50 vjet krijimtari/ Zhuliana Jorganxhi
mbretëresha e teksteve të këngës 

50 vjet krijimtari/ Zhuliana Jorganxhi<br />mbretëresha e teksteve të këngës 
Poetja Zhuliana Jorganxhi është vlerësuar si një poete lirike, -mjeshtre e maturuar e vargjeve lirike shqiptare, plot mirësi, mençuri dhe vitalitet. Vargjet poetike të Zhulianës zbulojnë bukurinë dhe të fshehtat e shpirtit. E lindur dhe e rritur në një familje artistësh, ajo mbeti një kërkuese e zellshme tek letërsia, poezia dhe rrënjët e saj, të mbështetura këto nga tradita e kulturës të vendlindjes, Korçës. Zhuliana i mori me vete frymëzimet e soneteve të serenatave korçare. Artdashësit dhe media të ndryshme e kanë vlerësuar Zhuliana Jorganxhiun si “Mbretëresha e teksteve të këngëve”. Tekstet e shkruara e kanë vendosur atë në elitën e shquar të poetëve lirikë që kanë bërë epokë. Ja si shprehet shkrimtari dhe poeti prof. Vangjush Ziko, për Zhulianën: “Kam kujtimet më të mira për të si nxënësja ime, por edhe si njeri; për gjithë familjen Jorganxhi, me ne krye artistin legjendar të Korit karakteristik të Korcës, të madhin Gaqo Jorganxhi. Zhuliana meriton shumë ajo, është e sinqertë, po aq edhe njerëzore, me kulturë dhe personalitet të vecantë krijues, me shpirt të vërtetë artisteje të trashëguar nga geni familjar.”

Në këtë intervistë, ajo poetja, prozatorja dhe gazetarja e mirënjohur, Zhuliana Jorganxhi rrëfen rrugëtimin e saj njerëzor, qytetar, intelektrual e krijues.
  
Ju jeni vlerësuar me Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTVSH më 2001-shin, ju dha “Çmimi i Karrierës”, në vitin 2005-n kini marrë çmimin e “Mirënjohjes” nga RTVSH, dhe vjet nga Promotor dhe TVKlan kini marrë çmimin “NDERI I KËNGËS SHQIPTARE”. Si ndjeheni për këto vlerësime?
-Ju përmendët disa nga vlerësime dhe çmimet, që më janë dhënë nëpër vite për punën time si poete e këngës. Natyrisht jam ndjerë e gëzuar për këtë dhe ju jam mirënjohëse gjithë atyre që më kanë vlerësuar dhe në veçanti kompozitorëve, këngëtarëve, orkestruesve, orkestrantëve të RTVSH-ë dhe dirigjentëve, që kanë bashkëpunuar me mua ndër vite dhe këta iu përkasin plejadave të tëra. Një mirënjohje speciale do t’iu dërgoja gjithë artdashëve tanë kudo që ndodhen, të cilët i kanë duartrokitur dhe i kanë vlerësuar këto këngë nëpër vite edhe sot.
 
Ju jeni një nga poetet pioniere të letrave shqipe. Ju vetë vini nga ndonjë familje shkrimtare dhe artistike? A ka qenë letërsia një interes shumë i hershëm i juaji apo diçka që lindi si pasion e dëshirë më vonë?
-Jam lindur dhe rritur në një familje muzikantësh, por them që ishte muzika ajo që më çoi tek letërsia. Nëna ime lexonte shumë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhën greke, se kishte mbaruar gjimnazin grek dhe ajo kërkonte dhe nga ne fëmijët të lexonim, por për mua ishte motra ime Rozmaria, ajo që më hapi rrugën nga muzika tek letërsia. Ajo, sa herë vinte me pushime në Korçë nga studimet jashtë shtetit sillte pllaka gramafoni dhe partitura. Duke dëgjuar operat e ndryshme si “Fausti”, “Boris Godunov”, “Dama Pik” etj. unë jam njohur me Gëten, Pushkinin etj. Më vonë fillova si të thuash belbëzimet e para në poezi në gjimnaz. Ishin shoqet e mia të klasës lexueset e mia të para. Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” kemi pasur profesorë të mrekullueshëm në çdo lëndë. Kështu mua më ka dhënë lëndën e letërsisë poeti, dramaturgu dhe përkthyesi i shkëlqyer Profesor Vangjush Ziko dhe Profesor Niko Mustaka. Profesor Vangjushi krijoi rrethin letrar të gjimnazit dhe aty u aktivizova dhe unë. Nuk e di a shkova unë tek poezia apo erdhi ajo tek unë? Them më shumë se erdhi ajo tek unë si pasion!
 
