Një sondazh i fundit i institutit shtetëror rus Vciom i pyeti qytetarët: “A ndiheni përgjegjës për vendin dhe a jeni gati të kufizoni nevojat tuaja për ta mbrojtur?”. 69% u përgjigjën po. Edhe nëse i diskutueshëm, ky është mesazhi që Vladimir Putin kërkon të dëgjojë në përvjetorin e katërt të luftës në Ukrainë, që tashmë ka zgjatur edhe më shumë se sa Lufta e Dytë Botërore për Bashkimin Sovjetik.

Prej vitesh, Putini thotë se forca e një kombi nuk matet vetëm me ekonomi, por me aftësinë e popullit për të duruar sakrifica. Ai i referohet një ideje të quajtur “passionarnost”, pra gatishmëria për të vuajtur për madhështinë e vendit.

1.460 ditë pas nisjes së pushtimit, fitorja e premtuar nuk ka ardhur. Ai synonte disa gjëra njëherësh: zgjerimin e ndikimit rus mbi territore që i konsideron pjesë të “botës ruse”, nënshtrimin e Ukrainës, çarmatosjen e saj dhe kthimin e Rusisë në një fuqi që i imponon respekt Perëndimit. Por rezistenca e fortë e ukrainasve, e mbështetur nga vendet perëndimore, e ktheu konfliktin në një luftë të gjatë konsumimi, me humbje të mëdha njerëzore dhe vetëm përparime të vogla në terren.

Një vit më parë, Putini mendoi se rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund t’i hapte rrugën një marrëveshjeje që do ta detyronte Kievin të pranonte kushtet e Moskës: heqje dorë nga anëtarësimi në NATO, lëshim territoresh dhe mungesë garancish sigurie. Ai mori pjesë në negociata pa hequr dorë nga asnjë kërkesë dhe ndërkohë vazhdoi bombardimet, me shpresën se do të thyente moralin e ukrainasve.

Por pas një viti, pritshmëritë nuk u realizuan. Nuk pati afrime reale me Uashingtonin. Traktati bërthamor New Start skadoi pa u rinovuar. Në Ukrainë, presidenti Donald Trump u përball me kundërshtimin e Zelenskyt dhe presionin e vendeve europiane, të cilat ndryshuan planin fillestar të paqes dhe miratuan një hua prej 90 miliardë eurosh për Kievin.

Ndërkohë, ekonomia ruse po ndien peshën e luftës. TVSH është rritur në 22%, shpenzimet sociale janë ulur dhe çmimet e ushqimeve bazë janë rritur me rreth 20%. Të ardhurat nga gazi dhe nafta nuk mjaftojnë si më parë, edhe për shkak të sanksioneve. Rritja ekonomike është ndalur dhe rreziku i stagflacionit është real.

Në front, lufta kërkon vazhdimisht njerëz. Çdo muaj rekrutohen 30 deri në 40 mijë ushtarë të rinj për t’u dërguar në vijën e parë.

Për Putinin, ndalimi tani do të dukej si pranim i humbjes. Ai ka investuar gjithçka në këtë luftë: pushtet, ekonomi, narrativë kombëtare. Prandaj Vladimir Vladimiroviç nuk do dhe nuk ia lejon dot vetes paqen. Ndërsa vazhdon të hedhë flakë e bomba mbi Ukrainën, edhe brenda Rusisë po shfaqen shenja se kostoja po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Pyetja është: kush do të lodhet i pari.