Një ditë pas fjalimit “Besa” të Ramës, zhvillova një sondazh në të gjithë territorin e vendit, ku pyetja kryesore ishte: “Çfarë vlerësimi keni për Kryeministrin Rama?”. Pyetësorin e shpërndarë me një link përmes SMS-ve krejt të rastësishme nga Vermoshi në Konispol e plotësuan 1513 banorë të rritur, duke garantuar një maksimum marzhi gabimi statistikor +/- 2.6% për kampionin e plotë, si dhe një përfaqësim të përafërt statistikor të popullsisë së rritur, nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore dhe politike.

Nga sondazhi rezultoi se 49.1% e të anketuarve anojnë nga vlerësimi pozitiv për Kryeministrin Rama, 45.4% anojnë nga vlerësimi negativ, dhe 5.5% janë të dyzuar (shihni grafikun e mëposhtëm). Këto rezultate ishin të ngjashme edhe për shtresa të ndryshme gjeografike, gjinore dhe arsimore të kampionit.

Në një sondazh të ngjashëm që zhvillova më 14 qershor, kuota pozitive për Ramën ishte 44.1%.

Teksa rezultatet ishin të ngjashme në shtresat e ndryshme gjeografike, gjinore dhe arsimore të kampionit, te shtresëzimi politik ndryshon puna.

Meqë në pyetësor ishte edhe një pyetje sesi kishin votuar të anketuarit në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, mund të analizohet votimi i vjetshëm i atyre që kanë zgjedhur opsionet “Anoj pozitiv”, “Anoj negativ”, ose “I/e dyzuar” (shihni tabelën e mëposhtme).

Nga kjo analizë rezulton se te 49.1-përqindëshi që anon pozitiv, 3/4 kanë votuar vjet për PS-në. Nga ana tjetër, te 45.4-përqindëshi që anon negativ, 3/5 kanë votuar vjet për PD-ASHM. Kurse te 5.5-përqindëshi i të dyzuarve, dominojnë ata që nuk votuan fare vjet.

Interesant është shtresëzimi moshor – të anketuarit pro ose kundër Ramës kanë moshë mesatare të përafërt (50.2 vjeç vs. 49.2 vjeç). Ndërsa të dyzuarit e kanë moshën mesatare 27.6 vjeç.