Një vit më vonë, Ukraina kishte vetë dy vatra konflikti: Krimea u aneksua nga Rusia, në Lindje separatistët pro rusë vunë në kontroll pjesë të mëdha të Donbasit. Kjo luftë ka shkaktuar deri sot mijëra të vdekur.
Për OSBE-në, e cila feston ditëlindjen e 40-të këtë të shtunë, Ukraina është kthyer në fushën më të rëndësishme të veprimtarisë. së OSBE-së, e cila monitoron armëpushimin dhe merr pjesë në negociatat e ashtuquajtura Grupi i Kontaktit të Minskut.
Instrument ҫtensionimi gjatë Luftës së Ftohtë
Historia e organizatës filloi gjatë Luftës së Ftohtë. Me nismën e Traktatit të Varshavës që kryesohej nga Bashkimit Sovjetik, nisi në verën e vitit 1973 punën e saj Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE). Ajo synonte ҫtensionimin e konfliktit Lindje-Perëndim. Pas dy vjetësh 35 liderë shtetesh nënshkruan më 1 gusht 1975 në Helsinki dokumentin përfundimtar. Ata u angazhuan, ndër të tjera, për të krijuar më shumë siguri, për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore dhe për respektimin e të drejtatve te njeriut.
Në vendet e bllokut lindor u themeluan grupet e Helsinkit, që angazhoheshin për të drejtat e njeriut pas Perdes së Hekurt.
Pas shpërbërjes së bllokut lindor, KSBE-ja u përball me sfida të reja. Ajo u ndihmoi shtetete pasuese të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve te tjera ish-komuniste për të ndërtuar demokracinë. Shumë njerëz atje, e njohin këtë organizatë kryesisht prej misioneve për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Në vitin 1995, KSBE u quajt OSBE. Ndërkohë, në këtë organizatë me seli në Vjenë, janë anëtare 57 vende, përfshirë edhe SHBA-në që ishte anëtare themeluese. Vendimet merren me konsensus, por megjithatë ato nuk janë të detyrueshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Ndarje mes Rusisë dhe vendeve perëndimore
Prej mëse një dekade ekspertët vërejenë një ndarje midis Rusisë dhe vendeve perëndimore në kuadër të OSBE-së. Moska e akuzon OSBE-në se përdor "standarde të dyfishta" në çështjen e të drejtave të njeriut dhe për ndërhyrje në punët e brendshme. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kërcënoi në vitin 2006 edhe me një dalje të Rusisë nga organizata. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 dhe 2011 dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, OSBE-ja nuk dërgoi vëzhgues të zgjedhjeve në Rusi, sepse kushtet e Moskës përmbanin kufizime të forta, u ankua organizata.
Edhe në lidhje me sigurinë, bilanci i OSBE-së në hapësirën post-sovjetike nuk është shumë i mirë. OSBE-ja nuk ka arritur të zgjidhë konfliktet e ngrira si ai në Nagorni-Karabakh, apo të parandalonte konflitin në Gjeorgji në vitin 2008.
Të paktën që nga kriza aktuale në Ukrainë, OSBE-ja duket se vazhdon tlë përballet me të njëjtat probleme si 40 vjet më parë. Politikanët e mohojnë, por gjithnjë e më shumë ekspertë po flasin për një Lufte të Ftohtë të re. Me aneksimin e Krimesë Rusia ka shkelur "në shumë mënyra" parimet themelore të marrëveshjes së Helsinkit, ndër të tjera edhe heqjen dorë nga dhuna dhe paprekshmërinë e kufijve, thotë për DW Wolfgang Zellner, drejtues i Qendrës për Studime për OSZE-në pranë Universitetit të Hamburgut.
Jo pezullim i Rusisë
Megjithë problemet me Rusinë Wolfgang Zellner nuk e quan të mirë idenë për ta suspenduar Rusinë si anëtare e OSBE-së. "Nëse suspendohet Rusia, si u bë me Jugosllavinë (1992 - 2000), eliminojmë qëllimin e OSBE-së, dhe edhe mund ta shpërbëjmë atë", thotë Zellner. Pa Rusinë nuk do të ketë as mision vëzhgimi në Ukrainë.
Ngjashëm mendon edhe Olexander Sushko, ekspert për politikën e jashtme nga Kievi. OSBE-ja nuk mund ta parandalonte aneksimin e Krimesë. Përveç kësaj, ndaj misionit vëzhgues në lindje të Ukrainës nuk ka asnjë alternativë, thotë Sushko për DW. Prandaj, Kievi nuk është i interesuar për një suspendim të Rusisë. "Në qoftë se ne kemi nevojë për një strukturë për ta përballur Rusinë me krimet e saj, atëherë nuk duhet ta përjashtojmë atë nga OSBE-ja," thotë Sushko.
Si Zellner dhe Sushko nuk e quajnë të kuptimshme një reformë themelore të OSBE-së, një lloj "Helsinki-2". Parimet e vitit 1975 janë aktuale edhe sot, ne duhet të sigurojmë që ato të mos shkelen nga shtetet.
Në vitin 2016, kryesimin e OSBE-së e merr përsipër Gjermania. Ukraina do të mbetet pas shumë gjasash çështja numër një, beson Zellner. Edhe Berlini do të përpiqet "të ringjallë përsëri dialogun me Moskën". Por kjo nuk do të jetë e lehtë.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)