Rruga Durrës-Morinë, e mbiquajtur Rruga e Kombit është ndërtuar shumë keq. E njëjta kompani e huaj që ka bërë rrugën Prishtinë-Morinë nga ana e Kosovës ka punuar atje me një cilësi krejtësisht tjetër, shumë mirë. Ndoshta ka qenë e mbikqyrur më shumë nga shteti i Kosovës, ndoshta janë arësye të tjera. Kjo sot ka pak rëndësi për ekzistencën e saj.

Ka pak rëndësi që kushtoi tre herë më shtrenjtë nga parashikimi dhe që është e vetmja rrugë me vlerë mbi 100 milionë euro në Evropë në këto 100 vitet e fundit që ndërtohet pa një projekt të plotë paraprak. Mirëmbajtja e Rrugës së Kombit nga këtej kufirit kërkon trefish fonde, në krahasim me shpenzimet për mirëmbajtje për një kilometër në anën kosovare. Nga 5-6 milionë euro në vit, kërkon trefishin. Që nga koha kur u ndërtua, 8 vite më parë, këto 110-120 milionë euro mirëmbajtje janë përballuar nga Buxheti ynë i Shtetit. Në periudha të caktuara kohore, rruga u la në mëshirën e fatit. Mirëmbajtja, krejtësisht defektoze dhe jo sipas standardeve, u kthye gradualisht në një barrë të rëndë për Shtetin tonë.

Mirëmbajtja duhej dhënë që në fillim me koncesion dhe rruga të tarifohej që pas inagurimit të saj(pjesës Rrëshen-Kalimash) në janar 2010. Ajo rrugë shkurton shumë kohë, karburant dhe amortizim makine dhe është e drejtë të paguhet për përdorimin e saj. Sikurse sapo hyn në autostradën për në Podgoricë, apo për në autostradat greke, paguan tarifën përkatëse. Po të ishte vendosur tarifimi që në fillim askush nuk do të kishte kundërshtuar dhe nuk do të ishte ndjerë keq. Por nuk u bë. U gabua nga të trija qeveritë e periudhës 2010-2017.

Tani që në prill nis tarifimi, orekse krejtësisht të padrejta me arësyen ekonomike ushqejnë ide dhe skenarë politikë apo dhe më keq, pasione partiake të ndarjes veri-jug. Kjo nuk ka kuptim. Rruga duhej tarifuar që në fillim dhe ajo po tarifohet tani. Qeveritë e viteve 2009-2013 dhe 2013-2017 nuk guxuan ta bënin, për shkak të kostos zgjedhore të kësaj mase. Por një ditë duhej bërë. Kosto e mirëmbajtjes së rrugës po kthehej në e papërballueshme. Mund të ishte zgjedhur një nivel tarifimi më i ulët. Pa futur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), që e çon tarifën në 6 mijë e 500 lekë të vjetra(5 euro) për autoveturat. Nuk ka pse të aplikohet TVSH për këtë lloj shërbimi, pse është për të gjithë popullsinë që përdor automjete dhe përfaqëson një bosht rrugor me interesa të veçanta strategjike për vendin.

5 mijë lekë të vjetra janë gjithnjë më pak dhe paguhen më lehtë për këdo që përdor rrugën, se sa 6 mijë e pesëqind lekë të vjetra. Po ashtu, për industrinë dhe kompanitë e tjera shqiptare që eksportojnë në Kosovë e më tej, tarifa 22 euro e gjysëm për kamion të tonazhit të rëndë mund të vilej, por duke u kompensuar nga mospagimi i shërbimit të skanimit, i cili kushton pothuajse po aq. Kjo qeveri e sotme, që realisht po bën shumë pak për eksportet e vendit (të cilat po kalojnë  një periudhë të vështirë me euron në nivelin më të ulët 1290 lekë të vjetra), nuk është ende vonë të lëvizë dhe ta bëjë këtë kompensim.

Pala e interesit që me shumë të drejtë ndihet më e goditur dhe si e prerë në besë, ngaqë njoftimi erdhi si rrufe në qiell të hapur, është ajo kosovare. Janë mbi 230 mijë automjete që sjellin 1.7 milionë qytetarë të Kosovës(kaq ishin pushuesit, vëllezërit tanë të përtej kufirit, për vitin 2017)  për pushimet e verës në Shqipëri. Kosto prej 10 eurosh(pesë në hyrje në Morinë dhe pesë në Durrës në kthim) është e përballueshme, pasi pushimet në Shqipëri janë gjithnjë më ekonomike se sa ato në Mal të Zi apo Kroaci, por kosovarët kanë të drejtë të pyesin:

përse qeveria e Shqipërisë nuk na njoftoi për këtë masë kur u zhvilluan takimet e dy qeverive në Prishtinë dhe në Vlorë gjatë vitit të kaluar? Apo qeveria nuk e dinte se do ta vendoste këtë tarife?! Përse na vunë përpara faktit të kryer? Kanë shumë të drejtë dhe qeveria jonë u ka borxh një falje publike dhe një shpjegim të hollësishëm të arësyeve ekonomike që e bënë të domosdoshëm tarifimin e Rrugës së Kombit nga këtej kufirit. Vetëm kështu mund të tregohet tërësisht transparente dhe e drejtë, sikurse është e udhës të tregohet.