Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili ishte krah kryeministrit Edi Rama në themelimin e Bordit të Paqes në Uashington, ka dhënë detaje lidhur me këtë organizëm ndërkombëtar dhe funksionimin e tij.

Në një intervistë për emisionin ‘Repolitix‘ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se përfaqësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën është një arritje për vendin tonë.

Demo ndau edhe eksperiencën personale në Uashington, teksa tha se për të ka qenë një moment shumë fatmir, pasi ishte dëshmitar i një nisme me përmasa të tilla në nivel global.

I pyetur nga gazetari nëse ishte ‘i përkëdhelur’ nga kryeministri Edi Rama që e mori me vete në Uashington, Demo tha se kjo do të ishte e tepërt.

Në vijim të fjalës së tij Demo theksoi se selia e Bordit të Paqes do të jetë në Uashington. Ai tha gjithashtu se Shqipëria, sëbashku me Kosovën do të kontribuajnë për ngritjen e forcës së sigurisë në Gaza.

Demo theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të ishin të shkëlqyera dhe partneriteti mes dy vendeve ishte i shkëlqyer. Sipas Demos, një vizitë e kryeministrit Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë ishte krejtësisht e mundur.

Lidhur me akuzat e opozitës se Shqipëria do të duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për të qëndruar në Bordin e Paqes, Demo tha se ishin të pavërteta. Sipas ministrit, Shqipëria nuk do të paguajë asnjë lek për të qëndruar në Bordin e Paqes.

Ervin Demo: Nuk kishte sekret përsa i përket vizitës së kryeministrit në Uashington dhe aq më tepër për praninë e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë bord është një arritje sa i takon vendit tonë. Prezenca ime atje ka qenë një delegacion i ngushtë i drejtuar nga kryeministri dhe është gjykuar që përfqësimi në këtë bord të ishte në këtë nivel. Nuk kishte vend aty me ministra të jashtëm përgjithësisht, kur kanë qenë kryetarët e delegacioneve.

Në nivel personal ka qenë një moment shumë fatmir për të qenë dëshmitar i një nisme të atillë në nivel global dhe aq më tepër për t’u ndjerë akoma më krenar për Shqipërinë, përsa i përket pozicionit të vetë në këtë nismë që drejtohet nga SHBA.

Pyetje: Ka zëra se jeni një ministër i përkëdhelur i kryeministrit, që ju mori atje në Uashington.

Ervin Demo: Unë nuk e di këtë i përkëdhelur apo jo. Kryeministri ka një agjendë të ngjeshur, ku shumë ministra e shoqërojnë në bazë të specifikave që ka çdo takim. Fjala përkëdheli do të ishte e tepërt.

Pyetje: Le të flasim pak për Bordin e Paqes. Ishte një Samit që ka marrë jetë dhe do ta shohë Shqipërinë si anëtare themeluese. Që do të thotë ne do të kemi edhe përfaqësues të qëndrueshëm? Nuk e di ku do jetë selia në Uashington. Dua detaje për mënyrën si do funksionojë Bordi që këtej e tutje.

Ervin Demo: Një ndër vendimet që u morën në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, është për mënyrën sesi do të organizohet ky bord. Patjetër vendet do të kenë përfaqësues, sepse kuptohet që takimet nuk do të jenë gjithmonë në nivel kryetar shtetesh. Dhe besoj që ajo çfarë u dakordësua me unanimitet në atë takim është që të gjithë vendet kanë dhënë dakordësinë e tyre për të kontribuar sipas kapaciteteve të veta. Dhe aq më tepër për të bërë atë që duhet duke iu referuar asaj që po ndodh në Gaza.

Pyetje: Çfarë kontributi do të japë Shqipëria? Ne e kemi një informacion paraprak që do të jetë në raport me atë që do të jetë Policia nesër e Gazës. Dhe Shqipëria dhe Kosova do të kenë një rol mësimor në raport me trajnimin që do i bëhet një force policore prej 12 mijë trupash në Gaza. Por më konkretisht zoti ministër, cili është roli i Shqipërisë?

Ervin Demo: Në këtë fazë, gjatë kësaj vizite është firmosur edhe një marrëveshje e dytë, që ka të bëjë me atë që ju përmendët, që ishte gatishmëria e Shqipërisë dhe 4 vendeve të tjera përsa i përket dhënies së asistencës për ngritjen e kapaciteteve të forcave të sigurisë lokale në territor. Besoj që vende të ndryshme, siç u bë e ditur edhe nga fjala e Presidentit të SHBA-së janë aty për të dhënë kontributin e tyre në kapacitete të ndryshme. Prezente në takim kanë qenë edhe vende të ndryshme të BE-së që kanë qenë aty në nivelin e vëzhguesit, siç mund të ishte Italia por jo vetëm dhe patjetër vendet anëtare që janë tashmë të gjitha publike në uebsaitin e Bordit të Paqes. Selia e këtij Bordi do të jetë në Uashington.

Pyetje: Përsa i përket kësaj trupe policore që do të çojë Shqipëria, kur do ta kemi në axhendë këtë çështje, kur do të kemi një program të qartë për numrin e personave dhe shpenzimet e këtij misioni?

Ervin Demo: Duhet ta kemi të qartë që kjo varet nga disa hapa përpara se ne të shkojmë në atë fazë. Vetë vendet e rajonit sëbashku me SHBA-të janë duke punuar për të çuar përpara këtë plan. Para se të krijohen kushtet për forcën e sigurisë janë disa masa që duhet të përmbushen më parë, si çarmatosje e Hamasit, etj.

Pyetje: Pas kuintave, a patët kontakte me zyrtarë amerikane? Cila është qasja që zyrtarët amerikanë kanë për Shqipërinë?

Ervin Demo: Patjetër, ishte para dhe pas. Kryeministri duke pasur lidhje me shumë prej liderave që ishin në takim, ka zhvilluar edhe takime me ta. Mes tyre edhe me sekretarin Rubio. Tashmë është publike marrëdhëniet e shëndosha që kryeministri ka në rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo e bën akoma më të veçantë rolin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Pyetje: Ka një lloj skepticizmi nga opozita se marrëdhëniet e Shtëpisë së Bardhë me qeverinë shqiptare nuk janë ato që u shfaqën në Bordin e Paqes. Keni një përgjigje?

Ervin Demo: Nuk diskutohet që marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë të shkëlqyeshme. Nuk diskutohet që partneriteti strategjik mes dy vendeve është i shkelqyeshëm. Ajo çfarë do doja të nënvijëzoja është fakti që kjo politika lokaliste ku grupe të caktuara përpiqen të kenë monopolin e marrëdhënieve, apo monopolin e ngjarjeve që ndodhin në botë, është pak e tepërt dhe e tejkaluar. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë të konsoloduara.

Pyetje: A është në axhendë një vizitë e kryeministrit në Shtëpinë e Bardhë?

Ervin Demo: Unë besoj që duke iu referuar marrëdhënieve që Shqipëria ka me SHBA-të, është një gjë krejt normale.

Pyetje: A ka një kosto kjo prania jonë në Bordin e Paqes? Ne kemi marrë një përgjigje nga autoritetet që nuk do jetë ajo shifra e famshme prej 1 miliardë dollarësh.

Ervin Demo: Nuk ka absolutisht asnjë detyrim financiar përsa i përket Shqipërisë. Unë besoj që kontributi dhe pesha që ka secili vend, lidhet edhe me madhësinë dhe kontekstin lokal që ka secili vend.