50 vite nga Kongresi i standardit të gjuhës shqipe, konferencë në Tiranë! Rama: Unifikimi ishte proces mahnitës, gjuha e njësuar sot e rrezikuar

Me lëvdata për të kaluarën, ku kombi shqiptar u bashkua në një gjuhë të njësuar, e ‘shtrëngata’ kritikash për gjendjen e albanologjisë dhe akademizmit shqiptar,  në konferencën jubilare të  50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, kryeministri shqiptar Edi Rama, rrëmbeu protagonizmin. Në aktivitetin e përbashkët të Akademisë së Shkencave Shqiptare si dhe atë të  Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të drejtuar nga shkrimtari Mehmet Kraja, fjalën e kryeministrit Albin Kurti e përcolli ambasadori i Kosovës Skënder Durmishi.

Në retorikën e dy kryeministrave, Kongresi i Drejtshkrimit mbajtur në 1972, u konsiderua një nga arritjet më të mëdha kombëtare. Pavarësisht debateve që e cilësojnë njësimin e shqipes, si një akt arbitrar të shtetit komunist, Kurti (në fjalën e shkruar) dhe Rama, theksuan se gjuha standarde ka qenë një nga projektet më të suksesshme me ndikim pozitiv në historinë e kombit tonë.

Më të zbutura ishin fjalët e kryeministrit të Kosovës, ndërsa cek reduktimin e varianteve gjuhësore, për të pasur një gjuhë përbashkuese (që shpesh mund të konceptohet  edhe si faktor destandartizues), duke sjellë ndërmend rrugëtimin e vështirë historik që nga Kongresi i Manastirit (1908) për t’ia mbërritur një gjuhe të vetme. Por edhe efektet pozitive, jo vetëm gjuhësore e shpirtëore por edhe politike që gjuha shqipe pati përballë synimeve të pushtuesve.  Ndërsa duke mbërritur në të tashmen Kurti sheh të nevojshme një reformim gjuhësor, më shumë vëmendje në shpërndarjen e librit shqip, ndikimeve të huaja dhe kujdes të medieve online.

Përmirësimin e shqipes, si për të çuar përpara punën e 87 delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, kryeministri Rama e bëri duke cituar vetë fjalën e albanologëve, që e kanë cilësuar njësimin e shqipes si bazën, që në këto 5 dekada do të duhej të ishte plotësuar me rregullime të mëtejshme. Një prej tyre është edhe një Fjalor i konsoliduar i Gjuhës Shqipe, nismë e ndërmarrë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (një nga tre projektet e mëdha ‘Historia e shqiptarëve’, ‘Enciklopedia shqiptare’ dhe ‘Fjalori i madh i shqipes’). Ndërsa të papranueshëm, konsideroi çdo lloj kontestimi që i bëhet Kongresit të Drejtshkrimit, për shkak të dialekteve, vendosjes nga regjimi komunist, apo akoma tej, përpjekjen për ta rrëzuar atë.

“Mbi kryet e Kongresit vazhdon të rëndojë fakti që u mbajt në Tiranë, që ka qenë kryeqyteti i Shqipërisë komuniste. Po pastaj?”, tha Rama, duke sjellë në vëmendje se ç’mund të kishte ndodhur nëse njësimi i shqipes nuk do të ishte bërë.

 Nga lehtësitë që do të shkaktonte synimeve asimiluese,  tek shkollimi me një sërë abetaresh, në një kohë kur sipas tij, shqiptarët ‘nuk bien në një mendje’ me një të tillë. Efektet negative të mospasjes së një shqipeje të standardizuara kryeministri i solli deri në ditët e sotme, teksa shteti shqiptar përpiqet t’ia mbërrijë integrimit në Bashkimin Evropian.

“Si do të merreshim vesh për të përkthyer 7 gjuhët tona sepse tranzicioni me siguri do të kishte pjellë edhe gjuhë të tjera. Se do të kishte dalë gegnishtja e Shkodrës, por pastaj edhe ajo e Pukës. Do të kishte dalë toskërishtja e Vlorës, po pastaj do të dilte edhe Tepelena”, thotë më tej kryeministri Rama.

Të ashpra e ironike ishin tonet e kryeministrit Rama teksa, iu drejtua gjuhëtarëve të ditëve të sotme, por edhe institucioneve që do të duhet të çonin përpara punën e nisur në Kongresin e Drejtëshkrimit. Puna voluminozëve e akademikëve në atë kohë, është e paarritshme sipas tij nga akademikët tanë.

“Provoni ta bëni ju sot një Kongres, provoni ta bëni se është e vetmja shpresë që Eqerem Çabej të çohet nga varri... Më duhet ta them se kur lexon faqet e fundit të Rezolutës së Kongresit e shikoj emrat ... që nuk janë më në jetën e përditshme është e pamundur të mos ndiej një ankth të thellë”, thotë kryeministri Rama.

Akademikët e morën në një reagim të parë me sportivitet ironinë e kryeministrit Edi Rama, që vërshoi më tej me të tjera kritika ndaj Institutit të Historisë.

