit në disa zona.

“Një kompani private, me teknikë privatë dhe kaçavida në dorë, po ndërhyn te makinat. Ky është fakt”, tha Borisov, duke shtuar se paralajmërimet për probleme të tilla ishin dhënë më herët.

Sipas tij, ka edhe tentativa për manipulim të votës, duke pretenduar se janë gjetur fletë votimi të komprometuara në Dobrich dhe Shumen.

Në fund, Borisov theksoi se GERB mbetet fort në linjën pro-evropiane, duke e lidhur të ardhmen e Bullgarisë me një Evropë të fortë.

Ora 14:40
Zgjedhjet në Bullgari, pjesëmarrja arrin 12.12% deri në 11:00, probleme me votimin elektronik

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari ka arritur në 12.12% deri në orën 11:00, duke shënuar rritje krahasuar me 9.55% në të njëjtën orë në zgjedhjet e mëparshme.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi po vijon normalisht, ndërsa zonat me pjesëmarrjen më të ulët janë në Kardzhali dhe më e larta në Vratsa.

KQZ ka raportuar edhe për problememe pajisjet elektronike: 36 makina votimi nuk funksionojnë aktualisht, pjesa më e madhe në Haskovo, për arsye të ndryshme teknike ndërkohë që ka pasur raste kur kartat e identietit të votuesve nuk janë njohur nga makinat e votës.