Policia italiane në Treviso ka arrestuar një tjetër shtetas shqiptar për trafik droge, vetëm pak ditë pas prangosjes së dy shqiptarëve të tjerë për të njëjtën veprimtari.

21-vjeçari shqiptar u kap në Roncade, teksa po i shiste një dozë kokaine një blerësi italian kundrejt pagesës prej 60 eurosh. Arrestimi u krye nga skuadra mobile e Trevisos, në kuadër të operacioneve kundër shpërndarjes së drogës me metodën “delivery”, që sipas autoriteteve po përhapet gjithnjë e më shumë në zonë.

Gjatë kontrollit, policia zbuloi poshtë makinës që drejtonte i riu një enë metalike me magnet, e fshehur në pjesën e poshtme të automjetit. Brenda saj ndodheshin edhe 70 doza të tjera kokaine, të ndara dhe gati për shitje.

Kontrollet vijuan edhe mbi personin dhe në banesën e tij. Agjentët sekuestruan 880 euro cash që shqiptari mbante me vete, ndërsa në dhomën e tij u gjetën edhe 5 mijë euro të fshehura poshtë dyshekut të krevatit. . Tufa e parave ishte në prerje 10, 20 dhe 50 euroshe.

Sipas policisë italiane, rrjeti funksiononte me takime të organizuara përmes telefonit, ndalesa të shpejta dhe dorëzime të drogës direkt nga dritarja e makinës, për të shmangur kontrollet dhe për të qenë vazhdimisht në lëvizje. Sipas autoriteteve italiane, arrestimi është pjesë e një operacioni të zgjeruar kundër trafikut të drogës në provincën e Trevisos, të urdhëruar nga shefja e policisë Alessandra Simone. Hetuesit dyshojnë se rrjeti përdorte komunikime të koduara në telefon për organizimin e shitjeve dhe lëvizte vazhdimisht për të shmangur vëzhgimin e policisë.

Pas arrestimit, 21-vjeçari shqiptar është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane dhe pritet të dalë para gjykatës në seancën dëgjimore të drejtpërdrejtë.