“Komuniste, komuniste po Shqipëria ishte një vend me institucione kërkimore shkencore. Ku ëshët Instituti i Gjuhësisë Shqipe sot?! Është me siguri që është, po fakti që unë nuk e di nuk më dënon mua”, shprehet ai.

E megjithatë u duk se besimi i Ramës në institucionet shkencore, nuk është humbur plotësisht dhe pavarësisht kohës së limituar që kanë akademikët në krijimin e një fjalori madhor, apo aq më tepër projektit për një enciklopedi.

“Më në fund Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e rishkrimit të Fjalorit, dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që ta fillonte punën me themel”, u shpreh ai.

Mehmet Kraja: Shqipja për Kosovën dhe shkrimtarët
Shkrimtari  dhe kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, u shpreh në fjalën e tij, se i takon asaj gjenerate që e ka njohur dhe përjetuar gjuhën shqipe në të gjitha dimensionet e saj.

“Sot duke qenë shkrimtar që i përkulet shqipes më duhet të them se gjuha shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. Më lejoni të them se në Kosovë gjuha letrare shqipe dhe standardi gjatë këtyre 20 viteve kanë njohur zhvillime pozitive. Tashmë ka ndodhur dhe po ndodh një proces i gjatë dhe i vështirë i deskllavizimit, si dhe kthimi i gjuhës shqipe nga gjuhë e dytë në gjuhë e përdorimit shtetëror dhe institucional. Po në këtë drejtim ne kemi shumë për të bërë sepse Kosova përveç shtetit, juridik, politik, administrativ etj., e ka të nevojshëm të bëjë edhe shtetin gjuhësor. Ky është një proces i vështirë që duhet të fillojë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila e miratuar në trysni të mëdha bën diskriminim gjuhësor duke vendosur në pozitë të pabarabartë gjuhën e 95 për qind të folësve me gjuhën e 5 për qind të folësve të Kosovës”, u shpreh akademiku Kraja.

Gjinushi: Gjuha jonë s’ka nevojë për avokati nga vetja e të vetët
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi gjatë konferencës së sotme e vlerësoi gjuhën shqipe, si faktorin kryesor përcaktues për identitetin tonë kombëtar dhe u ndal në pikat, që sipas tij ajo ka nevojë për kujdes.

“Akademia e ka mision parësor mirë përdorimin e gjuhës së njësuar. Gjuha jonë si trashëgimi e përbashkët, nuk ka nevojë për mbrojtje e avokati veçanërisht nga vetja e nga të vetët. Kur flasim për mbrojtje të shqipes si gjuhë dhe të asaj të njësuar veçmas bëhet fjalë për mbrojtje nga barbarizmat, nga shtrembërimet që vijnë nën ndikimin e gjuhëve të tjera, nga keqpërdorimi publik i saj në tekste, administratë e në ligjërimin publik zyrtar; për mbrojtjen e brezave të rinj të lindur në mërgim nga humbja e gjuhës së prindërve e të gjyshërve. Është detyra jonë që t’i përgjigjemi detyrimit kushtetues e atij të ligjit organik të Akademisë për rregullimin juridik të përdorimit të shqipes në funksionet zyrtare e administrative, duke përgatitur e propozuar aktet e nevojshme ligjore e nënligjore”, tha akademiku.

Maqedonia e Veriut, Grubi: 30 për qind e shqiptarëve flasin shqip
Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut  ishte i pranishëm gjatë konferencës në Akademinë e Shkencave. Ai  e quajti jetike unifikimin e shqipes, teksa vuri theksin tek përmirësimi i situatës gjuhësore, në vendin e tij.

“Tek ne gjuha shqipe ka rëndësi dy dimensionale. I pari është kulturor e shpirtëror, pasi që kjo gjuhë flitet nga 30 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Dhe, i dyti është politiko-shoqëror, pasi gjuha shqipe tashmë është zyrtare edhe në nivel lokal dhe në nivel qendror”, tha më tej ai.

Konferenca për Kongresin e Drejtshkrimit në këtë vit jubilar të 50-të erdhi u mbajt në praninë e gjuhëtarëve si Emil Lafe e Jani Thomai si dhe pedagogëve, studiueseve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:40
Konferenca e 50-vjetorit të standardit të gjuhës shqipe, Begaj: Duhet t’i jepen përparësi në shkolla! E nevojshme mbrojtja e shqipes nga padija gjuhësore

 

Presidenti Begaj foli sot nga konferenca e 50-vjetorit të standardit të gjuhës shqipe. Kreu i shtetit theksoi rëndësinë  e madhe që duhet t’i jepet gjuhës e letërisisë në shkolla dhe mbrojtjen e saj nga padija gjuhësore.

‘Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe.

Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket. 

Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare.

Puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët.

Ngjyrimet dialektore janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme. 

Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimi i rregullave të saj. Gjuhëtarët dhe shkrimtarët duhet të kthehen në pedagogë të zëshëm publikë.

Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit. Shqipja është bota jonë - një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj. "Një komb një gjuhë”- tha Presidenti Begaj.

Ora 11:19
Rama: Duhet punë, shqipja ende nuk e ka një fjalor të plotë

 

Kryeministri Rama apeloi sot për një punë më të madhe për një fjalor të plotë të gjuhës shqipe. Ai tha se shqipja nuk e ka një fjalor të tillë.

“Albanologu i famshëm Robert Elsie thoshte “Mua më vjen shumë keq që kur lexoj në shqip dhe nuk e kuptoj një fjalë, nuk e gjej dot në një fjalor”. Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e shqipes së vërtetë.  Unë shpresoj që ne do t’ia dalim të kemi një fjalor të ri. Edhe një histori të shqiptarëve, dhe pastaj edhe një enciklopedi që edhe për këtë ka filluar puna”, tha Rama.

Ai u shpreh se është i shqetësuar për shqipen e folur përditë, e cila përdoret më së shumti në rrjetet sociale.

"Fjalori i shqipes së folur përditë, “Klm, tdsh” e këto…fjalori i gjuhës shqipe që është një nga nënproduktet e kongresit të drejtshkrimit sot është në pikëpyetje të madhe. Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që ta fillonte punën me themel.  Mos u shqetësoni ca do thonë antikomunistët që janë trashëgimia më e tmerrshme që lanë komunistët, unë Skënderit nuk i vë faj që ka qenë komunist por i lë faj se na la Saliun", tha Kryeministri. 

Ora 11:07
Rama: Bashkimi i shqiptarëve 50 vite më parë ishte mahnitës! Gjuha e njësuar shqipe sot, e kërcënuar

 

Kryeministri Rama tha sot në konferencën për 50–vjetorin e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe se në fakt gjuha e njësuar është e rrezikuar sot edhe për shkak të mungesës së personaliteteve, që nuk kanë të krahasuar me ato të 5 dekadave më parë. Rama tha se kritikat se ky kongres është bërë në kohën e komunizmit janë qesharake.

“Gati unanim qe u gjet për drejtshkrimin 50 vite më parë është mahnitës, po të kesh parasysh se në ç‘konflikte të përgjakshme e procese rraskapitëse kanë ecur gjuhë të tjera për tu njehsuar e për tu bërë palca e skeletit të paqes sociale. Historia na mëson se drejtshkrimi e gjuha e shkruaj janë proces konsolidimi i frymës i germës së një kombi i qenies së një kombi. Misionarët e Kongresit të Manastirit dhanë mesazhin se kombi është një përmes një alfabeti të përbashkët. Drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar bëri të njëjtën gjë në vazhdimësi.

Është nga të paktët procese që në historinë tona në njëson për nga struktura dhe metoda me vendet e tjera evropiane. Kemi pasur fatin që ndonëse pa një shtet tonin të kemi mendjen e ndritur të njerëzve të dalluar të këtij kombi. Burime njerëzore dhe karaktere të hatashme të këtij vendi, personalitete shumë më të mëdha se gjeografia e Shqipërisë. Kush janë të ngjashmit e Eqerem Ccabejt, Mahir Domit, Aleks Budës e kështu me radhë, apo profesor Emilit?”, tha Rama.

Ora 10:59
Ironia e Ramës, ‘thumbim’ akademikëve: Çfarë do flamuri i NATO-s në konferencën për gjuhën shqipe?

 

Kryeministri Edi Rama, teksa nisi fjalën e tij në konferencën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit me një ironi thumbuese për organizatorët e aktivitetet. Ai tha se mbi të gjitha nuk kupton se përse mes flamujve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, qëndron edhe ai i NATO-s.

“Tre flamujt të qëndrojnë bashkë si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha. E dimë shumë mirë por rreziku gjithnjë e më i madh është ta marrim si diçka që ka qenë gjithmonë aty. Sa e pamundur është dukur jo shumë shekuj më parë, por deri disa vite më parë që shqipja të pranohej flitej e shkruhet lirisht si e drejtë themelore e shqiptarëve edhe në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. I vetmi flamur që nuk kuptova pse është është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj. Akademia ka shpëtuar edhe nga ankthi i madh i luftimit të komunizmit”, tha ai.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nino: 10/11/2022 15:51

    Flamuri mire ishte aty, po ky i gjati pse vete gjiyholog ky normal.

    Përgjigju
  • koli: 10/11/2022 12:09

    si fillim urime njeher ne kete 50 vjetor te drejtshkrimut tone te shqipes nje nga gjuhet me te vjetra ne histori

    Përgjigju
  • Eri: 10/11/2022 12:02

    Mirenjohje per tere ato figura te shquara qe kontribuan per te ruajtur gjuhen shqipe

    Përgjigju
  • klodjan: 10/11/2022 11:57

    fjalori i gjuhes shqipe duhet te jete i mbushur me te gjitha fjalet qe kemi ne shqip

    Përgjigju
  • Alban: 10/11/2022 11:56

    shqipja eshte gjuha me e bukur ne bote

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut