TIRANE- Rreth 400 zyrtarë të administratës shtetërore, ku përfshihen gjyqtarë, drejtorë ministrie, prokurorë dhe nënpunës të tjerë të qeverisë, janë nën hetim nga prokuroria. Një pjesë e këtyre dosjeve tashmë ndodhet në Prokurorine e Krimeve të Rënda, e cila gjatë hetimeve që do zhvillohen në muajit në vijim pritet të finalizojë dhe disa operacione për arrestimin e zyrtarëve të implikuar në afera korruptive.

Llalla, gjatë ditës së djeshme ka vendosur të shtojë organikën e sektorit kundër korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke shtuar numrin e prokurorëve. Tashmë kjo njësi hetimore përbëhet nga 5 prokurorë, nga tre që kishte në organikë. Pikërisht në këtë njësi janë shtuar emrat e prokurorëve si Armand Gurakuqi, Dritan Reshka dhe Enkelejda Milori. Me shtimin e administratës, kryeprokurori Llalla ka menduar të ndryshojë dhe drejtuesin e kësaj njësie ku në vend të Genti Osmanit, ka vendosur të emërojë prokurorin Dritan Reshka.

I atashuari i OPDAT
Po ashtu, në mbështetje të kësaj njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtëpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror.

Në një takim të zhvilluar mesditën e djeshme në prokurorinë për Krime të Rënda, Llalla prezantoi prokurorët e rinj, të cilët kanë përvojë në struktura antikorrupsion në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Zoti Llalla, u shpreh gjatë takimit se “Njësia Task-Force e Prokurorisë për Krime të Rënda, krahas numrit të lartë të procedimeve, tashmë ka mbështetjen e një numri më të madh prokurorësh, ekspertizën e specializuar të OPDAT-it dhe specialistëve vendas.

Për këtë arsye, u kërkoj prokurorëve të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”. Në vijim, z. Llalla theksoi se “prokurorët që do t’i atashohen kësaj Njësie, ndoshta me të drejtë, mund ta konsiderojnë si vlerësim përfshirjen e tyre në të.

Dhe në fakt, është një vlerësim. Por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik. Për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në niveleve të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”.
 
Krimet e rënda prej gjashtë muaj me drejtues të komanduar
Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon të jetë një nga prokuroritë që drejtuesi i saj qëndron i komanduar, kjo pas situatës së largimit të prokurorit Eugen Beci. Ky i fundit u largua si pasojë e përmendjen së emrit të tij në një video të publikuar nga deputeti Tom Doshi. Fill pas largimit të Becit, në krye të krimeve të rënda u komandua prokurori Adnand Xholi. Ndërkohë që megjithëse është zgjedhur nga këshilli prokurori Blerim Tominaj për në krye të Krimeve të Rënda, ky i fundit ende nuk ka marrë drejtimin e prokurorisë së Krimeve të Rënda.  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)