TIRANE, 4 shkurt /ATSH/. - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, mori pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar me rastin e fillimit të Shkollës Bazë të Policisë "Për patrullë të Përgjithshme" për grupin e dytë prej 500 kursantë, të cilët u përzgjodhën pasi kaluan me sukses të gjitha fazat e procesit konkurrues të zhvilluar vitin e kaluar. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe Drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Drejtues i Parë Bilbil Mema, si dhe stafi mësimdhënës i kësaj qendre.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u kërkoi kursanteve që të angazhohen maksimalisht, të marrin sa më shumë dije, në mënyrë që të jenë të aftë profesionalisht për t'i shërbyer sa më mirë publikut. "Fillimi i këtij shkollimi nuk duhet parë nga ana juaj si një privilegj për të përfituar të mira materiale, por si një mundësi për t'i shërbyer denjësisht publikut", u shpreh Didi.
Po ashtu, ai u kërkoi kursantëve, që krahas aftësimit të tyre teorik, t'i kushtojnë vëmendje të veçantë edhe procesit të përgatitjes fizike dhe aftësimit të tyre praktik, pasi siguria kërkon punonjës policie të përgatitur fizikisht, si dhe nga ana operacionale.
Ndërkohë, Drejtues Bilbil Mema, u kërkoi kursantëve të rinj që të tregojnë gatishmërinë e duhur për të përvetësuar çdo detaj të programit mësimor, si dhe i për mbështetjen e vazhdueshme që do të kenë nga stafi mësimdhënës gjatë shkollimit.
Ky është kursi i 9-të i Shkollës Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme, përmes të cilit do të marrin njohuritë e duhura 500 kursantë, rreth 50% e të cilëve janë femra. /a.ke/










