TIRANË - GJKKO ka dënuar dy persona për ‘Mashtrim Kompjuterik’ dhe ‘Pjesëmarrje në grup të strukturuar krimina’. Bëhet fjalë për Irisa Puca dhe Adrian Korriku, ndaj të cilëve gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar dhe GJKKO me trup gjykues Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri vendosën shpalljen fajtor dhe dënimin për të dy me 6 vjet e 8 muaj burg.

Irisa Puca dhe Adrian Korriku ishin pjesë e grupit të Amant Josifit, ndaj të cilëve SPAK mbylli hetimet më 10 shkurt të vitit 2024.

Nga hetimet me autoritete gjermane rezultoi se Erlind Çekaj së bashku me Irisa Puca, Endri Bulku dhe Ardian Korra ishin personat prapa platformave mashtruese të kompanisë së IT “PumaTS/SMCompany” të lidhur me kompaninë “Milton Group”.  

Ndërsa Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave. Kjo provohej nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave. Bazuar në provat vetëm gjermanëve bavarezë grupi kishte arritur t'i zhvaste 6.1 mln euro, ndërsa dëmi konsiderohet të jetë edhe më i madh. 

Dënimet e dhëna nga GJKKO:

Irisa Puca: Fajtore për "Mashtrimi kompjuterik" dhe "Grupi i strukturuar kriminal", e dënuar me 10 vjet burg për mashtrimin dhe 2 vjet burg për grupin kriminal. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u ul në 6 vjet e 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga 08.11.2022 në burg të sigurisë së lartë.
Adrian Korriku: Fajtor për "Mashtrimi kompjuterik" dhe "Grupi i strukturuar kriminal", i dënuar me 10 vjet burg për mashtrimin dhe 2 vjet burg për grupin kriminal. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 6 vjet e 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga 08.11.2022 në burg të sigurisë së lartë.

Grupi kriminal i emërtuar si (OCG) dyshohet se është përfshirë në mashtrime përmes investimeve online me kriptomonedha. Grupi kriminal përdorte Call Centera dhe platforma të tjera online si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, dhe mashtronte qytetarët që të investonin online përmes kriptovalutave.

Ata u prezantoheshin qytetarëve si ndërmjetës që do t’i ndihmon të investonin në kriptovaluta shuma të vogla parash dhe përfitimet më pas do të ishin kolosale. Por këto shuma që investoheshin nga qytetarët, kryesisht të vendeve të BE, përvetësoheshin nga ky grup kriminal. Qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit të paktën që nga viti 2016. Dëmi i shkaktuar llogaritet në 50 milionë euro në tremujor.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)