A ju kujtohet kur ju së pari keni shkruar një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?
-Kjo më ka ndodhur tani shumë vonë pas viti 2000, kur kam shkruar një tregim “Fajtor pa faj” kushtuar artistit dhe shkencëtarit të shkëlqyer, të ndriturit Eriko Veizi, i cili hoqi kalvarin e burgjeve dhe vdiq në kulmin e krijimtarisë, shumë i ri në vitin 1993! E kisha si vëlla Erikon dhe ai më quante “motër”, një nga karikaturistët e talentuar dhe një shkëncëtar i shkëlqyer i gjeofizikës. E shkrova me vonesë këtë tregim dhe kur e mbarova dola menjëherë jashtë shtëpisë dhe mora frymë thellë: Ndjeva se kisha shlyer një peng të madh për këtë NJERI TË MADH dhe TË VËRTETË! Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, që i thashë vehtes: “Ja dola!”
 
Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj?
-Prindërit, natyrisht kanë qenë ata që më kanë nxitur të shkruaj, por unë them që gjithmonë duhet një “dorë e ngrohtë” që të të ndihmojë. Kur isha në maturë, në Korçë erdhi për pushime shkrimtari i mirënjohur Petraq Qafëzezi, me të cilin kam lidhje familjare. Mora guximin dhe i tregova poezitë e mia. Ishin të gjitha poezi lirike. Ai i mori dhe botoi dy prej tyre në gazetën “Drita” më 28 qershor 1964, që rastisi të ishte dhe mbrëmja e maturës. Ende s’i kisha mbushur 18 vjetët!
 
Ju jeni një autore prodhimtare. Po citoj disa tituj: “Net provimesh”,”Lule në pemën e lirisë”, “Fëmijët e teto Nastës”, “Gaqo Jorganxhi dhe grupi LIRA”, “Dhembje e ndaluar”, “Dhimbje e bukur”, e botime të tjera. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
-Unë e kam nisur karrierën time poetike si poete lirike, por nga përvoja ime dhe si gazetare, sepse unë kam mbaruar fakultetin histori Filologji dega gjuhë letërsi shqipe dhe njëkohësisht kursin dy vjeçar të gazetarisë, që u çel atëhere pranë fakultetit juridik dhe shkencave politike, sepse fakulteti i gazetarisë u çel më vonë. Pra, kam punuar për 6 vjet si gazetare tek revista “Shqiptarja e re”, (revistë për gratë) dhe kam shkelur pothuaj gjithë Shqipërinë, fshat e qytet, përveç Tropojës dhe Përmetit. Kjo punë më bëri të prek me sy gjendjen e popullit tim dhe në veçanërisht të grave. Ishin gratë ato që punonin nëpër fusha dhe ara, ndërsa burrat i gjeje tek zyrat e kooperativave… Kam ndërrojen , se kjo vazhdon ende. D.m.th. gruaja në fshat bën punët më të rënda dhe kjo është shumë e dhimbshme. Nga poezia kalova shpejt në gjininë e tregimit dhe kam botuar disa tregime nga vitet ’69-70 tek “Zëri i Rinisë”, “Shqiptarja e re “, “Pionieri”, “Fatosi”. Ato atëhere u mirëpritën, por unë pas botimit me tregime “Fëmijët e teto Nastës” nuk botova më vëllim me tregime në ato vite, se puna në RTVSH për tekstet e këngëve më merrte shumë mund dhe kohë. Nuk ishte e lehtë në atë kohë të ishe redaktore dhe skenariste e festivalit, pra të mbaje përgjegjësinë e përmbajtjes së festivalit, që ishin tekstet e këngëve! Jam marrë në kohën e festivaleve deri tek programet e tri netëve, që shtypeshin tek shtypshkronja “Mihal Duri”.
 
Çfarë mendoni se ju ka frymëzuar për t’u bërë poete?
-Jam vlerësuar me dy çmime kombëtare për dy poemat e mia dhe kjo më ka gëzuar dhe nxitur që të punoj më shumë. Çdo punë dhe aq më shumë ajo krijuese do shumë mund, nerva dhe mbi të gjitha frymëzim e pasion. Frymëzimi vjen atje ku s’e pret. Nuk harroj njëherë për një tekstin e një kënge , në mos gaboj titullohej “Këngët e trimërisë” me të ndriturin Agim Prodani punuam gjithë para diten dhe unë nuk arrita të bëj as edhe një varg. Në drekë do të shkoja tek vëllai i vogël, se më kishte ftuar. I hipa autobusit të Tiranës së Re, kur më erdhi vargu i pare. Këtë e shpjegoj dhe kështu: Në trurin tim tashmë ishte melodia e këngës, që më ndiqte pas edhe aty në autobus, ndaj aty lindi vargu i parë, pas të cilit rrodhi gjithë poezia. Ajo këngë mesa më kujtohet u këndua në Dekadën e Majit të viteve ’70-të nga dy këngëtarë të mirënjohur korçarë Gjergj Suljoti dhe Petrika Rrëmbeci dhe pati shumë sukses.
 
Ju keni me qindra vargje si krijuese tekstesh për këngë të vlerësuar me çmime të para në festivalet e RTVSH-ë? Si ndjeheni për këtë?
-Natyrisht 7 çmime të para nëpër festivalet e RTVSH dhe 4 në koncertet “Kur vjen Pranvera” më kanë dhënë kënaqësinë e veçantë ato çaste, por Unë i jap rëndësi atyre teksteve që i kanë rezistuar kohës , atyre këngëve me tekstin tim që këndohen dhe sot dhe ato nuk janë pak!
 
A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetare? A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
-Dita e parë si gazetare ka qenë kur unë isha ende studente dhe shërbimin e parë e kam bërë në Sukth, tek një ofiçinë, ku punonin edhe gra dhe vajza. Pata emocion që kur mora trenin dhe pyetjet ende nuk i kisha përgatitur, por ato erdhën duke parë aty gjendjen dhe punën e tyre. Ishte një shërbim për revistën “Shqiptarja e re” dhe unë falenderoj ish kryeredaktoren e kësaj reviste gazetaren e mirënjohur Ballkiz Halili për besimin, që pati tek unë si vajzë e re. E kam pasur pasion punën e gazetares, që në vitet kur isha studente dhe atëhere shumë nga miqtë dhe mikeshat e mia poetë dhe shkrimtarë të rinj aktivizoheshin në gazeta dhe revista të ndryshme për reportazhe, portrete etj. Kjo ka qenë dhe një nga eksperiencat e para në fushën e gazetarisë nga shumë prej nesh, që më vonë pas studimeve filluam punën edhe si gazetarë në organe të ndryshme të shtypit dhe në RTVSH.
 
 
Ju gjithashtu, jeni bija e këngëtarit veteran lirik, “Artisti i Merituar”, solistit të Grupit historik “Lira”, të Korçës, Gaqo Jorganxhi. Cili është “çelësi sekret” i lidhjes me atin tuaj?
-Natyrisht im atë ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në të katër ne fëmijët e tij, gjithashtu dhe nëna. Mbaj mend ende fëmijë 7-8 vjeç ai më merrte përdore në provat, që bënte në Pallatin e Kulturës. Aty unë kam ndjekur pothuaj gjithë provat e operetës “Agimi” (1954) me libret të Kolë Jakovës, muzikë të Kristo Konos, që u vu në skenë nga kori, orkestra dhe solistët e Pallatit të Kulturës në Korçë. Aty im atë luante një nga rolet kryesore atë të Murr Keçit. Atëhere, mbaj mend zjente e gjithë Korça për vënien në skenë të kësaj operete të parë shqiptare. Në rolet kryesore luanin dhe këndonin: Pirro Suljoti, Marika Balashi, Lefkothe Kane, Gaqo Jorganxhi, Dhimitra Mele, Pandi Raidhi, Andrea Trebicka, Liza Skrami etj. Në korin e madh merrnin pjesë punëtorë, zanatçinj, mësuese etj. Ishte një sipërmarrje e madhe, që doli me shumë sukses jo vetëm në Korçë, por edhe në gjithë Shqipërinë. Në vitin 1956 u riorganizua dhe kori i grupi “LIRA” me këngët karakteristike korçare, grup, i cili ishte formuar në vitin e largët 1928-ë. Aty merrnin pjesë gjithë anëtarët e parë të këtij grupi dhe ishin 12-ë, me gjithë katër orkestrantët, kitara dhe mandolina.

