Maryna dhe Oleksandri, mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022, kur Rusia nisi sulmet e paprovokuara ndaj atdheut të tyre, ishin dy të huaj për njëri-tjetrin.
“U zgjova në orën 5:00 të mëngjesit nga zhurmat e raketave, dhe isha plotësisht e tronditur. Unë jetoja me mamin dhe babin në atë kohë. Kështu që vrapova në dhomën e tyre dhe i pyeta: “Çfarë është?” Dhe ajo u kthye nga unë dhe më tha: “Është luftë”, thotë Maryna Lytvynenko
“Isha në shtëpi. Nuk kuptova asgjë, sepse natën kisha fjetur shumë thellë dhe nuk kisha dëgjuar asgjë. Gjatë rrugës për në punë dëgjova tre ose katër shpërthime të mëdha që dukeshin sikur po ndodhnin nëpër qytet. Nuk ishim të përgatitur për një situatë të tillë”, shprehet Oleksandr Lytvynenko
Në Kharkiv, një nga qytetet më të goditura, Maryna dhe familja e saj u gjendën të papërgatitur. Për tre ditë me radhë, 6 persona u izoluan në një bodrum të vogël në periferi, pa ujë dhe pa energji elektrike.
“Kaluam tre ditë pa ujë, pa energji elektrike dhe na u desh të shkrinim borën për të pirë ujë. Ishin tre ditët e para të luftës. Ishte një përvojë e çmendur”, thotë për Report Tv Maryna.
Të njëjtën frikë dhe pasiguri për muaj me radhë edhe për Oleksandrin në Odesa.
“Një nga raketat ra pranë shtëpisë së kolegut tim. Shtëpia ime thjesht po dridhej nga vala goditëse. Ishte shumë, shumë e frikshme”.
Rrugët e tyre drejt Shqipërisë ishin të ndryshme. Maryna provoi fillimisht Gjermaninë, por e pati të vështirë të integrohej. Oleksandri erdhi në gusht të 2024-s, i tërhequr edhe nga fakti që motra e tij jetonte këtu.
“Fillimisht ishim në Gjermani sepse menduam se do të ishte më e lehtë për ne. Por kur shkuam atje kuptuam se është shumë e vështirë të integrohesh me të gjitha dokumentet. Ishim të stresuar gjatë gjithë kohës. Pastaj erdhëm këtu ku gjerat ishin më të lehta. Babai im vdiq për shkak të sëmundjes që kishte. Kjo ishte arsyeja kryesore pse ne vendosëm të shkonim diku vetëm. Halla ime, gjyshja ime, vëllai im, janë ende në Harkiv dhe unë i telefonoj çdo ditë dhe ata në fakt janë aq të dashuruar me shtëpinë e tyre sa nuk duan të largohen”, kujton Maryna.
“ Nuk lejohet që të ikim nga vendi, por kanë disa kategori. Unë kisha disa probleme me shëndetin, veçanërisht me sytë ehe nuk mund të luftoja. Kështu që mora dokumentet për të kaluar kufirin. por mund të them se ishte shumë, shumë e vështirë”, shprehet Oleksandr Lytvynenko.
Fati do t'i bashkonte në Sarandë. Aleksi kishte rreth dy muaj që kishte mbërritur në Shqipëri dhe po kalonte një periudhë të vështirë, por një mesazh i ndryshoi jetën.
“U takuam në Sarandë. Unë jetoja atje prej dy vitesh, ndërsa Aleks sapo kishte ardhur. Unë i shkrova e para”, na tregon Maryna.
Në Shqipëri gjetën jo vetëm paqen dhe sigurinë për jetën por edhe dashurinë për njëri-tjetrin dhe vendin e kurorëzimit të saj.
“Tani jemi burrë e grua. Jemi bashkë prej një viti e gjysmë dhe u martuam zyrtarisht këtu më 28 janar”, thotë Oleksandr.
Sot, ata kanë hapur një studio për krijimin e videove me inteligjencë artificiale në Tiranë, duke bashkëpunuar me biznese dhe produksione vendase. Çifti po planifikon të ardhmen në vendin tonë, madje edhe të rrisin fëmijë këtu.
....
Edhe për Svitlana Lapteva, lufta ishte një realitet i papritur. Ajo ndodhej në Turqi kur nisën sulmet dhe arriti t’i shpëtonte tmerreve të para.
“Nuk mund ta besoja që në vendin tim nisi lufta. Ishte diçka e paimagjinueshme. Edhe pse shihnim informacionet në televizion se mund të fillonte, njerëzit përsëri nuk e besonin. Ishte thjesht çmenduri. Zemra ime nuk është e qetë, jam ende në gjendje shoku. Nuk e kuptoj pse duhej të ndodhte kjo? Nuk gjej dot qetësi”, Svitlana Lapteva.
Edhe pse sot ndodhet larg rrezikut, mendja e saj është çdo natë te vëllai në Zaporizhzhia dhe motra në Odesa.
“Vëllai im më thotë se nuk ka qetësi, nuk mund të flenë sepse çdo natë shtëpitë shkatërrohen dhe njerëzit vdesin. Vëllai im punon në sektorin e energjisë dhe nuk lejohet të largohet, ndërsa motra është atje me bashkëshortin e saj. Çdo ditë shoh lajmet dhe lutem që ata të jenë mirë”, vijon Svitlana
Sapo lufta filloi në vendin e saj, së bashku me bashkëshortin Svitlana la pas Turqinë dhe zgjodhën Shqipërinë dhe sot është një fotografe shumë e kërkuar.
“Më pëlqen puna ime sepse i bëj njerëzit të buzëqeshin. Shqipëria është 'relax' për mua. Ndihem e sigurt këtu sepse njerëzit janë të mirë, nuk janë 'të çmendur'. Madje, kur ulem nëpër kafene dhe kuptojnë që jam ukrainase, më shprehin dashuri dhe mbështetje”
Në këtë përvjetor të 4 të luftës, mesazhin për për bashkëkombësit e saj Svitlana e jep në gjuhën e saj amtare.
“Ukrainas, ju bëj thirrje të jeni të fortë. Besoj se së shpejti gjithçka do të përfundojë”, thotë mes emocionesh Svitlana.
Komente










