Pagesa me lekë në dorë vijon të jetë zgjedhja e parë për shqiptarët, pavarësisht se vitet e fundit janë shtuar edhe ato elektronike.
Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të marsit paraja që qarkullonte jashtë bankave arriti në 4 miliardë e 827 milionë euro, ose 331 milionë euro më shumë se në mars të 2025-ës.
Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë ka ardhur çdo vit e në rritje. Shifrat zyrtare tregojnë se brenda një dekade volumi i parave që qarkullojnë jashtë bankave është më shumë se 2-fishua. Nga 2.3 miliardë euro që ishte në 2015-ën, kjo shifër arriti në mbi 4.8 miliardë euro në fund të 2025-ës.
‘Lufta’ ndaj parasë cash bëhet për të ulur informalitetin, për të reduktuar fenomenin e pastrimit të parave, dhe do të shoqërohet edhe me hetime për justifikimin e pasurisë, pasi shpesh pas pagesave me para në dorë fshihen edhe burimet e paligjshme të pasurisë.
Për të reduktuar cash-in në ekonomi, përveç tavanit të caktuar për herë të parë këtë vit për qytetarët që nuk mund të bëjnë blerje me vlerë më të madhe se 5 mijë euro në cash, apo bizneset që u ul nga 1500 euro në jo më shumë se 1 mijë euro, do të hyjnë në fuqi edhe kushtet e reja për pagesat në disa sektorë.
Drejtoria e Tatimeve rikujton strukturat akomoduese, shërbimet e transportit, institucionet dhe shoqëritë publike me kapital shtetëror që brenda 30 majit të kenë instaluar pajisjen POS në pikat e shitjes për t’u mundësuar qytetarëve pagesa përmes kartave. Ky kufizim u caktua në ligjin për procedurat tatimore që ishte pjesë e paketës fiskale për këtë vit, dhe synon të shtrihet në të gjithë sektorët e ekonomisë brenda 31 dhjetorit 2026.
Përmes pagesave elektronike tatimet thonë se shtohet transparenca, shërbimi është më i shpejtë dhe ajo që është më e rëndësishme, formalizohet ekonomia.
Komente