Këta të 12-ë, populli i Korçës i quante “12 Apostujt e muzikës korçare”. Aty im atë dhe Tole Adhami ishin solistë, kurse dirigjent ka qene Profesor Kostaq Osmanlli.
Unë jam rritur mes këngëve korçare, arieve të operave, që im atë m’i këndonte, të cilat ai i interpretonte dhe në koncerte të ndryshme, i shoqëruar nga pianisti i mirënjohur i ndrituri Boris Plumbi. Të gjitha këto ndikuan në formimin tim si poete. Unë me Profesor Boris Plumbin dhe më vonë me pianistin e mirënjohur Sami Bujari kam studiuar 10 vjet piano në Pallatin e Kulturës së qytetit tim. Kjo më ka ndihmuar dhe lehtësuar shumë në krijimin e teksteve.
 
Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
-Kam disa vjet që kam një vëllim gati me tekstet e mia nëpër vite duke përzgjedhur ato që unë mendoj që janë më të realizuarat, por do dëshëroja ta shoqëroja me vijat melodike dhe dy CD. Kjo është një punë e vështirë dhe ky vëllim ka vite që po fle. Gjithashtu kam disa vjet që po shkruaj kujtimet e mia për punën time si redaktore letrare dhe poete e këngës, por ende s’e kam mbaruar.
 
Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri?
-Çdo brez krijon këngët e tij dhe thuhet se kënga “është modë”, por unë them që një këngë është këngë kur jep një mesazh të bukur dhe atë e merr publiku dhe e këndon dhe kënga pa melosin nuk jeton dot. Në Shqipëri ka muzikantë të formuar në Universitetin e Arteve dhe ata për mua bëjnë muzikën e vërtetë. Një muzikant nuk mund të kuptohet pa njohjen e një vegle muzikore, notave, solfexhit, harmonisë etj., që e formojnë një muzikant, por kam idenë që ndonjëherë mjafton një kompjuter, merret kopja e ndonjë kënge të huaj dhe hidhet në treg. Kënga italiane i provoi të gjitha rrymat pas viteve ’60 dhe ’70, por tani i është kthyer traditës: melodisë. Ata tre djemtë e trios “VOLO” po pushtojnë botën me këngën e vërtetë italiane. Kështu them, që dhe kënga shqiptare duhet të tingëllojë shqip, pa rënë në folklorizëm.
 
A është ndjerë artistja Zhuliana Jorganxhi e vlerësuar nga shteti?
- Po ju them, se përveç çmimeve dhe vlerësimeve nga institucionet e ndryshme nuk kam asnjë titull dhe jam me një pension minimal prej 15.000 lekë, kur kam mbi 50 vjet krijimtari të botuar dhe të interpretuar, por mua më mjafton vlerësimi i artdashësve tanë, me një “titull” të cilin ndoshta s’e meritoj duke më quajtur “Mbretëresha e teksteve të këngëve”. Nuk e bëjnë titujt një artist a krijues, e bën ajo ç’ka ai ka lënë prapa.
 
 
Sa ju ka mbështetur familja në karrierën tuaj artistike?
-Familja më ka mbështetur në çdo çast dhe ka jetuar me shqetësimet e mia në periudhën e festivaleve në veçanti familja e motrës sime me kunatin tim të ndriturin Profesor Kostandin Leka, i cili gjatë gjithë jetës sime krijuese ka qënë një udhëheqës i shkëlqyer shpirtëror me vërrejtjet dhe kritikat e tij prej njeriu erudit dhe i jam mirënjohëse gjithë jetën atij, prindërve të tij të ndritur Jolanda dhe Minella Leka dhe motrës sime Rozmari. Unë kam jetuar me familjen e motrës dhe jetoj ende me të, pas 15 vjet jete në konviktet e qytetit “Studenti”, 4 vjet studime dhe 11 vjet si nënpunëse e pastrehuar(1964-1979).
 
Një mesazh për brezin e talenteve të reja?
-Gjithmonë i kam dashur dhe i kam përkrahur talentet e reja, sepse atyre iu përket e ardhmja! Do dëshëroja, që ata të jenë gjithmonë vetvehtja dhe të çojnë gjithmonë e më lart kulturën dhe artin në Shqipëri, sepse vetëm kultura shpëton një vend dhe e çon atë drejt përparimit! Faleminderit! 


Redaksia online 
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie