TIRANE - Ish-të burgosurit politikë kanë kujtuar këtë të diel Lirak Bejkon pasi sot mbushen 40 ditë nga ndarja e tij nga jeta. Miq e të afërm kanë kujtuar të ndjerin, por gjithashtu nuk kanë lënë pa fajësuar qeverinë si shkaktaren kryesore të vdekjes se tij. Të përndjekurit politikë kanë kërkuar që Lirak Bejko të dekorohet nga Presidenti i Republikës.

“Diktatura aktuale ka nëpërkëmbur dhimbjen tonë. Ne i kërkojmë presidentit të Republikës, ka në tryezë dekorimin e Lirak Bejkos, ta bëjë dekorimin sa më parë. Familjes së Lirak Bejkos t’i lidhet një pension dhe t’i jepet një banesë falas”, u shpreh Skënder Tufa.

“Dhimbja është e madhe dhe njëkohësisht edhe krenaria për aktin heroik të detyruar të Lirak Bejkos”, u shpreh Fatmir Lamaj.

Ndërkohë, një tjetër ish-i burgosur politik tha për mikrofonin e A1Report: “I bëj thirrje presidentit ta dekorojë dhe t’i japë titullin dëshmor dhe martir i padrejtësisë dhe të persekutuarve."

Gjithashtu ish-të burgosurit politikë nuk kanë lënë pa përmendur edhe vazhdimësinë e kërkimit të të drejtave të tyre.

Ish- i burgosuri politik Lirak Bejko ndërroi jetë në spitalin e Barit në Itali, i cili u vetëdogj më 10 tetor gjatë kohës që ish-të përndjekurit zhvillonin grevën e urisë.

GREVA
Lirak Bejko ishte pjesë e 24 ish-të përndjekurve politikë të cilët më 22 shtator 2012 nisën një grevë urie në çadrat e vendosura në ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Të indinjuar nga indiferenca e qeverisë e cila nuk pranonte të ulej në bisedime pë plotësimin e kërkesave të tyre, më 8 tetor grevisti Gjergj Ndreca ndërmori aktin e parë të vetëdjegies. Dy ditë më pas i njëjti akt u përsërit edhe nga Lirak Bejko. Ajo ditë ishte dita e 19 e grevës së urisë për plotësimin e kërkesave të tyre, ku më kryesorja ishte dëmshpërblimi për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist.
Greva mori fund më 22 tetor. Çdo ditë e kësaj greve u shoqërua me tensione, presione të forta psikologjike deri dhe në arrestime. Dy ish të përndjekur grevistë, Gjergj Ndreca (8 tetor) dhe Lirak Bejko (10 tetor) u vetëdogjën, gjykata urdhëroi shpërbërjen e grevës, u arrestua koordinatori i grevës Asllan Patrioti, në çadra u ushtruan disa herë kontrolle nga policia dhe ditët e fundit u hoqën lëngjet dhe grevistët mbaheshin vetëm me ujë e cigare. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut e opozitës (kohët e fundit) për të dialoguar, kryeministri iu përgjigj me heshtje duke e quajtur grevën, sipas tij politike pas së cilës fshihej Partia Socialiste. Madje në deklaratat e herëparhershme etiketonte ish të burgosurit politikë në grevë si kriminelë, apo bixhozxhjinj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)