Edicioni i dytë i kampionatit rajonal të karatesë “Open Lushnja 2026” u zhvillua në palestrën e shkollës “Foto Puka” në qytetin e Lushnjes. Aktiviteti sportiv u organizua në kuadër të 106-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe mblodhi rreth 470 sportistë të grupmoshave nga 7 deri në 21 vjeç. Në këtë kampionat morën pjesë ekipe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia, Gjermania dhe vende të tjera.

Mes ekipeve pjesëmarrëse ishte edhe ekipi kombëtar “Bijtë e Shqipes”, që përfaqëson qytetin e Lushnjes dhe që numëron qindra medalje kombëtare, ballkanike, europiane dhe botërore. Në këtë ekip spikat edhe kampionia e Europës Amanda Dedej. Organizatorë të aktivitetit ishin Federata Shqiptare e Karatesë dhe trajneri i ekipit kombëtar, Lirim Dedej, i cili prej vitesh drejton ekipin “Bijtë e Shqipes”. Në aktivitet mori pjesë edhe trajneri italian Sebastiano Mastrulli, drejtues i ekipit “Master Art Shotokan Karate” në Itali, i cili përgëzoi organizatorët dhe u shpreh se dëshiron ta organizojë një event të tillë edhe në Itali.

Grupet pjesëmarrëse u përshëndetën edhe me këngë dhe valle nga trevat shqiptare, të interpretuara nga grupi “Dhima Dance Lushnje”. Fituesit e kampionatit do të nderohen me certifikata mirënjohjeje si për individët, ashtu edhe për ekipet pjesëmarrëse.