Arrestimet e SPAK për inceneratorin e Fierit, Berisha: Rama mbyll historinë e djegësve duke vënë në pranga cironkat! Kryemadhi: Prokuroria të godasë në shenjë

Arrestimet e SPAK për inceneratorin e Fierit, Sali Berisha i ka cilësuar si vënie në pranga të 'cironkave' për të mbyllur historinë e djegësve. Nga mbledhja me grupin e deputetëve të Rithemelimit, Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama po arreston punonjësit e ndërmarrjes së tij. Këto ishin komente që i bëri teksa në vëmendje kishte sërish projektin e portit të Durrësit, për të cilin përsërit se Rama po vrapon rrëfeshëm për ta plaçkitur pasi është pasuria më e çmuar e kombit shqiptar.

“Ky nga një anë mbyll me shpejtësi dosjen e djegësave, duke arrestuar cironkat, punonjësit e ndërmarrjes së tij. Ata kanë përfituar diçka, por ndërmarrja dihet se është e qeveritarëve. Nga ana tjetër vrapon rrufeshëm për të plaçkitur. Shqiptarët nuk kanë asnjë pasuri publike me vlerë si porti i Durrësit. Porti  i Durrësit është pasuria publike numër 1 e kombit shqiptar”, tha Berisha.

Monika Kryemadhi thotë se ka burime të sigurta se para pak muajsh SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe është frenuar. Kryemadhi i kërkon prokurorisë që të godasë në shenjë për inceneratorët dhe mos të drejtohet sipas sulmeve që vijnë nga kongresi i partisë.

Sali Berisha pretendon se nga projekti i portit të Durrësit, Shqipëria do të fitojë vetëm 2% të xhiros, 200 mijë euro në vit. Ish kryeministri e cilëson ‘barbari urbanistike’ ndërsa shton se me anë të aministisë fiskale, do të vërshojnë lumenjtë e narko-eurove apo narko-paundëve drejt Shqipërisë. Po ashtu, Berisha i thotë deputetëve se duhet të krijojnë komision hetimor parlamentar dhe ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Ndër të tjera paralajmëron rikthimin e protestave të fuqishme që e konsideron si një armë që e ka në dorë opozita.

Projekti i Portit të Durrësit që ka sjellë debate të shumta dhe reagime të vazhdueshme nga opozita do të ketë 280 vende ankorimi Yahtesh, me një gjatësi lineare 3.8 km, nga 2.2 që ka sot si port tregtar. 

Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi  € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgajt 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitoi gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit. Parashikohen 12 000 të punësuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
Arrestimet për inceneratorin e Fierit, Alibeaj: Një pikë në oqeanin e korrupsionit ku janë të zhytur ministra dhe kryeministri

1668433969_WhatsAppImage20221114at14.51.38.jpeg

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i konsideroi si të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore arrestimet e sotme të SPAK mbi inceneratorin e Fierit.

Alibeaj shkruan se pa u ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë, besimi i qytetarëve tek drejtësia do të vijonte të mbetej i ulët.

Reagimi i Plotë i Alibeajt:

Hetimet dhe vendimet e derimëtanishme të Spak janë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore. PD ka denoncuar me fakte konkrete aktet korruptive të inceneratorëve, ministrat dhe kryetarët e bashkive të përfshirë në këtë aferë.

Sikundër është e qartë për të gjithë, përfshirë dhe insititucionet e heshtura të drejtësisë se arrestimet e sotme janë vetëm një pikë në oqeanin e korrupsionit të inceneratorëve ku janë të zhytur ministra dhe kryeministri.

Pa u ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë, besimi i qytetarëve tek drejtësia do mbetet i ulët. Vetëm çuarja deri në fund e me seriozitet i hetimeve për këtë aferë do rrisë besimin se Spak do të mund të mbrojë interesin e qytetarëve përballë zyrtarëve të lartë dhe të korruptuar!

Ora 15:19
Arrestimet për inceneratorin e Fierit, Tabaku: SPAK nuk doli mbi pushtetin, personat që ideuan skemën janë të qetë

1666967493_80006309ccee6fc0a.jpg

Deputetja e PD, Jorida Tabaku në një reagim për aksionin e sotëm në SPAK për inceneratorin e Fierit, tha se arrestimet për këtë rast mund të ishin bërë edhe 7 muaj më parë.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Tabaku shkruan se kishte ligje të veçuara për të dobëtit dhe të fortit. Ndërsa shtoi se personat që kishin krijuar skemën, ministrat dhe kryetarët e bashkisë që kishin për detyrë të bllokonin këtë skemë korruptive, ishin të qetë.

POSTIMI I PLOTË I TABAKUT
Arrestimet e reja për rastin e inceneratorëve sot mund të ishin bërë dhe 7 muaj më parë.

Të gjithë administratorët u kapën në dëshmi duke treguar se ishin i njëjti grup personash të cilët në bashkëpunim kishin marrë 3 kontrata për inceneratorët në Elbasan e më pas Fier dhe Tiranë për një kompani që nuk kishte eksperiencë, kapital, dhe fonde për t’i bërë këtë projekte.

Që në mars gjatë dëshmive në komision hetimor kanë deklaruar padije ku kanë shkuar 20 mln euro, duke shfaqur një amnezi totale të asaj që kanë ndodhur me miliona euro që qeveria u ka dhënë pa asnjë logjikë.

Ndërkohë që kjo skemë korruptive vazhdon e paguan, zyrtarët janë të qetë. Ato që kanë ideuar, krijuar dhe miratuar janë të qetë! Jetojnë nën kostumin e paprekshmërisë!

Ministrat e kryetarët e bashkisë që kishin për detyrë ta pengonin këtë skemë ku tre persona me duar në xhepa po marrin 430 mln euro për djegësa që nuk punojnë, janë të qetë.

Unë e votova reformën në drejtësi dhe institucionet e reja të drejtësisë që të mos ketë pandëshkueshmëri.
Sot fatkeqësisht ka një ligj për të dobëtin e një për të fortin!
Sot me këto arrestime SPAK nuk doli mbi pushtetin!
Po pres akoma që kjo të ndodhë!

Ora 14:59
Aksioni për inceneratorët, Kryemadhi: Ka burime se SPAK kërkoi masë-arresti edhe për Subashin, prokuroria mos të devijojë hetimet

1668024276_WATERMARKREPORTtv.00404111.Still012.jpg

Partia e Lirisë ka reaguar në lidhje me urdhër arrestet e dhëna nga SPAK, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve. Monika Kryemadhi thotë se ka burime të sigurta se para pak muajsh SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe është frenuar. Kryemadhi i kërkon prokurorisë që të godasë në shenjë për inceneratorët dhe mos të drejtohet sipas sulmeve që vijnë nga kongresi i partisë.

‘Përshëndes veprimet e sotme për inceneratorët. Treguan se faktet që kam bërë publike janë të pamohueshme. Por, drejtësia nuk duhet të veprojë me regji dhe favorizime klienteliste!  Burime të besueshme tregojnë se para pak muajsh SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe është frenuar. I njejti deformim po ndodh për hetimet e inceneratorit të Tiranës, për të shpëtuar Erion Veliajn dhe kokat e vërteta të aferës së inceneratorëve. SPAK duhet të godasë në shenjë për inceneratorët, mos të drejtohet sipas sulmeve që vijnë nga kongresi i partisë. Po monitorojmë çdo veprim të autoriteteve për inceneratorët dhe do të bëjmë çdo gjë që të korruptuarit e qeverisë të njohin ligjin, ndërsa paratë dhe pronat publike t'i kthehen shqiptarëve.’- shkruan Kryemadhi.

 

Ora 14:05
Berisha: Të krijohet komision hetimor për projektin e portit të Durrësit! Duhet të kundërshtojmë me protesta

 

Teksa komentonte projektin e portit të Durrësit, Berisha ka kërkuar që të ngrihet komision hetimor parlamentar për këtë çështje, ta çojë në Gjykatë Kushtetuese dhe të organizojë protesta të vazhdueshme.

“Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, dhe ne në mënyrë të rrufeshme duhet të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe duhet ta dërgojmë në gjykatën kushtetuese. Tjetër instrument që kemi në dorë, protesta e fuqishme kundër kësaj grabitje të fuqishme.

Është shumë e rëndësishme qytetarëve tu shpjegojmë çpo ndodh në kurriz të tyre, nuk kanë vlerë, por porti është pasuria më e vlefshme e vendit. Ndaj dhe ne duhet ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet. Është një proces që lidhet gjithçka me largimin e Ramës si armik i betuar i votës së shqiptarëve. Tani ne natyrisht në diskutimin e buxhetit duhet të përgatisim amendamentet, të mbrojmë fuqishëm interesat e qytetarëve, e biznesit, të godasim me forcë çdo projektim të buxhetit për oligarkët, të lexohet me vëmendje dhe të kundërshtohet sepse gjithçka është ndihmë për pushtetin e krimit të Edi Ramës”, tha Berisha.

Ora 13:36
Projekti i portit të Durrësit, Berisha: Nga marrëveshja e Ramës, Shqipëria fiton vetëm 200 mijë euro në vit

 

Sali Berisha është ndalur sërish në projektin e portit të Durrësit duke thënë se nga marrëveshje e Edi Ramës, shteti shqiptar do të ketë vetëm 200 mijë euro fitime në vit.

“Të shkulësh portin e Durrësit, portin shekullor, për të cilin është projekti, investimet dhe çdo gjë për ta lartësuar në port të 50 mijë tonëshe, ka qenë shpallur dhe fitues kompania gjermane dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubait City në Durrës, Edi Ramës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, pasi gjirin e portit të Durrësit do ta shndërrojë në marinë për jahtin e tij, të çuçit të familjes dhe ministrave të tij.            

Cilido që mund të ketë dyshimin më të vogël, i them ti referohet pak se çfarë pësoi porti i Bejrutit. E njëjta skemë.

Një mori pallatesh buzë uji dhe porti para për jahtet e pasunikëve të Bejrutit. Por ky është vetëm njëri mekanizëm plaçke. Shteti shqiptar nga marrëveshja, ndërmarrja e Edi Ramës me Alabarin apo Emmarin fiton 200 mijë euro në vit. Kaq është sipas ekspertëve të porteve dhe detit, nga çuçi bej, se është i apasionuar pas jahteve dhe do ta ketë banorë, merr maksimumi 2% e xhiros, 200 mijë euro, në një kohë kur ai port përpunon sot rreth 4 milionë ton mallra”, tha Berisha.

/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja